Poezi nga Martin Camaj
Dheu im âsht i përmendun
për humnerat e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në dét. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s’i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak âsht, për shembull,
gjarpën nën gúr e gjarpni vetë
na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.
Në muzg atje secili prek ballin e vet
e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet.
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË E ZGJEDHUN POETIKE NGA MARTIN CAMAJ
ÇKA I DUHEJ ULIKSIT ITAKA PA GRUE
Malli, dëshirë e përjetës
e jo mallëngjimi, gurgull frymëshkurtë,
e joshi Uliksin me u kthye i kulluem
atje kah ishte nisë. Në ravgime të paskaje
shtjerri edhe të mbramin petk që kishte
amzën e pashlyeshme të vegëve ullini
dhe të duerve të grues.
Shtjerri edhe petka tjera leshi e lini
e fjeti ndër tesha të hueja, Uliksi,
kur harroi amzën.
Homerit s’i erdhi ngoje me thanë
përse Penelopa endte për të me duer të veta
petkun magjik të kthimit.
Homeri i përngeshëm u kull kujtueshëm e tha:
Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjokë dhie
me nji bri të thyem: punë e pakryeme.
MBRAMJA ASHT’ LARG
Mbramja asht’ larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshën e tramit tue u ndalue me turr.
Poezitë mund ti lexoni KËTU