Max Ehrmann: Desiderata


Ec prajshëm nëpër zhurmë e nguti
dhe kujto se ç’paqe bën të ketë në heshtje.

Sa të mundesh, pa u nënshtru,
ji fisnik me gjithë njerëzinë.

Fole të vërtetën tënde qetë dhe qartë;
dhe ngoji të tjerët,
qofshin dudukë e bilmezë;
edhe ata kanë rrëfim me rrëfy.

Shmangiu llapaqenëve e mujsharëve;
ata ta nxijnë shpirtin.

Në e krahasofsh veten me të tjerët,
o të rritet mendja, o të kap dëshpërimi,
sepse gjithmonë do të ketë njerëz
më të zotë e më pak të zotë se ti.

Gëzoju të arrijturave, edhe planeve të tua.
Ji i zellshëm në punën që bën,
sado e thjeshtë me qenë;
ajo është pasuria jote e njëmendtë
në fatet lojcake të kohës.

Bëji sytë katër në allishverishe,
sepse bota është përplot me hile.

Por, mos u verbo aq sa mos me pa virtytet që i ka;
ka shumë njerëz që bien copë për ideale të nalta,
e jeta aneqark është përplot me heroizma.

Ji vetvetja.

Sidomos mos u shtir si i dhembshur.
Mos e përbuz dashurinë, po ashtu;
sepse me gjithë shterpësinë dhe zhgënjimet,
ajo është jetëgjatë si bari.

Merri me mirakandje këshillat e vjetëve,
duke heqë dorë hirshëm prej sendesh të rinisë.

Kultivoje fuqinë e shpirtit
për me të mbrojtë prej fatkeqësish të befta.
Por mos e shajto veten me përfytyrime të kobshme.
Shumë lëngjyra burim kanë rraskapitjen dhe vetminë.

Po shkove përtej një disipline të shëndetshme,
nis e merre veten me të mirë.

Ti je fëmijë i gjithësisë,
jo më pak se pemët dhe yjet;
ke të drejtë me qenë këtu.

Dhe qoftë e qartë apo jo për ty,
gjithësia, pa asnjë dyshim,
shtëllitet ashtu qysh duhet të shtëllitet.

Prandaj ji në paqe me Zotin,
qyshdo që ta parafytyrosh atë.

Dhe me gjithë mëqakjet dhe gjakimet e tua,
në zallamahinë e zhurmshme të jetës,
ruaje paqen e shpirtit.

Me gjithë mashtrimet, angarinë dhe ëndrrat e shkatërruara,
ajo mbetet prapë botë e mrekullueshme.

Ji i hareshëm.

Përpiqu me qenë i lumtur.

Përktheu: Agim Morina