“Marubi” çelet me ekspozitën e Dedë Jakovës, fotografit të njohur shkodran

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, çel sot për vizitorët, ekspozitën me imazhet e Dedë Jakovës. Sikurse shprehet ministrja e Kulturës e Shqipërisë, “imazhet e Dedë Jakovës, na kanë shoqëruar gjatë periudhës së izolimit e mbas saj”.

Ato, – ka theksuar Margariti, – “janë dëshmitare të kohës, por edhe ndjesive, që fjalë nuk i thonë, por sytë i shprehin”.

“Secila prej tyre, ka shënuar një moment magjepsjeje me punën e autorit, të cilin e ndajmë tashmë edhe me ju, në këtë ekspozitë, ditën e shtunë e në vijim”, – ka shtuar ajo.

“Në respekt të masave parandaluese të marra kundër përhapjes së pandemisë covid-19, ekspozita nuk parashikon përurim publik” – thekson ministrja.

Dedë Jakova ishte një fotograf shkodran që i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celoloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm.

Jakova ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës. Ai ishte dhe si fotoreporter për kohën dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij, nga viti 1930 dhe deri më 1959. Në fondin e tij, zbulojmë një larmi temash, si: histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme.

Dedë Jakova (1914-1973) lindi në Shkodër, në nji familje intelektualësh. U shkollue në kolegjin saverian të qytetit, ndërsa mësimet e para mbi fotografinë i mori pranë Kel Marubit. Në vitin 1932 hapi studion e vet, “Foto Jakova”, dhe në gjysën e viteve ’30-të ishte përfaqësues në rang kombëtar i filmave fotografikë “Ferrania” e “Lomberg”, për të cilët kishte ekskluzivitetin. Realizoi me botues të ndryshëm kartpostalet e kohës dhe kishte primatin si shoqnues e fotograf i alpinistave në majat ma të nalta të vendit. Në qytetin e lindjes ishte i njoftun si “fotografi i rinisë”, por kishte edhe veprimtari në fushat e tjera, si fotoreporter i jetës së qytetit, ngjarjeve të ndryshme historike, social-politike si dhe atyne etnografike e sportive.

Aktiviteti i tij, i zhvilluem kryesisht në Shkodër, përshkohet nga kalime të forta ideologjike e politike: prej frymës së monarkisë e ndikimit të fashizmit italian, në konsolidimin e regjimit diktatorial të komunizmit, transmeton ‘konica.al’.

Në këtë sistem u ndesh me procesin e shtetizimit, në vitet ’60-të, i cili kulmoi me mbylljen e studiove fotografike private. Dëshmite e kohës thonë se Jakova, mbas shumë ngurrimesh dhe trysnisë së fortë të taksave, ishte autori i fundit që u ba pjesë e Kooperativës së Shërbimeve. Në vitin 1970 iu bashkue fotografëve të tjerë që e dorëzuen në shtet fondin e tyne, duke lanë në trashigimi prej rreth 58.000 negativësh në xham, planfilm e film rul.
Përgjatë ngritjes së ekspozitës jemi ballafaque s’parit me dendësinë e veprës së tij. Në nji moment të dytë kemi shqyrtue regjistrat e autorit dhe asht ba kështu nji përzgjedhje. Në çdo rast, parësia e imazhit ka njazue situata e periudha përtej rendit historik.

Nji referencë e randësishme ka qenë atlasi me imazhe i historianit gjerman të artit Aby Warburg. Bahet fjalë për nji bashkësi tabelash të pagëzueme “Mnemosyne” – emni i hyjnisë mitologjike të kujtesës, nanës së muzave – në siperfaqet e errta të së cilave rreshtohen, në formë kolazhi, riprodhime veprash arti, copa gazetash e fotografí simbas temave përkatëse. Në to kërkohet arketipi, deshifrohen posturat, kontrastet e gjesteve, por janë kryesisht rrugët e nëndheshme që i mbajnë afër imazhet, të cilat nxisin nji marrëdhanie fqinjësie që zavendëson, përfundimisht, parimin e kronologjisë.

Ky sendertim i historisë si dukuri figuracionesh asht nji prej paradigmave ma të koklavituna të natyrës kërkimore e të lexueshmënisë historike. Repertori i saj ikonografik, i rrëmujshëm në dukje, emancipon pikëspari idenë e akumulimit heterogjen në siperfaqe dhe i hapet prumjeve interpretuese nga çdo fushë e lamí studimore.

E, megjithatë, në rastin tonë, qasja ndaj këtij shembulli ka ardhë pikërisht në mungesë të koordinatave, duke iu përgjigjë instiktivisht vorbullës së arkivit, ku imazhet pshtjellohen vetvetishëm edhe pa vû dorë. Aty gjejmë nokturne vitrinash, pra edhe rrugë të zbrazta; zyrtarë të naltë shteti në çdo regjim e në vazhdë të çdo miqësie strategjike; nji natyrë të qetë gjatë shërbimit në kooperativë; nji darsëm imagjinare; rituale të mveshuna me atë kinetikë që do ta molisë gjanësisht pikturën bashkëkohore nën petka të filmit; e mandej rreshtime e parada që rezervojnë pak poza për nji mort të asaj ditë; ushtrime gjimnastikore e histeri gjestesh të fërkueme nga mospërputhja e hollë mes shpejtësisë së shkrepjes e shpejtësisë së veprimit.

I përveçëm mbet nji arrestim publik para Dritëshkrojës “Marubi”, ku në sfondin e ngjarjes vërejmë edhe Kelin, tashma drejt fundit të aktivitetit të konsoliduem si fotograf zyrtar i mbretit, duke kundrue pasivisht atë që, për hovin e ri të Jakovës, bahet objekt interesi dhe gjurmë e nji zhdërvjelltësie të re. Nji kapërcim qasjesh e dinamikash që ndërmend diçka prej atij kalimi të pakthyeshëm në Atelierin Nadar, mes Felix-it e Paul-it, ku kodet ndryshojnë, tregtia e fotografisë dhe hierarkia shoqnore e subjekteve të kthjelltë i len vend atyne teatralë e ekstravagantë.

Kësisoj, rasat ku autori i asht përgjigjë çastit ose kur ky çast ka veprue mbi te, janë nji limb joshës, e shpeshherë i padepertueshëm. Këndej nesh mbet freskia e imazheve, ajo atmosferë tolerante që ia mundëson lojën montazhit të trilleve, e paktit të pashmangshëm me shajní.