Masakrat e komunizmit: 21 të vrarë, mbetën 58 jetimë dhe 16 gra të veja

Më 26 Shtator 1944, Komandanti i Brigadës së V partizane, Shefqet Peçi, kreu masakrën në Krue të Bardhë, ku ekzekutoi 21 banorë të pafajshëm të Buzëmadhes.

Mbetën 58 fëmijë jetimë, mbetën të veja 16 gra, të cilat do të rritnin me mundim fëmijët e tyre. Përfytyroni për një çast, vetëm rropatjen e tyre me rritë fëmijët, n’atë katund vështirësisht të jetueshëm! T’afërmit e të ekzekutuarve, më vonë s’duhej dhe s’kishin të drejtë me u ankue, sikur masakra në katundin e tyre të kish ardhë njëjtë si rrufeja në qiell të kthjellët dhe jo me urdhrin e Makbethit të ri të formacionit partizan, komandantit të Brigadës së Pestë, Shefqet Peçit. Kur përmendet një masakër, fillimisht kërkohet informacion për numrin e të vrarëve, më pas, pse ndodhi, dhe me një vëmendje t’atypëratyshme mund të shihen edhe pasojat e saj.

Njëjtë edhe me masakrën që u krye në Krue të Bardhë, e paramenduar deri n’imtësi, por njëkohësisht, edhe e paralajmëruar.

Një pamje gati-gati surreale, ndoshta e papërfytyrueshme edhe prej syrit me shumë dritë e kthjellti përfytyrimi. Një trandje e atypëratyshme për këdo që e mëson për herë të parë.
Regjistri është plotmbushë me një idhëti të paskaj, qoftë edhe në kujtesën e banorëve të katundit dhe vjen deri në kohën tonë, padëmtueshëm, pa kurrfarë shrregulltie a mungese, por njëkohësisht pa pasë nevojë për plotësim të mundshëm.

Natyrisht që makrotema e ngjarjes është pushkatimi i 21 vetëve të pafajshëm:

1. Dan Rexhep Lala, 53 vjeç
2. Mehdi Rexhep Lala, 39 vjeç
3. Ramiz Sali Lala, 30 vjeç
4. Arif Tahir Lala, 36 vjeç
5. Nuhi Musë Lala, 35 vjeç
6. Tahir Ali Lala, 19 vjeç
7. Sulë Etem Lala, 27 vjeç
8. Imer Etem Lala, 24 vjeç
9. Zenun Habib Lala, 40 vjeç
10. Muharrem Habib Lala, 37 vjeç
11. Cen Mexhit Lala, 39 vjeç
12. Rexhep Ramadan Lala, 45 vjeç
13. Rakip Ramadan Lala, 40 vjeç
14. Qazim Selim Lala, 45 vjeç
15. Sulejman Hasan Vellku, 45
16. Riza Halim Hoda, 45 vjeç
17. Zylbehar Nuhi Bresa, 22 vjeç
18. Jemin Hakik Bresa, 37 vjeç
19. Qamil Shivar Tola, 42 vjeç
20. Isak Islam Bresa, 23 vjeç
21. Arif Ramadan Mata, 47 vjeç

N’atë regjistër, katër shtëpi (familje), humbën nga dy vetë, pjesëtarë të familjes (vëllezër), mbetën të veja, 16 gra, të cilat do të rritnin me mundim fëmijët e tyre. Përfytyroni për një çast, vetëm rropatjen e tyre me rritë fëmijët, n’atë katund vështirësisht të jetueshëm./kujto.al

Nga Petrit Palushi, autor i librit “Masakër në Buzëmadhe”