U hap ekspozita personale e piktores akademike Feriha Rada, “Në valët e jetës” në ambientet e Galerisë të Artit “Rada” në Prizren.
Nga Osman Goranci
Qytetarët prizrenas dhe mysafirët e tjerë të rastit këto ditë në Galerinë “Rada” në Prizren, kanë rastin që ta vizitojnë ekspozitën personale të piktores Feriha Rada, e hapur para dy netëve, ku janë ekspozuar 26 punime artistike që shfaqin një stil të veçantë, të përjetimeve dhe të koncepteve të botës së brendshme të autores, në teknikën vaj në pëlhurë, të punuara gjatë viteve të fundit, e ku më së shumti dominojnë ngjyra e kaltër, e kuqja, e verdha dhe ngjyra e gjelbër.
“E veçanta e kësaj ekspozite që dallon nga shumë ekspozita të tjera klasike që mund t’i hasim në galeri e ndryshme, nuk është vetëm titulli, “Në valët jetës”, por edhe vetë ambienti ekspozues, si edhe pikturat e ekspozuara në Galerinë e Artit, “Rada” në Prizren, e themeluar në vitin 1995, e cila atëbotë ishte Galeria e parë private e artit në në Kosovë”, – tha në hapjen solemne Prof. Dr. Hivzi Muharremi.
“Kah mesi i viteve të 90-ta, kur skena dhe institucionet kulturore ishin nën shtypjen e ashpër të regjimit shovenist serb, Galeria e artit “Rada” në Prizren, u bë një platformë ku artistët shqiptarë mund të ekspozonin dhe të promovonin veprat e tyre artistike. Vetëm gjatë viteve 1995/1997 në këtë galeri u hapën mbi 30 ekspozita personale dhe kolektive nga artistët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, etj”, theksoi përfundoi prof. Muharremi.
Që nga viti 1979, pas diplomimit në Akademinë e Arteve në Prishtinë në degën e pikturës në klasën e prof. Nysret Salihamixhiq, Feriha Rada filloi ta trasoj rrugën e saj në botën e artit pamor. Gjatë viteve 1981/1982, ishte piktorja e parë nga Kosova e cila me sukses e përfundoi sepcializimin në Paris në Universitetin e Sorbonës, “L’Ecole du Louvre”, për pikturë dhe muzeologji, te prof. M. Arnauld Brejon de Lervergnee. Në fund të specializimit, në vitin 1982, e hapi ekspozitën e parë personale në Paris, kurse një vjet më vonë mori pjesë në ekspozitën kolektive të artistëve botëror të cilët jetonin dhe vepronin në Francë.
Është kjo ekspozita e dytë personale e piktorës prizrenase Feriha Rada, e cila në këtë cikël të prezantimit para adhuruesve të shumtë të artit, shpalosi botën e saj të brendshme, “Në valët e jetës”.
Pikturat e Radës që në takimin e parë audiencën e vënë pranë një bote të kaltër në pëlhurën e bardhë, ku me levizje konceptuale e të abstrahuara të brushes, me anë të shumë nuancave të ngjyrave të theksuara apo të hijezuara mirë, piktorja mundohet të arrij deri tek përsosshmëria e tyre. Këto nuanca edhe pse në shikim të parë mund të duken të përafërta njëra me tjetrën, janë të ndryshme, sikur dëshirojnë të shprehin copëza idilike ose ekstaze, si nga bota e saj e brendshme ashtu edhe ajo e jashtme, ku me një mjeshtri të posaçme i bashkërendon formën, hapsirën dhe vetë ngjyrën.
“Këto lëvizje me brushë në pëlhurën e bardhë, kryesisht me ngjyrën e kaltër në botëkuptimin tim artistik, i përcaktojnë gjithashtu edhe karakteristikat, me imazhe të shkëlqyera, por edhe të zbehura të jetës së përditshme, të idesë dhe të forcës time kreative. Ngjyra e kaltër jo vetëm në pikturat e mia, por edhe në qeramikë dhe tapiceri për mua është vetë jeta, sikur që është qielli dhe uji” – shprehet Feriha Rada.
Në fund të shtojmë gjatë luftës në Kosovë, paramalitarët serb, pasi për disa muaj qëndruan aty, para largimit e demoluan objektin dhe vodhën koleksionin e pasur të artit në Galerinë “Rada”, duke përfshirë qindra piktura, tapiceri, skulptura, relieve, qeramikë, etj.
ObserverKult