reklamë

Marsel Lela: Akeldama

marsel lela

Nga Marsel Lela

Askush nuk e di me siguri se ku gjendet Akeldama.
Disa thonë se është një arë jashtë Jerusalemit, e blerë me çmimin e tradhëtisë.
Të tjerë besojnë se është vetëm një vend i shpikur nga ndërgjegjja njerëzore, një gjeografi e fshehtë ku përfundojnë ata që kanë prerë në besë diçka të shenjtë.

Thonë se në Akeldama nata nuk bie, ajo kullon si gjak i mpiksur
mbi gurë.
Hëna rri varur si një monedhë argjendi e harruar në xhepin e vdekjes,
dhe era endet nëpër ullinj si fryma e dikujt që kërkon ende.

Unë njoh një njeri; ose ndoshta kam lexuar për të në një dorëshkrim të humbur armen,
i cili pretendonte se kishte hyrë atje një natë dimri, ndërsa ecte nëpër rrënojat pranë Kedronit.
Nuk ishte mistik. Bibliotekar qe. Dhe si gjithë bibliotekarët e vërtetë, besonte më shumë tek labirintet sesa tek mrekullitë.

Sipas tij, Akeldama nuk ishte vend, por përsëritje.

Një fushë gri, pa horizont.
Një erë që dukej sikur vinte nga shekuj me duhmë madërgonash të kalbura.
Dhe në qendër të saj, një pemë e vetme, prej ku varej hija e një njeriu, por jo vetë njeriu.

Sepse Juda nuk mund të vdesë plotësisht.
Ky është, mbase, dënimi i tij.

Në një fragment apokrif që nuk e kam gjetur kurrë së dyti, thuhej se pas vetëvrasjes,
shpirti i Judës nuk zbriti as në ferr e as nuk u ngjit drejt ndonjë mëshire. Ai mbeti në një korridor ndërmjet botëve, si një mendim që Perëndia nuk dëshiron ta çojë deri në fund.

Ndoshta për këtë arsye emri i tij vazhdon të rrijë varë në degën e historisë njerëzore.

“Rabbi…”
pëshpërit ndonjëherë,
por emri i Krishtit
i çahet në gojë
si qelq i thyer.

Por qielli nuk përgjigjet.

Vetëm një heshtje e rëndë,
si derë që mbyllet pa kthim.

Sepse ka mallkime më të tmerrshme
se dënimi:
të kujtosh në pambarim dashurinë
që preve në besë.

Në Arën e Gjakut
pemët nuk japin fryt.
Vetëm hije që përkunden në degët e tyre.

Hijet e njerëzve
që shitën shpirtin
diku për pak ar,
diku për pak pushtet,
diku për një fron që kalbet,
e diku për duartrokitje që zgjasin
sa një frymëmarrje.

Dhe nata mbushet me zëra.

Çdo epokë ka Judën e vet.

Njeriu që shet mikun.
Mbreti që shet popullin.
Prifti që shet të vërtetën.
Poeti që shet shpirtin.

Ne i dallojmë rrallë, sepse ata zakonisht nuk mbajnë fytyrën e përbindëshit.
Kanë pamjen e njeriut të arsyeshëm.
Janë krejtësisht banalë, si e keqja, që nganjëherë na shfaqet si ëngjëll drite.

Thuhet se në Akeldama ekziston një lumë i zi ku tradhtarët shohin jo atë që kanë bërë, por atë që mund të kishin qenë, me e padurueshme se cdo zjarr.

Juda, sipas bibliotekarit, endet përgjatë atij lumi.

Nuk qan.
Nuk kërkon falje.

Ka një pikë përtej së cilës pendesa bëhet e kotë dhe shndërrohet në metafizikë.

Dhe gabimi ynë është se e kemi parë gjithnjë Judën si një përjashtim.

Në të vërtetë, ai është pasqyra.

Sepse çdo njeri, të paktën një herë në jetë, e ndien tundimin për të shitur të përjetshmen për të menjëhershmen:
Të vërtetën për rehatinë.
Dashurinë për krenarinë, a për më pak, një aventurë.
Shpirtin për tridhjetë monedha që marrin forma të ndryshme në çdo shekull.

Në fund të rrëfimit të tij, bibliotekari më tha diçka, ndërsa fërkonte qafën sikur donte të hiqte që andej një lak.

“Akeldama,” tha ai, “nuk është ara ku u var Juda. Është vendi ku mbërrin shpirti pasi ka justifikuar tradhtinë.”

Pastaj heshti.

Dhe në atë heshtje, për një çast, pata ndjesinë e frikshme se ndoshta e gjithë historia njerëzore nuk është gjë tjetër veçse një ecje e gjatë drejt asaj are.

ObserverKult