Me datë 04.10.2019, u mbajt koncerti recital:“Me vallet më të bukura të Tropojës, krijuar me dashuri nga “Mjeshtër i Madh”, koreografi Skënder Haklaj”, tek Amfiteatri verior, Liqeni Artificial.
Për ta shpjeguar shkencërisht, qëllimin e këtij recitali, që vallja e Tropojës (kcimi i Tropojës), të bëhet pjesë e Unescos, foli albanologia dr. Rovena Vata, ku ndër të tjera tha:
Kcimet si thurimë e ritualeve të jetës dhe trashëgimisë shpirtërore në Tropojë, ishte një nismë dhe njëkohësisht një hap i madh, i ndërmarrë nga “Mjeshtëri i Madh” Skënder Haklaj, në dhjetor të vitit 2016, për të finalizuar një ëndërr të kahershme, që e ashtu njohura Vallja e Tropojës, të jetë në listën e mbrojtjes së UNESCO-S.
Vallja e Tropjës është po aq e lashtë sa dhe vetë populli, që e përfaqëson. Koreografi Skënder Haklaj – thekson kcimi i Tropojës, pasi kcimi është shumë më i vjetër se vetë vallja. Kjo valle, që prek tokën dhe që i drejtohet qiellit, është një pasuri e çmuar kombëtare, kjo perlë e Malësisë së Gjakovës, që i takon sot më shumë se kurrë, që të jetë nën mbrojtjen e Uneskos.
Konstatime për lashtësinë e valles së Tropojës janë parë qartazi edhe nga studiues dhe shkrimtarë shqiptarë. Shkrimtari Ismail Kadare është shprehur se vallja ashtu si pija, të nxit të flasësh për të. Në të vërtetë ajo ka diçka të afërt me pijen, marramendjen, e cila vjen si rezultat i veprimeve joshëse të valltarëve.
E bukura në artin e lëvizjes shprehet Kadare është se mendimi i parë që të vjen është rrotullimi i globit tokësor rreth vetvetes, pra një lloj vallëzimi i tij. Ky rrotullim nuk mund të ndërpritet. Siç thonë, bën pjesë në një valle më të madhe, në atë të galaktikës dhe galaktika vetë s’është veçse pjesëmarrëse në një tjetër vallëzim: në atë të universit. Duam apo nuk duam, ne jemi të rrethuar prej vallëzimit.
Kërcimet (apo kcimet, siç quhen nga populli), praktikohen në zonat e Shqipërisë së Veriut dhe i karakterizon interpretimi relativisht i lirë, brenda shtratit krahinor apo zonal. Ato shoqërohen kryesisht me instrumente popullorë, si: tupan, daulle, dajre, defe, curle, çifteli etj, siç do i shohim praktikisht sonte të gjithë bashkë, të interpretuar nga valltarët e Tropojës dhe të Tiranës, në këtë skenë gjidande.
Kërcimet popullore janë një minierë emocionesh për shoqërinë dhe individin, në mundësinë e pakufishme, që ky art ngërthen në shprehjen e gjendjeve më të holla shpirtërore, nëpërmjet lëvizjes. Të gjitha lëvizjet e kryera në kërcim, përfshirë këtu edhe vallet popullore, kanë në vetvete një qëllim estetik. Qëllimi estetik është një nga ato më të rëndësishmit, sepse kërcimi në vetvete është burim kërkimi vlerash estetike.
Vallja është luajtur e fiksuar që në kohët e lashta nga artistë anonimë me shpirt kreativ, në funksion të pastrimit të shpirtit e trupit të tyre, por edhe në funksion të punës dhe argëtimit.
Dëshira e kahershme e qenies njerëzore për t’u shkëputur nga toka apo për të fluturuar, është evidentuar më së shumti në kulturën e kërcimit në zonën e Shqipërisë Veriore dhe sidomos të Malësisë së Gjakovës. Vallja konsistonte në thyerjen e gjunjëve për të marrë vrullin, për t’u rrotulluar e për t’u hedhur, e cila është edhe një nga simbolikat dhe shprehjet më origjinale të intuitës krijuese e imagjinatës së popullit tonë. Ajo ka një bukuri gati hyjnore. Në këto kërcime thuajse gjithçka ndodh në ajër, edhe dashuria, edhe dyluftimi, edhe dhimbja, edhe trimëria, edhe sensualiteti. Në të njëjtën kohë këto kërcime kanë kontribuar në shoqërizimin e njerëzve gjatë festave popullore.
Vallet ose kcimet që nuk i kanë në vetvete të dyja vetitë, pra dhe të shenjtën dhe socialen, duken si të zhveshura nga thirrjet e të padukshmes së origjinës, duke humbur magjinë dhe efektin dehës.
Pas këngëve me lahutë dhe bisedave tregimtare, fillonin argëtimet me lojëra e kcime. Loja e parë dhe më popullorja për odat e burrave ishte loja e kapuçave. Kjo lojë shoqërohet me këngë e kcime, ku burrat vendosen në krahë të njëri-tjetrit me një hap para dhe një hap pas.
Për të gjitha këto cilësi dhe të tjera, që për efekt kohe jemi të detyruar t’i reduktojmë, ky kcim duhet të bëhet pjesë e listës së Unescos, përfundon fjalën e saj studiuesja dhe profesoresha dr. Rovena Vata.
Nga dr. Rovena VATA: “Koncerti recital i “Mjeshtrit të Madh” Skënder Haklaj dhe magjia e valleve tropojane”
Të flasësh për traditën kombëtare është e pamundur të thuash gjë jashtë pikëpamjeve, që ke mbi kombin, meqë tradita kombëtare në esencë është përvojë kulturore dhe shpirtërore e një kombi. Çdo komb ka rrugën e tij në historinë botërore, çdo popull mban në gjirin e vet doke, zakone, tradita të papërsëritshme, të cilat ndryshojnë nga krahina në krahinë por që gjithsecila prej tyre mbart në vetvete një element që e dallon nga tjetra. Të gjithë këto elementë të marrë sëbashku përbëjnë vlerat e një kombi. Një ndër këto krahina është dhe Tropoja, e cila gjeografikisht është e vogël, por ka lindur dhe rritur njerëz të mëdhenj, që i kanë dhënë dhe po japin, kontribut në zhvillimin e atdheut tonë. Tropoja e historisë, e këngës, e valles, e poezisë, e fisnikërisë, mikpritjes dhe bujarisë. Një prej këtyre njerëzve është edhe etnokoreografi i nderuar “Mjeshtër i Madh” Skënder Haklaj, i cili ka dhënë dhe po jep një kontribut të veçantë, për përcjelljen dhe ruajtjen e kcimeve të Tropojës ndër breza.
Skënder Haklaj lindur në Tropojë, koreografi i parë në Malësinë e Gjakovës, bashkëthemelues i ansamblit Dardania. Autor i disa veprave letrare, ku dy veprat e fundit i dedikohen Tropojës, si: “Tropoja e mrekullive shpirtnore” dhe libri shkencor studimor për kcimin e Tropojës “Aty ku trupi flet”.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në Tropojë, por edhe më gjerë. Gjatë viteve studentore ka pasur në patronazh shkollat e mesme në Tiranë, ekonomikun dhe shkollën e kulturës në qytetin e nxënësve, duke renditur kështu shumë suksese.
Në vitin 1977 pas mbarimit të studimeve universitare specializohet si etnokoreograf. Po në këtë vit ka konkurruar me dinjitet në koncertet e majit me ansamblin Josif Pashko, me motive Tropojane, duke fituar çmim të dytë. Si dhe me Ansamblin NPV (Ndërmarrja e përpunimit të veshjeve), ku ka konkurruar me motive Dibrane, duke u vlerësuar me çmim të tretë. Këto vlerësime për një djalosh 27-vjeçar, kanë qenë dhe trampolinë drejt rrugës së artit, duke u bërë më pas koreografi i njohur e me vlera të mëdha artistike. Në 2005 ka krijuar valle për Ansamblin Kombëtar Tiranë dhe në vitin 2006, në Ansamblin Shota Kosovë. Ka punuar me grupe të ndryshme në Vuthaj-Guci, Drenas, Gjakovë, Deçan e Peshkopi. Sot është nismëtar i Kcimit të Tropojës drejt Unescos, ku falë punës të tij, sot Kcimi i Tropojës është shpallur, si “Kryevepër e trashëgimisë kulturore shpirtnore të kombit shqiptar”, nga Ministria e Kulturës.
Më datë 04.10.2019 u mbajt, në Amfiteatrin e Tiranës, Koncerti Recital “Me vallet më të bukura të Tropojës, krijuar me dashuri nga “Mjeshtëri i Madh”, koreografi Skënder Haklaj.
Ky recital startoi pikërisht me thënien e vetë koreografit:
“Kcimet tropojanë janë si bjeshka, të lidhura në rrënjë e të ndara në kreshta”. Kjo thënie vërtetohet më së miri me veprat koreografike që shfaqen para jush.
Veprat koreografike që u interpretuan me aq mjeshtëri nga grupi i valltarëve të Tropojës dhe valltarëve të Tiranës, janë si më poshtë:
“Suitë e çikave të Tropojës”, vepër koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Xhevahire Gashi dhe Rush Halilja. Viti i krijimit 1979 me muzikë të Bashkim Kovaçit.
“Në gjurmët e virtuozëve tropojan”, vepër koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Ram Myftari, Ram Salihi dhe Idriz Berbati, me muzikën e Përparim Topçinit.
“Fluturimi i Sokolave të Bjeshkës”, vepër koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Met Rexha dhe Sose Dulja.
“Valle me Motive Blegtorale”, krijimtari e krijuar mbi bazën e aftësive interpretative të virtuozëve Lume Shabani. Valle e krijuar në vitin 1986, ku sot interpretohet me një rritje cilësore bashkëkohore dhe më shumë dashuri. Kjo krijimtari shënon thyerje klikimesh në rrjetet sociale.
“Kcime Rreth Tupani”, vepër koreografike e bazuar në motivet e virtuozëve Hazir Rrustemi dhe Ram Myftari, ku me tupan ritmoi Admir Morina.
“Kur Tropoja feston”, vepër koreografike e bazuar me motivet e virtuozëve Hazir Salihja, muzika Ali Mula “Mjeshtër i Madh”.
“Motive kosovare të Deçanit me rrethinat e Gjakovës”. Krijimtari krahasuese të bazuar në motivet e këtyre trevave si analogji njehsuese nga njëra anë dhe dalluese esenciale nga ana tjetër tekniko-profesionale, në përpunimet burimore origjinale.
Këtë recital e përshëndetën grupi i fëmijëve nga mosha 4-10 vjeç, për të treguar ruajtjen dhe trashëgiminë e Kcimit të Tropojës ndër breza.
Gjithashtu këtë koncert recital e përshëndetën edhe:
Vitore Matoshi, këngëtaren që e lindi dhe e rriti Tropoja, erdhi në këtë skenë gjigande, për të kënduar këngën “Çikat Dardane” dhe një kolazh me këngë popullore.
Nada Gjyriqi e bija e kompozitorit të madh Bashkim Gjyriqi, ardhur nga Maqedonia për të përshëndetur recitalin me këngët: “Çohu moj çikë e dil te ara” si dhe potpuri këngësh popullore.
Këndëtari Lekë Pecnikaj, këndoi këngën: “Oj çika e malësisë” dhe një kolazh me këngë popullore tropojane.
Në skenë u ftuan për të nderuar punën e tyre ndër vite të gjithë virtuozët, si: Ali Mula “Mjeshtër i Madh”, (muzikanti i parë më të cilin, koreografi Skënder Haklaj, ka punuar, që në fillimet e tij), Nurie Mulosmani, Hajri Haklaj, Violeta Sula, Deli Metaliaj, Haxhi Hoxha, Skifter Doçi, Lumnie Malaj, Vjollca Osmani, Ilir Biba, Shpresa Lushaj, Arben Metaliaj, Bukurie Demiri, Skënder Haklaj.
Në fund, ky koncert recital bëri bashkë të gjithë kcimtarët, e të gjitha moshave, shoqëruar nga artistja Vitore Matoshi më këngën e mirënjohur “1000 vjet valle Tropoje”.
Këtë koncert e përshëndeti edhe N/Kryetari i Bashkisë së Tropojës z. Abedin Kernaja, i cili përshëndeti të pranishmit dhe artistët pjesëmarrës si dhe siguroi se Bashkia e Tropojës, do të ishte jo vetëm bashkëpunuese, por edhe mbështetëse e iniciativave të tilla, me vlera burimore, që mbajnë gjallë këtë kolonë të rëndësishme të ndërgjegjes dhe traditës sonë kombëtare. I tillë është edhe ky rast në vijim të dokumentimit të Kcimit të Tropojës, si pasuri e trashëgimisë sonë kulturore, e cila pritet të radhitet në pronat ndërkombëtare të UNESCO-s. Në përfundim të fjalës së tij, z. Kernaja përgëzoi edhe njëherë Mjeshtrin Haklaj dhe të gjithë artistët e Tropojës.
I pranishëm në këtë event të rëndësishëm kulturor ishte edhe Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta, i cili në fjalën e tij u shpreh: “E ku ka më bukur se ta nisësh fundjavën me energjinë e jashtëzakonshme të Kcimit të Tropojës dhe të tropojanëve fisnikë, “Me vallet më të bukura të Tropojës”, të Mjeshtrit të Madh, koreografit Skënder Haklaj”. Ndër të tjera z. Meta thekson se është thelbësore të jemi krenarë për këto thesare të trashëgimisë tonë kulturore, të ruajmë këngët, vallet e traditat dhe t’i trashëgojmë ato brez pas brezi. Kcimi i Tropojës, kjo pasuri kombëtare që shpalos vlerat patriotike, por dhe krenarinë e fisnikërinë e Alpeve tona, e meriton të promovohet më shumë dhe të bëhet pjesë e UNESCO-s.
Ky recital nuk mund të realizohej pa mbështetjen e kontributorëve, si: Bashkia e Tropojës, Albanian Internacional School si dhe valltares së mirënjohur Pranvera Vatoci./ ObserverKult