Më 29 dhe 30 gusht në Burgun e Idealit në Prishtinë do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

Nën moton simbolike “Çka po sheh?”, më 29 dhe 30 gusht në Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Në ditën e parë, të premten, 𝐎𝐫𝐠𝐞𝐬𝐭 𝐀𝐳𝐢𝐳𝐢 do të mbaj fjalën shqyrtuese “Montazhe të dritës dhe forma të (zh)dukjes së trupave “, e cila i kushtohet veprës «Disiplinë dhe ndëshkim» të 𝐌𝐢𝐜𝐡𝐞𝐥 𝐅𝐨𝐮𝐜𝐚𝐮𝐥𝐭, pas 50 vjet të botimit të saj. Në fjalën e Azizit, i cili është edhe përkthyes i këtij libri në shqip, ndër të tjera theksohet se: «Disiplinë dhe ndëshkim. Lindja e burgut », botuar më 1975, shumë shpejt u imponua si një libër klasik, por edhe si rilexim i modernitetit. Foucault vinte në qendër trajtimin politik të trupit, dhe tregonte ekzistencën e një estetike të disiplinave. Makina disiplinare është, mbi të gjitha, një makineri optike dhe një album gjestesh.
Montazhi është në qendër të ndërtimit të narracionit në libër, më kinematografiku i autorit.

Por kinemaja pak e ka filmuar brendinë e burgut. 𝐇𝐚𝐫𝐮𝐧 𝐅𝐚𝐫𝐨𝐜𝐤𝐢, tek «Imazhe burgu» dhe vepra të tjera ndërton një montazh analitik për të zhbiruar imazhet anonime të kamerave vrojtuese.
Por trupit të vrojtuar të disiplinës, i përgjigjët trupi i zhdukur i terrorit politik. Kalim nga pan-optizmi në an-optike. Për të filmuar kërkimin e trupit të munguar, 𝐏𝐚𝐭𝐫𝐢𝐜𝐢𝐨 𝐆𝐮𝐳𝐦𝐚𝐧, te «Nostalgjia e dritës» ndërton një montazh kozmo-melankolik, ku shikimi shkon nga nëntoka deri te konstelacionet yjore.

Të shtunën, më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, 𝐍𝐝𝐞𝐫𝐢𝐦 𝐀𝐫𝐢𝐟𝐢 (kitarë klasike) përmes «Malli i yjeve», sjell një himn për mallin, nga preludët e heshtur të Silvius Leopold Weiss dhe Miguel Llobet, te meloditë e Agustín Barrios Mangoré që kërkojnë dritë në errësirë.

Piktori 𝐌𝐞𝐧𝐭𝐨𝐫 𝐁𝐞𝐫𝐢𝐬𝐡𝐚 me ekspozitën e tij dhe me një instalacionin, kurse 𝐁𝐞𝐬𝐚 𝐁𝐞𝐫𝐛𝐞𝐫𝐢, nëpërmjet ninullave, nën thirrjen artistike «Trup i mbyllur – Trup i zhdukur», do të ndërtojnë një homazh për qindra fëmijë të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më pas 𝐔𝐣𝐤𝐚𝐧 𝐇𝐲𝐬𝐚𝐣, me filmin dokumentar «Mjegull», shpalosë historinë e disa familjarëve që jetojnë mes kujtimeve të trishta dhe pritjes së pafund; të përzier me një fije shprese se ndoshta një ditë, qoftë edhe në ëndërr, dera e oborrit të hapet dhe trupat e fëmijëve të tyre do të shfaqen… Deri atëherë do të presim…

Këto aktivitete realizohen nga organizata Molla e Kuqe, në kuadër të projektit për funksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2025. Në të dy ditët takimet fillojnë në orën 19.30.

ObserverKult


Lexo edhe:

U NDA NGA JETA AKTORI I NJOHUR, NAUN SHUNDI