E nxitur nga miku i saj James Baldwin, Maya Angelou filloi të shkruajë në moshën 40-vjeçare, një ditë pasi u vra Martin Luther King më 1968. Shkroi poezi, ese, libra për fëmijë, drama, skenarë dhe mbi të gjitha, një autobiografi në shtatë vëllime që hapet me ‘E di pse këndon zogu në kafaz’ dhe që përfundon me ‘Zonjën B’. Një kthim kah vetja pa narcizëm i cili shënon tërë jetën e saj të shkrimtarisë deri në vdekjen e saj, më 2014, në moshën 86-vjeçare. ‘Mblidhuni në emrin tim’, titulli i të cilit evokon Ungjillin sipas Shën Mateut, është vëllimi i dytë dhe shkon nga viti i 17-të deri në 19-të të jetës së “Ritës”.
Në fund të vitit 1945, ushtarët amerikanë të kthyer nga lufta sillen vërdallë në rrugët e San Franciskos. Rita është 17 vjeçe. Ajo ka një bebe dymuajshe pa baba. Ka braktisur shkollën. Nuk ka punë dhe dëshiron të largohet nga shtëpia e nënës. Rita bëhet kuzhiniere dhe fiton mjaftueshëm, sa për ta marrë një dhomë me qira. Ajo dashurohet me një marinar të pashëm i cili i rikthehet të fejuarës së tij pas dy muajve të bukur. Vëllai i saj Bailey i huazon 200 dollarë. Rita largohet për në Los Anxhelos me fëmijën e saj në krah. Halla e saj, e cila i përket borgjezisë së vogël me ngjyrë, nuk pranon që Rita të qëndrojë tek ajo. Vendoset në hotel dhe bëhet kameriere në klubin ‘Hi-Hat’. Ka një rehati të shkurtër financiare pasi që bëhet bosja e dy lesbikeve. Shfrytëzon rastin për ta lexuar letërsinë ruse në bibliotekë. Kjo situatë merr fund shpejtë. Ik te gjyshja e saj, Momma, në një qytet racist jugor. E përzënë nga të bardhët, pasi është me ngjyrë, kthehet në San Francisko. Bëhet kameriere në një kafe shumë të keqe. Angazhohet në ushtri. E dyshuar për komuniste, ajo kthehet tek fillimet e saj si kamariere. Fillon të merr “hash”. Bëhet valltare tapash, prostitutë në një shtëpi publike për meksikanë, shofere për boksierë, etj.
Mund ta reduktojmë këtë histori në një melodramë plot ngjarje, por ajo që e bën substancën e këtij romani është një vitalitet i jashtëzakonshëm, një oreks i madh për dije, për liri, një aftësi të jashtëzakonshme për rezistencë, një humor të paparë, mbi veten dhe mbi botën. Përmes historisë së saj shpërfaqet gjendja racore, shoqërore, ekonomike, që Angelou ndanë me kaq shumë të tjerë që vihet në skenë, të mbartur nga një stil i mprehtë, pa zbukurime, me një realizëm të saktë dhe një lloj poezie të ashpër. Ajo është e kalibrit të Baldwin, Richard Wright, Upton Sinclair, John Steinbeck, Jack London, Jim Tully. Këta shkrimtarë nga Amerika e varfër që shpikën një letërsi me jo shumë ekuivalencë në Evropën e vjetër. Të këndosh kalipso, të vallëzosh me Alvin Ailey, të aktrosh komedinë, të japësh mësim, të shkruash, gjithçka është njësoj për aktivisten Maya Angelou, e cila ishte e afërt me Malcolm X dhe me Martin Luther King, që të dy të vrarë për shkak se luftonin për të drejtat civile të zezakëve.
“E gjithë puna ime, e gjithë jeta ime, gjithçka që bëjë flet për mbijetesën, jo për një mbijetesë të trishtë dhe të rëndë, por për një mbijetesë plot hirë dhe besim. Mund të përballemi me shumë disfata, por nuk duhet kurrë të mposhtemi”./lemondediplomatique.al