Më ka sosur durimi për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tim…

“Unë s’kam më durim për ca gjëra, jo sepse jam bërë arrogante, por thjesht sepse kam arritur në një pikë të jetës sime ku nuk dua të humb më shumë kohë e të bëj atë që s’më pëlqen, apo çka më bën të vuaj. Mua më ka sosur durimi ndaj cinizmit, kritikave të tepruara dhe kërkesave të çdo natyre”…

Është ky një monolog që e bënë njeriun të kthejë sytë nga vetja dhe të gërmojë thellë e thellë në brendi të shpirtit. Por, monologu po vazhdon të shpërndahet ende duke ia mveshur autorësinë aktores Meryl Streep, pavarësisht se një shkrimtar portugez ka thënë se ai është autori.

Si e vendosi interneti një monolog të fuqishëm në gojën e Meryl Streep

E thjesht. Mjafton pakujdesia e dikujt, që t’a fshiejë emrin e autorit të vërtetë, të një tjetri që i teket të bashkëngjes fotografinë e Meryl Streep dhe e një dyzine të tjerësh që ta shpërndajnë në rrjetet sociale që pastaj e bëjnë të veten.

Realisht monologu ka dalë nga pena e një autorit portugez Jose Micard Teixeira, i cili është i njohur për këshillat e tija për jetën, transmeton ObserverKult.

Teixeira ka kërkuar nga ndjekësit e tij, numri i të cilëve është duke u rritur kohëve të fundit, që t’i vizitojnë faqet e njerëzve që kanë shpërndarë thënien e tij, dhe t’u kërkojnë që ta vendosin autorin e saktë.

Në mesin e atyre që e kanë shpërndarë thënien janë edhe Julian Lennon dhe këngëtari Janis Jan (165 mijë njerëz e kanë pëlqyer thënien në faqen e Ian-it dhe 150 mijë e kanë shpërndarë atë).

Por si nisi e gjithë kjo?

Monologu i “Streep-it” është postuar së pari nga një blogere rumune me emrin Ioadiceau – një grua, e cila sipas përshkrimit të saj tek “About”, duket sikur po plaket me shumë stil e qëndrim. “Asnjëherë mos harro të jesh vetja, edhe nëse kërkohet të rrezikosh”, thotë ajo.

Ioadiceau mund ta ketë gjetur monologun kudo; ai ishte postuar në Facebook në mes të korrikut nga My Inner World (Bota ime e brendshme), që është faqja zyrtare e Tuncluer Textile Industry International Trading Inc. Co. Por ai që bëri bujë, ishte versioni i postuar nga Ioadiceau.

Dikush e pa “thënien e ditës” nga Ioadiceau dhe e shpërndau, kurse pjesa tjetër është histori. Askush nuk e mori mundin të kontrollonte për autorësinë e thënies.

Prej se u shfaq autori i vërtetë, është bërë një debat i bujshëm në Facebook, edhe rreth asaj se a ka rëndësi kush e ka thënë, për faktin se dikush veçse e ka thënë, transmeton ObserverKult.

Me sa duket, disi ekziston një dëshirë e madhe që Meryl Streep të jetë pjesë e këtij monologu. Vetëm bëjeni një kërkim online tani dhe shihni atributet: “fjalë të pavdekshme të Meryl Streep.”

Në vazhdim po ua risjellim monologun e Jose Micard Teixeira që i është mveshur gojës së Meryl Streep.

Unë s’kam më durim për ca gjëra, jo sepse jam bërë arrogante, por thjesht sepse kam arritur në një pikë të jetës sime ku nuk dua të humb më shumë kohë e të bëj atë që s’më pëlqen, apo çka më bën të vuaj. 
Mua më ka sosur durimi ndaj cinizmit, kritikave të tepruara dhe kërkesave të çdo natyre. Më ka humbur vullneti për të kënaqur ata që nuk më pëlqejnë, të dua ata që nuk më duan dhe t’u buzëqesh atyre që s’u qesh buza kurrë.
Nuk kam më dëshirë të humb as edhe një minutë të vetme me gënjeshtarët dhe manipulatorët.
Kam vendosur të mos bashkëjetoj më me shtirjet, hipokrizinë, pandershmërinë dhe lavdet e tepërta.
Nuk do t’i toleroj të diturit selektivë, as akademikët arrogantë. Unë s’mund t’u përshtatem përgojimeve.
I urrej konfliktet dhe krahasimet.
Unë besoj në botën e të kundërtave dhe kjo është arsyeja pse i shmang njerëzit me personalitet të ngurtë dhe kokëfortët.
Nuk mund t’i pëlqej më miqësitë plot tradhti dhe mungesë besnikërie.
As nuk mund të vazhdoj të qëndroj me ata që nuk dinë të të bëjnë një kompliment, apo të të japin qoftë edhe një fjalë inkurajuese.
Dhe për t’a mbyllur: mua më ka sosur durimi për të gjithë ata që s’e meritojnë durimin tim…”
/ ObserverKult