Më duket se po vdes sonte…

trishtim respekt Jorgo...
nikolin gurakuqi

Nga Nikolin Gurakuqi

Im atë ishte burrë i ditur, erudit, njohes i katër gjuhëve, i letërsisë, dramaturgjisë, muzikës, arteve skenike, pikturës, gjuhësisë, dhe një apasionant i madh i sporteve pa dallim disiplinash, ishte i pashëm e i fuqishëm fizikisht. Ai bënte rregullisht gjimnastikë të përditshme në koridorin e shtëpisë me një karrike ku ushtrohesh shumë për muskujt e barkut, të krahëve dhe të këmbëve.
Bënte çdo ditë banjë me ujë të ftohtë, ndërsa kur iknim me pushime në hotelet e plazhit të Durësit, bënte not krol çdo ditë, nga Hekurrudha tek Iliria e kthim. Vishej thjeshtë dhe bukur, por pa ekstravaganca.
Herë herë më shëmbëllente me aktorin e famshëm të Hollivudit Marlon Brando.
Gjithë jetën e tij nuk rreshti së lexuari e studiuari, edhe kur ishte i sëmurë.
Nuk mërzitej kurrë, kishte një durim, vullnet dhe krenari për t’u admiruar, që e shoqëruan deri në fund.
Më kujtohet mirë koha kur iu ngrit kolesteroli, dhe çohesh në 4 të mengjesit të bënte xhiron rrotull liqenit, dhe pasi kthehej në shtëpi, vijonte përkthimin e libreteve apo arieve e dueteve të ndryshme që ja kërkonin në opera këngëtarët apo në Institutin e Lartë të Arteve pedagogët e studentët.
Përkthimi ishte për të një dashuri e hershme që në rininë e parë, apo që në adoloshencë, dhe nuk ju nda kurrë deri në fund me një pasion të rrallë që sot nuk ekziston përveçse në kujtimet e bibliografëve.
Pasi mbaronte përkthimin bëhej gati për në punë dhe në 8,30 dilte nga shtëpia i larë, i rruar e i veshur me rrobat më të mira. Ai kishte një respekt të madh për të.
I papërkulur dhe nga hallet e jetës që në fund e sulmuan egërsisht me sëmundjen e papritur të mamasë, duke u kthyer në një bashkëvuajtës që i shërbeu gruas se tij me një devocion të lartë bashkshortor për disa vjet me rradhë. Ai bënte pazarin, lante rrobat në lavatriçe, gatuante, pastronte shtëpinë, si një amvisë e mirë, dhe nuk ankohej kurrë, ndonëse brenda vehtes kishte një dhimbje të madhe që e brente ngadalë në heshtje.
Megjithatë ai nuk e hoqi kurrë nga dora librin, mikun e tij më të mirë edhe në ditën e fundit të jetës.
Edhe natën e fundit të tij mbi dhe kishte lexuar në shtrat me abazhurin ndezur te koka.
Mbi komodinë i gjeta dy libra të rinj me shenjën e lexuesit në mes.
Ai lexonte paralelisht dy libra.
Këtë “ves” e kishte që në rini të tij, kur ai kishte krijuar biblotekën Gurakuqi bile edhe vulën me të cilën stamponte të gjithë librat që blinte.
Nuk e kisha menduar kurrë se do ndaheshim ashtu papritur, lajmëruar vetëm nga një telefonatë e nënës së hutuar nga shpejtësia e përceptimit të ngjarjes në orën tre të natës.
E gjeta akoma të ngrohtë tek nxirrte akoma frymën e fundit që i kishte mbetur, nga sulmi i tmerrshëm i një infarkti total akut. Kishte kohë që ankonte, por nuk vendosi të operohej, prandaj ndoshta pa dashje luajti me zjarrin, dhe e pagoi shtrenjtë pavendsmërinë e tij.
Bluzat e bardha të urgjencës, ku i takova tek shkallët e shtëpisë duke u larguar, më bënë vetëm një tundje mohuese koke, pa më thënë asnjë fjalë, duke më dhënë të kuptoja se çdo gjë kishte mbaruar.
Dhe vërtetë ishte ashtu, çdo gjë kishte mbaruar shumë shpejtë, vetëm me pak fjalë e vështrim të përhumbur:
– Më duket se po vdes sonte- i tha me zë të mekur nëns time, dhe pasi eci vetëm pesë metra, nga kolltuku në korridor, deri tek shtrati dopio në dhomë të gjumit, vuri kokën mbi jastëk, sytë i perënduan, dhe humbi në një kllap si të kishte rënë në një gropë thithëse, pa vuajtur as pesë minuta.
– Fatziut i vdes gruaja, fatlumi vdes vetë -, thonte nëna ime duke qeshur gjithnë kur ishin të dy gjallë.
Dhe im atë ishte fatlum në përballjen e fundit me jetën.
Pikërisht në çastin më të vështirë ajo e mbajti me hatër, pasi në pjesën më të madhe të saj ishte treguar shumë e padrejtë.
Por më parë ai i kreu dy detyrat e fundit pa e nxitur njeri, shkoi në kishë u lut, një ditë më parë,
ndërsa të nesërmen në temperaturën 35 gradë, i çveshur mes e lart, e me pantallona të shkurtëra,
sikur të ishte djalë i ri, pastroi barërat e këqija të kopshtit të vogël, që kishte kohë që e kishte lënë pas dore.
Nëna ime tha ende e shokuar nga humbja e papritur:
Në kishë qau vehten e vet fatlumi, ndërsa kopshtin e pastroi, se njerëzit që do vinin për ngushëllim duhej ta gjenin atë të pastër.
Ai e ksihte kuptuar se edhe pak ditë jetë kishte ndaj dhe i kreu me nxitim edhe dy detyrat e fundit të tij.
Fatlumi im baba i kurseu vehtes dy vdekjet e tmerrshme që ranë si një mal mbi ne, humbjen e shoqes, Lezinës, që aq shumë e kish dashur, gruas që e kishte adhuruar gjithë jetën, që në rininë e tij, dhe gjamën e humbjes së tmerrshme të nipit 26 vjeçar, atij që na e thau zemrën të gjithëve ne familjarëve të tij, Marsidit.
Ishe me fat baba.

ObserverKult

Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA: KANDARI I SHPIRTIT