“Me Lumturi Blloshmin në Venecia, për të treguar një copëz Shqipërie”

Prej ditës së pardjeshme pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias është i hapur për vizitorët. Pavijoni shqiptar prezantohet me veprat e artistes Lumturi Blloshmi.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti u shpreh se, “me Lumturi Blloshmin në Venecia, jo vetëm për të treguar për një artiste, por një copëz Shqipërie, pasi vepra e saj ishte patjetër e lidhur me kontekstin ku u krijua”.

“Lumturi Blloshmi që përfaqëson tashmë Bienalen e artit tashmë për këtë vit në Venecia, nuk është thjesht një emër, nuk është thjesht një artiste, por është patjetër për dhe një simbol. Simboli i tejkalimit dhe një simbol shqiptarie që gjithmonë ka ditur ka ditur të kalojë vështirësitë e një regjimi që vendoste njollat në biografi dhe nuk lejonte të çojë përpara ëndrrat ose mundësitë, potencialet e tua”, tha Margariti.

“Është tejkalimi i rolit të gruas, i botëkuptimit të gruas dhe si e ka përcjellë atë nëpërmjet artit të saj. Dhe patjetër është tejkalimi i atyre vështirësive fizike që Lumja nuk i shikonte si mungesa, ose si vështirësi, por që i shikonte më tepër si mundësi për të performuar”, u shpreh Margariti.

“Dhe Lumja vetë është një artiste që ka vendosur veten e saj në qendër të performacës, të artit për të përçuar mesazhet nëpërmjet artit dhe vetvetes”, theksoi Margariti.

“Dhe është për ne patjetër edhe një model i gruas shqiptare dhe të gjithë sfidave që ka kaluar gruaja shqiptare në shoqëri për të arritur sot për të vendosur nëpërmjet artit të saj një shtyllë të fortë në të gjithë arenën ndërkombëtare”, u shpreh Margariti.

Margariti shtoi se, “do kishim dashur ta kishim Lumen këtu sot dhe ta nderonim punën e saj ashtu siç ajo do kishte dëshiruar. Kemi folur gjatë me Adelën, me kuratoren për këtë mundësi ekspozite. Nuk e dimë nëse Lumja do kishte dashur të ishte këtu në Bienale. Patjetër çdo artist do ta donte një gjë të tillë”.

“Jemi krenarë që sjellim një copë shqiptarie që muret e Bienales flasin shqip nëpërmjet gjuhës së Lumes dhe që tregojnë një pjesë të këtij kombi, të sfidave që ka kaluar dhe mënyrën sesi dhe vetë gjithë kombi, dhe vetë gjithë shoqëria, dhe gratë e kësaj shoqërie kanë arritur t’i përballojnë sfidat. Të tejkalojnë ato limite që vendosen pothuajse në mënyrë jo natyrale çdo ditë”, vijoi ajo.

“Kemi pasur një mbështetje shumë të madhe në prezencë nga miqtë që kanë ardhur, jo vetëm nga Shqipëria, por nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe shumë entuziazëm edhe në miqtë ndërkombëtar që na kanë mbështetur në këtë sfidë tonën që do vazhdojë dhe do tregojë këtë copëz Shqipërie deri në 27 nëntor”, tha Margariti./ATSH


LEXO EDHE:

GATI PËR BIENALEN E VENECIAS, AUTOPORTRETE DHE NJË DOKUMENTAR NGA VETË ARTISTJA LUMTURI BLLOSHMI

ObserverKult