Mbajtja e Eurovizionit po shqyrtohet, shkaku i koronavirusit

Shkaku i koronavirusit, opsionet e mbajtjes së Eurovizionit të sivjetmë janë duke u rishikuar, kanë bërë të ditur bashkorganizatorët e këtij festivali evropian të këngës.

Eurovizioni pritet të mbahet në Rotterdam, teksa autoritetet shëndetësore në Holandë kanë bërë të ditur se një 86-vjeçar, i infektuar me virusin, ka vdekur të premten në në këtë qytet. Është ky rasti i parë i vdekjes në Holandë nga epidemia që ka origjinën nga Kina dhe që është përhapur në 85 vende të botës, raporton Reuters, transmeton Koha.

Transmetuesi holandez NPO ka njoftuar se organizatorët e “Eurovisionit” do t’i marrin për bazë këshillat e autoriteteve shëndetësore për të vendosur më pas rreth formës së organizimit të ngjarjes, që duhet të mbahet më 12, 14 dhe 16 maj. Mirëpo transmetuesi refuzoi t’i zbardhë hollësitë rreth alternativave që janë duke u shqyrtuar.

“Eurovizioni” përcillet çdo vit në spektaklin e drejtpërdrejtë nga dhjetëra mijëra shikues, ndërsa tërheq më shumë se 200 milionë shikues kudo në botë.

Tubimet publike deri më tani nuk janë kufizuar në Holandë, në kuadër të përgjigjes ndaj koronavirusit.