“Me pa në nivel zemre”, recension për librin e fundit të Halil Matoshit

halil 11


(Halil Matoshi, The Lil’s Poem, Littera, Prishtinë, 2023)

Halil Matoshi tanimë është i njohur dhe mirënjohur me poezinë e tij. Poezia e tij është sinkretike kushtimisht, me filozofitë më të njohura, me luftën çlirimtare të Kosovës, dhe me lirikën e pastër, kjo e fundit qoftë duke u dyzuar me mitologjinë, apo edhe kthim prapa në përsëritjen e historisë e festimin e poezisë, dhe qoftë si përjetim e përvojë jetësore.

ballsor hoxha

Nga Ballsor Hoxha


Kjo përmbledhje në fjalë hapet dhe hyn në botën e poezisë me dashurinë, duke e parë atë nga buzëqeshja fëmijërore (si Halili i vogël) nga subjektivja infantile, në dashurinë e jetës, dhe në fund të nënës, si dyzim kujtimi, dhe shpirtëroreje. Më tutje ajo vazhdon me përjetimet në kalvaret e luftës dhe me vetë luftën çlirimtare të Kosovës, gjithmonë me idealin e paqes dhe të skepticizmit në njeriun e bartur nga ligësia (e një zoti si konstruksion mizor). Përmbledhja, për të kaluar tutje, vazhdon në një temë tjetër, atë të rebelimit, dhe të revoltës, dhe të ëndërrimit, si kompleks i humbjes dhe mungesës së artistëve të mëdhenj kosovar, tanimë të vdekur, si Bekim Lumi, Xhevdet Bajraj, e të tjerë. Dhe në fund të kësaj përmbledhje të poezive, Matoshi i kthehet poezisë në formë të nokturneve, duke e elaboruar atë në tema mitologjike të një zoti “që na ka mbetë si konstruksion” dhe aq më shumë mizor në këtë konstruksion, apo edhe të temës së maratonomakut të parë në dërmimin nga e sotshmja.
Matoshi gjen mjeshtërisht buzëqeshjen infantile, si prezencë e zotit, dhe tërësisë së universit, aq më shumë brenda kësaj hyrjeje ka një varg ku thuhet se ekzistojnë “vetëm një palë sy që buzëqeshin, por ajo, buzëqeshja është e kudondodhshme si hologram” këtu duke unisuar dhe duke e kthyer buzëqeshjen nga pronësia njerëzore në diçka universale që i jetësohet çdokujt prej përbrenda.
Matoshi e nisë përmbledhjen pikërisht me buzëqeshjen si fenomen që “e kthen rrufenë e luftës prapa”. Më tutje, për Matoshin, dashuria është një arbitraritet, aq më shumë që ajo është arbitrare si poezia, por a nuk është ky një paradoks me filozofinë e ekzistencës. Apo, shikuar ndryshe, një determinim, determinizëm – njeriu i pafuqi përballë dashurisë, përballë poezisë! E kjo si shenjtëri (Jo religjioze) universale.
Kur Matoshi i kthehet prapë dashurisë, këtë herë nisur nga fëmijëria, këtë herë duke u kthyer në fëmijëri, ai zbulon magjinë e tij të depërtimit brenda trupave, për me “i mbrri të parët”, siç edhe thotë në poezinë paraprake mbi dashurinë, në bukurinë e vargut “dashuria është ana e ndritshme e çmendurisë”.

halil matoshi

Matoshi, i rikthehet subjektit të nanës, dhe në këtë, ajo është lojë ndërmjet magjisë së kujtimit dhe harresës, në të vërtetë dhembje e përhershme e mungesës së saj. E mungesa pikërisht loja e lindur nga dhembja.
Pastaj Matoshi vazhdon me lindjen e Zotit, nga asgjëja, Ex Nihilio, dhe më tutje lindjen e ligësisë në njeriun me “vrasjen e zotit”, gjë që i la njeriut trashëgim luftën e përhershme me njëri- tjetrin.
Poezia e titulluar “Lekcion” është poezi rebelimi, por edhe revolte, dhe në të njëjtën kohë poezi e paradoksit të individit brenda turmës:
Nuk ka të vërteta veç pikëpamje
Mos msyj zgjidhje përfundimtare
Për kurrnisen’
Ti ende je njeri!

Një nga strofat më të rëndësishme të filozofisë së Matoshit, në poezinë e tij dhe në veprimtarinë e tij, mund të gjendet këtu. Si papërcaktueshmëri, si pafundësi vazhdimësie, derisa njeriu është ‘ende’ vetëm njeri.
Në përmbyllje të këtij leximi të kësaj përmbledhjeje, do të kishim zgjedhur dy vargje të tij, “me e pa botën prej naltësisë së zemrës”; dhe atë nga paragrafi paraprak, duke iu drejtuar njeriut “ti ende je njeri”, gjë që në këtë lexim janë si dyzim i kërkimit poetik të Matoshit, njeriu duke e parë botën nga “maja e malit të zemrës” (thënë në gjuhë poetike), por me porosinë se, ai megjithatë është ‘ende’ njeri, gjë që jehon njerëzoren, humanen, dhe vazhdimësinë e krijimit të njeriut dhe të njerëzores bashkë me atë, nga lartësia e zemrës njerëzore.

ObserverKult

Kliko edhe:

LITTERA: HALIL MATOSHI FLET PËR LIBRIN E FUNDIT ME POEZI “THE LIL’S POEM”(VIDEO)

“TË BURGUEMIT NUK THYHEN”/ CIKËL POETIK NGA LIBRI I RI I HALIL MATOSHIT