Të premten në Teatrin Oda në Prishtinë, në një atmosferë të ngrohtë artistike u promovua libri me poezi “Gdhendje drite” i Halil Matoshit.
Fillimisht për librin e Matoshit, foli poetja dhe studiuesja e letërsisë, Donika Dabishevci.
“Udhëtimi nëpër andrra t’kqija, robria, lufta, mitet politike e ideologjike, demitizimi i tyre, realiteti i tmerrshëm e agresiv, janë preokupime qenësore të sistemit poetik t’Halilit. Ekuilibri mes tyre është sa i thjeshtë aq i komplikuar, por Halili e ka gjetë atë lloj ekuilibri duke kriju një stil fort t’vecantë t’menuemit e t’artikulumit poetik, t’pangatërrueshëm me të tjerët”, tha mes tjerash Dabishevci e cila u ndal edhe tek titulli librit.
“Gdhendje drite”, titull ky fort domethënës dhe i qëllumë sepse artisti gjithmonë gdhend diçka. Gdhend mendimin, idenë, vargun, gdhend fjalën, në synim të arritjes së asaj perfektes, sublimes në art, n’letërsi…”, theksoi ajo.
“Ky libër nga ana tjetër është i ndarë në 6 cikle që praktikisht janë titujt e 6 librave, pra një udhërrëfim poetik i Halilit, t’cilin unë them që gaboni nëse nuk e lexoni”, shtoi Dabishevci, e cila në fjalën e saj u ndal edhe te poezi të veçanta të Matoshit, të cilat i lexoi dhe interpretoi.
Tutje vazhdoi një bashkëbisedim për letërsinë mes botuesit Jeton Neziraj dhe autorit Halil Matoshi.
“Poezia thjesht âsht udha e përjetshme e kthimit në sh’pi!”, theksoi mes tjerash Matoshi, aty.
Edhe aktorët Arben Bajraktaraj, Afrim Muçaj, Klaus Martini dhe Verona Koxha lexuan poezi nga libri.
Tutje mbrëmja vazhdoi me muzikë për të cilën përkujdeset Samira Latifi & Band. Promovimi u organizua nga Qendra Multimedia dhe Teatri Oda.
Ndërsa pas promovimit, poeti Halil Matoshi ka shkruajtur:
Prâmje e përshkëndijshme artistike në Theatrin “Oda” të kryeqytetit
1.
Pēr mue poezia âsht magji, nji truk iluzionist dhe gdhendje me brisk e kullim me sitë i dritës, lëmuemje me strug i saj. Enigmë.
Në filmin The Prestige të Christopher Nolan, në të cilin “luhet” gara për trukun e përkryem ndërmjet dy iluzionistëve kulmor dhe dytësorëve, Borden si Profesori, një magjistar i klasës punëtore që i përlyen duart, kundrejt Angierit si Dantoni i Madh, një showman elegant, elitar…
Ku i fundit në mbyllje të garë eternale për përsosmëni i thotë rivalit ose dualitetit të tij se truku i përsosun duhet me i pasë tre akte:
-Garancia, magjistari të tregon diçka të zakonshme, send apo gjallesë;
-Ndryshimi apo nga diçka e zakonshme me kriju të jashtëzakonshmën, nga diçka e vogël me kriju nji hata dhe
-Prestigji apo zhdukja magjike dhe rikthimi i përhershëm…
2.
Për mue poezia âsht truku i magjishëm që përmban këto tre akte plus idenë e pavdekësisë si dhe magjepsjën e lexuesit (publikut) për nji çast, shtangimin, emocionin, mahnitjen, tue e nxjerrë atë nga mjerimi i të randomtës!
Nuk ka poezi të mirë ose të keqe por udhë-enigmë e të përsosun (të magjishme) deri në triumfin e të bukures (idealit estetik) ose udhë të randomtë, triviale deri tek ajo.
3.
Poezia thjesht âsht udha e përjetshme e kthimit në sh’pi!
P.S.
Nji falemnderim të madh për lexuesit e mi, Qendrën Multimedia dhe Jeton Neziraj – botuesin e mikun tim të madh, poeteshën e studjuesën Donika Dabishevci, për kritikën e saj e performimin e shkëlqyer, aktorët fantastik që interpretuen vargje nga libri “Gdhendje drite”, (aktorë të përmasave ndërkombëtare) Arben Bajraktaraj (që ka luejt në Hollywood, filmi “Taken”), Afrim Muçaj el Grande, pastaj aktori i ri nga Laçi, Klaus Martini që studjon aktrimin në Civica Accademia Dramatica D’Arte “Nino Pepe” në Udine, Italy dhe aktorja e re Verona Koxha.
Falemnerës shumë publikut të pranishëm në këtë event me klas, si dhe miqve e familjës.
Paçit uratën!
ObserverKult