
Nga Arti Lushi
Mesnatën e 17 nëntorit të vitit 1697, eksploratori dhe tregtari i kauçukut, Abraham van Hoensbrijk, për pamjaftueshmëri të rezervave ushqimore, dha urdhër therrjen e gjysmës së ekuipazhit.
Më 3 janar të viti pasues, sipas ditarit të mjekut të anijes, Ararat u ankorua në brigjet e një ishulli të panjohur.
Për orë të tëra, pasi ndoqën shtegun e kalueshëm, në të kundërt të rrjedhës së ngadaltë të një përroi, më në fund mberritën në një zonë të banuar.
Banorët që hasën ishin relativisht gjigandë dhe punëtorë të palodhur. Nuk shfaqën kurrfarë shenje armiqësie dhe menjëherë treguan një mikpritje të ngrohtë për të ardhurit. Abrahami e nuhati qysh në ditët e para kamjen dhe mirëqenien e atij komuniteti; dhe gjeti rastin për ta shfrytëzuar qendrimin për arsye të mirëfillta tregtare.
Me gjithë përpjekjet për t’i joshur, vendasit nuk shfaqën asnjë interes, as për Librin e Shenjtë, as për afrodiziakët e ndryshëm dhe as për koleksionin e armëve që u paraqiten miqtë. Madje edhe një ksombël të doracakut ku permblidheshin shkencat ezoterike të De Mediçëve, e pranuan më tepër për të mos i fyer.
Ndër të tjera, u bëri përshtypje idili dhe jeta e tyre e kopsitur në çdo drejtim. U tërhoqi vëmendjen veçanërisht një lloj druri i fortë me aromë trallisëse. Kultura nuk mund të këputej me sopatë apo me mjete tradicionale. Druri qe i pashkatërrueshëm as nga zjarri.
Teknikën e shkuljes e njihnin vetëm ishullorët por procesi zgjaste nga nëntë deri në njëmbëdhjetë muaj. Bashkëpunimi i viganëve nuk mungoi.
Javët që pasuan, ekuipazhi u përshtat për bukuri me përditshmërinë e vendasve.
U njohën me doket, pasionet, kuzhinën, seksualitetin e tyre.
Një nga të ardhurit, mbolli disa rrenjë qepe. Një bimë e panjohur për vendasit por që u përmirësoi atyre dukshëm cilësinë e jetës. Ngrënia e qepës u largoi atyre Ethet e Zbaticës, një sëmundje e rendë që prekte sistemin mbrojtës… Për të mos folur mandej për vlerat ushqyese të saj.
Si mirënjohje për këtë zbulim jashtëzakonisht dobiprurës në jetën e tyre, aborigjenët i shpërblyen miqtë me gjënë më të shtrenjtë që kishin: Shtatë arka ding me flori të kulluar e gurë të çmuar.
Tok me qindra blloqet e drurit të rrallë, në anije u ngrarkua edhe thesari. Në përshëndoshje, ai që ishte caktuar si përfaqësuesi i tyre për atë ceremoni, i dhuroi Abrahamit një lloj harte, e cila bëhej e dukshme vetëm nën dritën e hënës së plotë të majit. Në hartë qe shenjuar vendndodhja e ishullit.
Udhetimi i kthimit qe i qetë e pa andralla. Në Tokat e Ulta, kamja e Abrahamit u rrit me përmasa marramendëse dhe në një kohë të shkurtë.
Vuri kurore me një vejushë, nënë e dy vajzave të vogla. Zonjë grua. Zgjeroi sipërmarrjen e ndërtimit të anijeve në portet më të rëndësishme të Europës kontinentale. Mbretër dhe despotë nga të katër anët e dheut, shkonin i kërkonin hua për çdo fushatë ushtarake dhe ai gjithmonë e çilte qesen.
Në kapërcyell të të gjashtëdhjetave, Zoti e bekoi me një trashegimtar dhe bash kremtimi i sebepit u bë shkak që të fshehtën e thesarit ta ndante me mikun e tij Guus Boetzaler.
Pija bëri qederin e vet, dhe Abrahami, që ishte treguar i matur dhe i kujdesshëm në çdp hap të jetës, në këtë pikë tradhëtoi veten dhe e pësoi me kokë. Pas dy netësh lëngimi në shtrat, njomi gurmazin me pak ujë, e dha shpirt.
Miku i tij, pa e menduar gjatë, në krye të muajit, u nis drejt tokës së premtuar. Me të mberritur atje, gjeti të njëjtën mikpritje të ngrohtë që i pat përshkruar Abrahami.
Që të shmangte dyshimet për qëllimin kryesor dhe, njëherësh, për të përligjur kohëzhjatjen e qëndrimit, shfaqi po atë interesim të pastër tregtar për drurin e mirë që mund ta çrrënjosnin vetëm vendasit.
Pas muajsh bashkëjetesë harmonike e frytdhënëse, duke menduar se ishte koha e duhur, Guus, nxorri, si rastësisht, atunë e vet: Brenda pak javesh u mbollën mbi njëmijë rrënjë hudhre.
Gjigandët u mrekulluan si nga shija e veçantë, po ashtu edhe nga vlerat ushqyese dhe mjekësore që sillte përdorimi i kësaj bime të panjohur për ta.
Erdhi koha e ndarjes. Me ndihmën e vyer të banoreve vendas, u ngarkuan stivat e drurit në anije.
Ashtu si herën e parë, si mirënjohje për zbulimin e madh dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, ishullorët i shpërblyen miqtë me gjënë më të shtrenjtë që kishin: Shtatë arka plot me qepë.
——-
” Nga libri “GJAKIME”, Ombra GVG,2015
ObserverKult
Lexo edhe:






