“Mbyllur për pushime”, Stefan Çapaliku promovon librin e ri

Shkrimtari edhe dramaturgu Stefan Çapaliku promovoi mes miq dhe të afërmish romanin “Mbyllur për pushime” tek instalacioni “Reja”. Në këtë roman ngjarjet ndodhin gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga dita e kapitullimit të Italisë, shtator 1943 deri me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944. Autori rrëfen, se si lind ky roman, ku historia rrëfehet me sytë e humbësve, jo të fitimtarëve

“Origjina e këtij libri ka qenë një pyetje, që më ka lind sa kam nxin mend, kur dëgjoja herë pas here, formulën; Ernest Koliqi si iku në Romë? Me kolonën e fundit gjermane. Po Mustafa Kruja, Bib Miraka etj? Përherë kam pyet veten çfarë ka qenë kolona e fundit gjermane? S’kam ditë asnjëherë t’i jap përgjigjen derisa një ditë më ra në duar romani i Karl Gurakuqit për ‘Kolonën e  fundit gjermane’. Kështu mendova që të bëj një roman që të shikoj historinë me sytë e humbësve, jo të fitimtarëve”, shprehet shkrimtari Stefan Çapaliku.

Ngjarjet zhvillohen në tre vende Beograd, Tiranë edhe Shkodër. Por, shkrimtari tregon se në fokus të romanit të tij janë fatet njerëzore, që kanë jetuar ndër kontekste të gabuara.  

“Më interesojnë fatet e njerëzve që kanë jetuar epokën në një kontekst të gabuar, jo faktet historike”.

Stefan Çapaliku është autor i trilogjisë “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, “Renzo Colllura, një artist i humbur në Shqipëri”, “Serafin Fanko, Felini i teatrit shqiptar” etj./shqiptarja.com