Do të ishte mjaft e vështirë që një shekull Tiranë kryeqytet të rrëfehej përmes godinave foshnjë, sado luksoze qofshin ato.
Esenca, parfumi arkitektonik i së shkuarës është çka i jep vlerë historisë së qytetit kryesor të shtetit shqiptar, si pikë kyçe administrative, politike e kulturore. Për të treguar Tiranën në këtë vit jubilar, arkitekti Andi Papastefani fikson gjatë tri viteve të fundit në një kolazh skicash 100 objekte të saj, të ndërtuara në vitet 1920-1959.
Çdo skicë realizohet në jo më shumë se 3 orë dhe i shmanget synimit për t’u perfeksionuar. Secila prej tyre zhvishet nga mbingarkesat piktorike (është përdorur laps, flamastër, pastel) duke mbetur në thelb sa besnike e realitetit, aq edhe shpirtërore e poetike.
“Duke qenë objekte të vjetra që vërtiten në pleqërinë e tyre, edhe fotografia është realiste. Është po ashtu emocionale dhe unë tregohem subjektiv duke lënë diçka jashtë e duke theksuar një element tjetër”, shprehet Papastefani për “Panoramën”.
Në këto 100 skica haset një larmishmëri shembujsh ndërtimorë, edhe pse modestë, siç tregon arkitekti. “Përveç ndërtimeve tradicionale të Tiranës, kryesisht prej qerpiçi dhe me skelet druri, kemi ndërtesa me një shumëllojshmëri stilesh dhe influencash: me elemente të stilit barok, me detaje neoklasikë, me ndikim europiani qendror, me elemente të arkitekturës alpine, sipas stilit art depo, të stilit modern, racionalist etj.
Duhet theksuar se shembuj të arkitekturës moderne u ndërtuan në Tiranë pothuajse në të njëjtën kohë me qytete dhe metropole të konsoliduara në botë”, shprehet ai. Periudha 39-vjeçare në të cilën lindin këto objekte i takon një brezi më të hershëm dhe ato pa dyshim shërbejnë edhe si një urë më shumë lidhëse me historinë e viteve 1920-1959, arkitektëve që bënë Tiranën në atë kohë, ngjarjet, mënyrën e jetesës etj.
“Duke qenë se duhet të punoja me një periudhë, të cilën nuk e kisha jetuar, përveç dokumentacionit, jam mbështetur edhe tek objektet që qëndrojnë në këmbë”, shprehet arkitekti.
“Njolla të kuqe” në hartë për objektet që “s’jetojnë” më
Nga 100 objekte identifikuese të Tiranës si kryeqytet që Papastefani skicoi në 3 vite, 6 prej tyre në hartë i paraqet me “njolla të kuqe”. Bëhet fjalë për objekte të shembura jo aksidentalisht, por me pretendimin e qeverisë se mungesa apo zëvendësimi i tyre do t’i hapë rrugë zhvillimit të kryeqytetit.
Teatrin Kombëtar e ka skicuar 2 vite më parë, duke i rikthyer pak nga hijeshia e projektit fillestar, ndërsa godinat e tjera që iu hoqën qytetit me më pak zhurmë janë ajo e Selisë së Dytë të Misionit Diplomatik Gjerman në Shqipëri e të tjera objekte tradicionale. “Një prej skicave paraqet një banesë me qerpiç, që ka qenë pranë maternitetit. Ka qenë e suvatuar me detaje arkitektonike të viteve ’20. Ndërtesa tjetër ka qenë pranë Rrugës së Dibrës, vepër e një arkitekti shqiptar… Këtë vit u shemb edhe një nga objektet e para që i takon 1920-ës, një vilë e gjendur pranë Medresesë”, thotë Papastefani.
Perceptimi i tij për mënyrën sesi po trajtohet trashëgimia kulturore është i ndikuar edhe nga përvoja jetësore e akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ndonëse kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, pas viteve ’90 emigrova. Përvoja jashtë më ka mësuar ta shikoj problemin në mënyrë më globale, se si vendet e tjera qasen ndaj trashëgimisë kulturore. Ndonëse më duhet ta pranoj se ka dëme serioze, unë e shmang pesimizmin dhe mendoj se duhet të shikojmë se çfarë mund të bëhet për më tej. Tirana kryeqytet nis me një popullsi prej 12 mijë banorësh, ndërsa sot ka arritur në një milion. Nga ana tjetër, ne tregohemi të pakujdesshëm ndaj këtyre vlerave. Nuk jemi koleksionistë të tyre, përkundrazi, prodhojmë mesatarisht ose më pak dhe njëherazi jemi shpërdorues. Mirëpo, skema që duhet të ndjekim është e thjeshtë. Duhen përcaktuar banesat e çdo periudhe dhe më pas të ruhen”.
Papastefani shprehet se ruajtja dhe mirëmbajtja e këtyre objekteve është një nismë që do ndihet në buxhetin e një shteti me ekonomi të brishtë, e megjithatë humbja e tyre do t’i rëndonte një vendi si i yni, me arkitekturë relativisht të varfër. “Njeriu ndien keqardhje edhe kur shembet një kasolle. Prezervimi dhe ruajtja e objekteve të vjetra është në thelb konservatore, megjithatë ajo ka shumë rëndësi sepse lidhet me identitetin. Nëse vëmë re, në SHBA qyteti më i vjetër është afro 500-vjeçar, mirëpo aty ka ndërtesa të panumërta 300 apo 200- vjeçare. Ndonëse qytetet zhvillohen, përparojnë, shtresat historike ruhen për të treguar se ku ishin, ku janë dhe ku do të shkojnë…”
Si do të jetë Tirana pas 100 vjetësh?
I laureuar për hapësirat e gjelbëruara në Universitetin e Harvardit, pas formimit si arkitekt në Shqipëri, Andi Papastefani nuk mund të linte pa prekur këtë aspekt të debatueshëm të Tiranës kryeqytet, që është edhe pjesë e punës së tij të përditshme. Përmes skicave ai risjell Tiranën e një shekulli më parë, të gjelbëruar. “Përpos gjelbërimit të parë që u bë tek Ura e Tabakëve, ka pasur një pjesë të gjelbëruar pranë Pallatit të Brigadave e të tjera… Të gjitha këto i kam sjellë për të thënë se gjelbërimi është mushkëria e një qyteti. Deri tani ne jemi me një mushkri, kemi vetëm Parkun e Liqenit Artificial, por në vitet 1920- 1959 ka pasur një proporcion shumë të mirë gjelbërimi”, tregon ai.
Ndërgjegjësimin nuk e pret nga maja e hierarkisë së pushtetit, por nga brezi i ri që po rritet. “Mendoj se duhet të vihet në fokus edukimi ekologjik i të rinjve. Të përfshihet kjo që në 9-vjeçare. Në momentin që realizohet një park lodrash me pllaka betoni, të rinjtë të thonë: Faleminderit, por ne e duam me dhe, jo me beton. Fjala e të riut, adoleshentit është më e fortë se dhjetëra polemika, sepse politikanët e kanë lëkurën të trashë si të krokodilit dhe duhet të dish ku t’i godasësh më mirë”.
Ndonëse edhe në albumin e tij, dhuratë Tiranës, në këtë 100-vjetor kryeqytet, ai shprehet i vetëdijshëm për plagët që Tirana ka marrë në dekada, thotë se e ardhmja i takon një brezi të ndërgjegjësuar për domosdoshmërinë e një jetese të pasur ekologjike dhe ruajtjen e identitetit tonë. Sa i përket Tiranës pas 100 vitesh, Papastefani shton: “Uroj që të paktën gjysma e objekteve që kam skicuar të jetë edhe në 100-vjeçarin e dytë”./Anila Dedaj, Panorama