Figura e Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare.
Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar.
Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.
Ai ka lënë pas vetes shumë vepra, në mesin e të cilave edhe veprën “Dranja”.
“Dranja” u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu:
“Dranja” ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe.
Në lexim e sipër, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo “teoremës”. Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t’i përshtatet lakueshëm çdo situate.
“Dranja” është një formë e re letrare për kulturën e shkruar shqiptare. Duke qenë thellësisht vepër simboliste, madrigalet mund të jetojnë edhe si copa më vete.
Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga “Dranja”:
Te rranza e Helikonës ku flitet arbërisht, tingëlloi ashti i thyem në shkambij. Ishte verë. Atje një breshkë, krejt në shembllesën e Dranjes kur ishte e re, kërkonte verbtas dritën mes qiellit e dheut tue shkrepë si vetimë mbi krahët e erës ndër degët e larit.
Kur uli kryet përdhé, hetoi diçka të mënershme: dy desh me ngjyra të ndryshme në fillim zbytheshin, mandej merrnin turr e shkapeteshin krye për krye. Nësa qëndronin me brina të kapërthyem si një kurm i ngrimë, u kullonte gjaku ndër sy.
Erën e ashtit, grimcue e djegë, e ndiente breshka si me qenë tue iu ndezë kothra e vet flakë. Ishte e para herë që një frymor i tillë deshi me dalë prej rrashtës së vet. Por s’mundi me qitë ma shumë jashtë se të katër kambët dhe koka i mbeti mbrendë.
Mandej erdhi muzgu e fjeti edhe ajo si Dranja dikur, e qetë në djepin e vet ashti, pakëz nën majen e Helikonës, atje ku mishi i njomë në hell eraton qumësht, dru e voj ullini dhe hi krype.
*Shkëputur nga vepra e Martin Camajt: “Dranja”, botuar nga “Onufri”
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Mori mësimet e para në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër.
Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.
Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe.
Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia.
Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992.
Përgatiti: A. S.- ObserverKult
LEXO EDHE:
KUR SHKRUHET ME SHKRONJË TË MADHE, “TOKA”, DHE KUR ME TË VOGËL, “TOKA”?