Mbi 700 projekte kulture në pritje të përgjigjes nga Ministria

Janë mbi 700 projekte kulturore që po presin të vlerësohen nga Ministria e Kulturës për këtë vit. Por përderisa institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ka ende një afat të saktë se kur do të dalë me rezultate, ngjarjet kulturore që llogarisin në mbështetje nisin këtë muaj. Ministria e Kulturës ende nuk e di as buxhetin që ka në dispozicion që të përkrahë organizatat e individët që i takojnë skenës së pavarur kulturore.

Me një muaj vonesë, në krahasim me vitin e kaluar, Ministria e Kulturës në fund të janarit kishte hapur konkursin për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore e artistike për vitin 2020.
Përderisa herën e kaluar konkursi ishte hapur në fund të dhjetorit, kësaj radhe MKRS-ja nuk ka mundur ta bënte këtë deri tash. Ministria e Kulturës e kishte vonuar konkursin me arsyetimin se ende nuk është miratuar Ligji për buxhetin e këtij viti.

Sipas konkursit publik që është mbyllur më 17 shkurt, do të përkrahen projektet e idetë me karakter profesional, promovues, stimulues, tradicional, inovativ, kreativ, kritik, dhe ato që nxisin diversitet artistik.

Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se janë mbi 700 projekte që kanë aplikuar.

“Sa i përket numrit të saktë jemi duke pritur edhe aplikimet që janë bërë në zyrat e MKRS-së në Prizren, dhe atyre që vijnë me postë”, ka thënë ajo. Sa i përket buxhetit me të cilin do të përkrahen projektet, Shyti ka thënë nuk dihet ende shuma e saktë pasi nuk është miratuar buxheti në Qeveri e Kuvend.

“Për buxhet nuk e dimë saktë, por rezultatet planifikojmë t’i kemi shpejt, brenda muajit”, ka thënë ajo.
Sa u përket projekteve të përkrahura vitin e kaluar, MKRS-ja kishte financuar 427 ngjarje kulturore me 1.2 milion euro. Institucioni më i lartë kulturor në vend në konkursin që ishte i hapur nga fundi i dhjetorit deri në fund të janarit kishte pranuar mbi 900 projekte.
Shuma e mbështetjes financiare për projektet e organizatave joqeveritare mund të jetë deri në 20 mijë euro, ndërsa për projekte individuale deri në 5 mijë euro.

/koha