“Më merr frymën ky mall…” poezinë e Luan Ramës e lexon Rudina Papajani

Poezi nga Luan Rama

Ky mall më rrjedh si një shi i ngrohtë
ardhur nga qiej të tjerë,
shi nga sytë e një gruaje
peizazhe të copëtuara në njëqind imazhe,
koshere të ngrohta pëshpërimash
në ditë rendjesh, pritjesh, ikjesh
puthjesh dhe vetmish
imazhe që tani më shkasin duarsh
bashkë me fjalë që më ikin, s’dihet ku
shtegtim krillash.

Qullem i tëri në mall
dhe një lumë i ngrohtë më merr njëherësh
dhe unë i jepem të më çojë larg
aty ku shpirti do
në vende pa kufij
ku perëndimi puth agimin.

Ky mall më është bërë një nanurisje e pafund
ku buka më është me tjetër shije
dehem me frymën e tjetërkujt
në livadhet e kuajve të marrë
livadheve të botës.

Herë-herë ky mall më merr frymën
pa mundur të klith,
atëhere mbyll sytë
thërras natën pa hënë dhe ciganë
dhe verbazi nisem në udhën e njohur
ku ajri ka frymën e saj.

*Titulli i origjinalit: Mall…

ObserverKult

Luan Rama: e dashuruar
Luan Rama

Lexo edhe:

LUAN RAMA: TË GJITHA GRATË E DASHURUARA JANË TË BUKURA

“Të gjitha gratë e dashuruara janë të bukura”
më tha një ditë një plak
“Si mund të jetë ndryshe – iu përgjigja,
nga Sulamit tek e dashura më e re
gjithë dashuritë që lindin përkundin botën
e në fund si diej zhyten e përflaken në det
duke ngjizur të tjera jetë.

Dashuria tyre agimet i bën më të bukura
të kaltrën e qiellit më të thellë
të gjelbërtën e pllajave, të madhërishme,
dhe po kështu okrën e diellit mbi sy,
një sonatë diellore e zjarresh
përqafuar nga krahë shiu,
njëmijë harqe për Orfeun…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU