
Nga Mehmet Elezi
Qasja te Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe (FMGJSH), që ka hedhur Akademia në linjë, nuk premton shumë entuziazëm. Ende pa dalë në jetë, foshnja ka hije në mushkëri. Nuk u arrit bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës.
Parimet e ndërtimit të punës, rreth të cilave u ngjiz mosmarrëveshja ndërmjet dy akademive, janë çështje themelore për vërtetësinë e Fjalorit; duhej ulur për të gjetur kompromis. Dhe për të thirrur “nën armë” kontribuesit më qenësorë për gjuhën shqipe, pavarësisht nga krahu politik a kauzat që mbron njëri ose tjetri.
I takonte Tiranës me e trajtue Prishtinën si të barabartë. Sepse është e barabartë.
TRI RISITË E PRITSHME TË FJALORIT
Mendoj se tri risi priteshin nga FMGJSH:
- Shpjegimi i fjalëve me filozofinë e një shoqërie të lirë.
- Hapje gjithëpërfshirëse për thesarin e fjalësit nga krejt trevat, brenda e jashtë “Shqipërisë Londineze”. Pa privilegjuar, pa paragjykuar.
- Metodologji bashkëkohore në paraqitje dhe shpjegim, përfshi etimologjinë dhe ilustrime me citime nga autorë e vepra të mëdha.
Në hartimin e një fjalori punohet si në futboll. Mund të derdhë shumë përvojë e energji një gjuhëtar “kapiten”, mund të shkërmoqet duke vrapuar titullari a titullarët, por duhet edhe ekip cilësor me mbështetja të qëndrueshme financiare. Dëmi është i madh kur lojtarë voglanë vishen me kostumin e Akademisë. Disave u rri tepër i madh, duken si Gjinoja i filmit të Anagnostit “Përrallë nga e kaluara”.
Të krijohet përshtypja se lënda e FMGJSH rrudhet nga një psherëtimë e thatë: mos duhet mbajtur dora, mos po i bëjmë shumë “lëshime” gegërishtes e po cenojmë standardin? Për dikë kjo mund të jetë bindje. Për dikë mund të jetë trajtë e vetëcensurës, që buthton edhe nga shtresimet e nënvetëdijes.
Gjithsesi çështja i kapërcen përmasat e standardit. Në fjalorët e Akademisë (2002, 2006) u ndryshuan disa formulime që kërcisnin, por thellësitë pak u prekën. Në mjaft raste njëanshmëria kishte mbërri deri te parapëlqimi i fjalëve të huaja, në vend të fjalëve të mirëfillta shqipe në gegërisht. Për këtë mendjengushtësi të rrezikshme, që e shtyn shqipen drejt tkurrjes e tjetërsimit, nuk është përgjegjës standardi, me gjithë të metat thelbësore që ka ai. Kongresi i Drejtshkrimit (1972) përcaktoi normën, e kodifikoi atë, por në vendimet e tij nuk gjinden kufizime për fjalësin.
Vjelja e fjalës shqipe ku të jetë, në qendra të ndriçuara urbane a në katunde të shmangura këndej a andej kufijve shtetërorë, nuk parakupton shumatore arithmetike. Parakupton përzgjedhje vlerash. Me përparësi fjalët e shpërfillura:
– të burimit indoeuropian të shqipes;
– të brumit të brendshëm të shqipes;
– të ngulitura prej kohësh, me kuptime ose ngjyresa të veçanta;
– të lidhura me emërvende (toponime) të moçme; e të tjera.
Pas vjeljes, shtjellim i çliruar nga çdo ndikim jashtëgjuhësor.
Kishte strategji të gjithëpërfshirjes? Lënda e disa fjalorëve me fjalë të rralla ose me fjalë të shpërfillura, botuar këto vjet jo nga Akademia, është e përpunuar përgjithësisht me kritere profesionale. Mbetej vetëm zgjat dorën e merr. Po veprat me lëndë folklorike të Anton Çettës, Visaret e Kombit, ku bën pjesë edhe Eposi, Përrallat Komtare të Atë Donat Kurtit, Kanuni i Lekë Dukagjinit e Kanuni i Skandërbegut, (s)a janë vjelë? Romane e poezi autorësh të traditës e bashkëkohorë, që shquhen për prurje gjuhësore, (s)a janë vjelë?
Pritshmëritë ishin për të mundshmen e FMGJSH, jo për të dëshiruarën.
SHPIRTI I FJALORIT 1980
Vërejtjet rreth FMGJSH në linjë, kanë qenë për shpjegimin e disa fjalëve të veçanta. Mund të sillen sa të duash dëshmi si mbijeton aty shpirti i Fjalorit 1980. Për shembull:
TË DREJTAT E NJERIUT. Ky togfjalësh mungon fare si koncept, FMGJSH nuk e trajton. Sepse mungon edhe te baba Fjalori 1980.
SUPERFUQI. Fjalori 1980 e përcakton: “shtet me fuqi të madhe ekonomike e ushtarake, që përpiqet të vendosë sundimin në gjithë botën nëpërmjet agresionit…”. FMGJSH merr me copy paste shpjegimin 1980, duke prerë me gërshërë vijimin që flet për agresion, kaq. Sipas përkufizimit të FMGJSH, vetëm në Europë duhet të jenë nja dhjetë superfuqi. Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Spanja, tashmë edhe Polonia, a nuk janë “shtete me fuqi të madhe ekonomike e ushtarake”? Po Rusia e Turqia?
KAMP. Fjalori flet për kampet e përqendrimit “nga ana e pushtuesve nazistë e fashistë”, por nuk bëzan për kampet me mija të internuar të komunizmit.
KOLEKTIVIZIM. Sipas FMGJSH: “Bashkim i punës dhe i mjeteve të prodhimit (në vende ku mungon pluralizmi)”. Ç’lidhje ka kolektivizimi me pluralizmin? Në Izrael ka pluralizëm, ka edhe kolektivizim në kibuce; pluralizëm (kinez) ka edhe në Kinë. Asnjë pipëtimë për kolektivizimin total në regjimin komunist.
KANUN. Heshtje e plotë në FMGJSH për rolin e tij historik të tij si kushtetutë, kod penal e kod civil, si shtet paralel plotësisht funksional pa aparat shtrëngues, që sfidoi pushtuesit nëpër qindvjeçarë, duke mbrojtur identitetin kombëtar. Fjalori ia bën portretin me fjalët e baba Fjalorit 1980, i jep edhe një goditje nën brez nga vetja. Thotë se tërësia e normave e zakoneve të Kanunit zbatoheshin “dogmatikisht nga gjithë popullsia…” (fjalëndogmatikisht vetë Fjalori s’e ka)!
FJALËT PREJ EMËRVENDEVE
Çabej vlerëson veçanërisht zbërthimin gjuhësor të emërvendeve, i cili zbardh evoluimin e gjuhës dhe dëshmon autoktoninë tonë. Në Leqet e Hotit, në Malsi të Madhe, shpalohet pamja mahnitëse e Luginës së Cemit përmes bjeshkëve. Ç’do të thotë ky emër?
LÉQ/E, – JA: “Kthesë rruge ose lumi, e fortë, 180 gradë” (frengjisht méandre). E burimit indeuropian të shqipes, shumësi i njëjësizuar (singularizuar) i lak. Del edhe nëpër emërvende të tjera: Leqet e Bashajve, Leqet e Milloshit, mbi Dragobi, dhe në mikrotoponime. Del në mallkime: Iu preftë leqja! Në fjalë të urta: Çdo mal ka leqet e veta. Prej saj emrat leqore, leqakim; foljet leqakoj, leqoj, leqohem; mbiemrat i lequar, leqe-leqe; ndajfoljaleqe-leqe.
FMGJSH ka vetëm homonimin leqe “njollë”, fjalë e vjetëruar perse, hyrë përmes turqishtes; dhe foljen po aq të harruar, leqetis “njolloj”.Fjalën shqipe leqe, e gjallë në gjuhën e përditshme e në emërvende, Fjalori s’e njeh.
Në Valbonë është Fusha e Gjêsë, log ku kurthohen gazetarët: e pagëzojnë Fusha e Gjësë dhe “sqarojnë”: “Fusha e Bagëtive”, pa e kuptuar se kështu e bëjnë ujkun dele.
GJE, – JA, emër kolektiv. Kuptimi: “bishat, egërsirat mishngrënëse”. Lidhet me foljen gjuaj, e burimit indoeuropian. Del në emërvende, në shprehje frazeologjike, në fjalë të urta, në Epos: “Kurrkund gje me sy s’kanë mujtë me pa…”(Muji e Behuri) dhe në letërsinë artistike (Fishta gjae). Prej saj, folje kalimtare dhe vetvetore. Gjetoj “dal për gjueti”. “Me gjetue krajli kish dalë…” (Eposi). “Me langue të lidhun nuk gjetohet”, fjalë e urtë. Mbiemri gjetar, – e , sidomos për kafshët. Për FMGJSH këto s’ekzisojnë.
KERSH, – I(edhekesh, sizharg/ zhag), sinonim i shkëmb. Në shumë emra bjeshkësh e në mikrotoponime: Kershi i Kocajve, Kershi i Vujkit, Kershat e Kuq, Kershat e Vrajaçës e dhjetëra të tjera në bjeshkët e Veriut. Prej kersh, emri kërshinë, “shpatinë me gurë e bar e shkurre, e mirë për kullosë”; edhe emër i përveçëm: Kërshina e Makës, Kërshina e Magjupit (në Bishevë, mbi Bajram Curr). Del në këngë popullore, në fjalë të urta, në eufemizma, në shprehje frazeologjike; si mbiemër: tokë kersh “tokë shkëmbore”.
Në Fjalorin e vitit 1954 ka qenë emri karsh, është fshirë. Çabej hedh idenë se kersh mund të jetë shumës i njëjësuar i karsh, fjalë vendi, që serbishtja e ka marrë prej shqipes, siç ka marrë škrapa, prej shkrep. S’e ka Fjalori 1980. S’e ka as FMGJSH.
FJALORI SI PASQYRË QYTETËRIMI
Fjalët që shprehin nocione abstrakte e kozmogonike, për hapësirën e kohën, dëshmojnë shkallën e të menduarit abstrakt të një populli. Bashkë me caqet (termat) politike, administrative, ekonomike e kulturore dëshmojnë edhe shkallën e qytetërimit. Gjuha shqipe është e pasur me këto. Gjinden sidomos te Fjalori i Gazullit e te një fjalor i botuar në vitet 2000; janë trajtuar në libra studimorë për gjuhën.
Në FMGJSH përfshihen për herë të parë fjalë si amëtyrë (nga amë} “natyrë”, “karakter”; hanor (nga hanë), mjet që tregon kohën, orë; rrokulli “gjithësi” (Fishta edhe për “orbitë”). I paqartë kriteri i përzgjedhjes së tyre, ngjan se më fort ka qenë vullneti i gjuhëtarëve të caktuar sesa strategji reale, funksionale. Për fjalën horizont shqipja ka katër sinonime: lëpen, lëbozë, lëpith dhe togfjalëshi mballim syni. Dalin te Koliqi, te M. Camaj, te A. Harapi. Tri të parat prej lëpé “mjegull e hollë, tis”, përshtypja që le pafundësia e qiellit. Nëse horizont në gjuhët e vjetra ka pikënisje nocionin “kufi”, në shqip është e kundërta: mungesa e kufizimit, lëpeja e pafundësisë së qiellit le gjithçka çelë. Edhe për kah koncepti, terma krejt origjinalë. FMGJSH i ka “harruar”.
Përfshihen edhe caqe juridike nga e drejta dokesore, por nuk dihet pse janë bërryluar fjalë si kjuer/ kjor “bashkëpunëtor në vjedhje”, në kuptim më të gjerë “bashkëpunëtor në krim”. Fjalë e burimit indoeuropian, del qysh në 1635 te Frang Bardhi. “Baraz cubi, baraz kjori”, thuhet në Kanun. Për fjalën krim, e njëllojtë në gjuhët kryesore europiane, shqipja ka të vetën: gja, – ji (me sa duket lidhet me gjojë, gjueti). Fjala e urtë “Djali qi s’ndigjon t’an, del në rrugë e bân gjan; djali qi s’ndigjon t’amën, del në rrugë e bân gjamën”. Fjala kapucar në Fjalor shpjegohet “spiun”, me kuptim më të gjerë, “dedektiv”.Pritet dita e dasmës e thirren krushqit, për arsye madhore dasma s’do të bëhet, del detyra me i çthirrë/ shthirrë krushqit, caktohen njerëzit për çthirrje. Nga etnografia në drejtësi, këto fjalë mund të zëvendësojnë termat revokoj, revokim. FMGJSH s’i ka.
Nga ekonomia e tregut Fjalori i ka pasqyruar fjalët shqipe për borxhin – përlim, për pensionin: ngoje, mëngoje, për fajdet ose kamatën – gjedheshtër (anipse ilustrimi të çudit: Ndalohet gjedheshtra për huat për blerje veglash makine! Ndihmojnë kjo fjali me e përkapë kuptimin e gjedheshtër?). Do të tjerave, që shprehin kapitalin / investimin fillestar, konkurrencën, reklamat, pagesën me pare në dorë, kompensimin, punën si ortak biznesi, s’dihet pse u është vënë bërryli. Për një fjalë në fjalorët normativë të frengjishtes vendos Akademia Franceze, te ne secili kryenëveti? (Edhe ndajfolja kryenëveti mungon në Fjalor).
Nga anatomia, trupi e shëndeti vështirë përligjet lënia jashtë e fjalëve si mullith (prej mulli) – “stomak”; mënyth (prej nyjë) – “kallo, polip”; lofkë (prej lëvore) – “valvul e zemrës”; spirrëgjake (prej spirrë + gjak) – “dizanteri”; të prekurit, eufemizëm për tuberkulozin; klemëz (prej foljes lej “lind” me parashtesën k) – “organi femëror, vaginë”; rruzare (prej rruaz) – “e virgjër”; lidht, – i (prej lidh) – “eunuk”.
Prej mekanikës e shkencave të natyrës janë lënë sjellç (ga sjellë) – “helikë”; nënkambcë (prej nën kambë) fjalë e vegjëve – “pedal”; endc, ngallec (përkatësisht prej end, ngalli) – “embrion”; njeh, – u (e burimit indoeuropian) – “numër” (Gazulli); kacu prej cung me parashtesën ka) dhe verrle – “kon”; rrokullare, përrethinë – “perimetër”…
Në informatikë ka prirje me përshtatë fjalë shqip. Për klikoj: – çukit. Për USB: – gisht, çelës. Për buton: – syth. Për link: – lidhje, vegëz. Këto nuk janë te FMGJSH. Nuk është as emri vegëz, anipse i gjallë në gjashtë kuptime edhe si ndajfolje, në fjalë të urta e në frazeologji.
Nga arti e sporti janë shmangur kambëcor (prej kambë) – “piedestal”; katranzë (prej katër anë) – “tabllo, kornizë”; grrath (krahaso gërrith) – “pirografi”; rrethak – “ring”; rrakela – “patina”; caktar (nga cak) – “gjyqtar i ndeshjes”, këtë Fjalori e ka në një kuptim të ngushtë; kalore (nga kalë) – “hipodrom”…
FJALË IDENTITARE PA PASAPORTË
FMGJSH tëhuajson fjalë identitare nga etnografia.
TIRQ, – IT. E burimit indoeuropian, del qysh te F. Bardhi. Pjesë dalluese e veshjes kombëtare. Ka qenë në Fjalorin e 1954-s, më pas u përzu. Në FMGJSH s’e gjen dot: e kanë rrasur te tirk, si kuptim të tretë, marrë me copy paste nga Fjalori 1980. Ndërkohë sinonimet çidikë, gjidikë, çakçirë, prej turqishtes, trajtohen si fjalë të veçanta. Në raste identike sende pa rëndësi shenohen si fjalë më vete. Emri llastikë, p.sh., “këpucë prej llastiku…”, ndryshe nga ç’veprohet me tirq, nuk shenohet te emri llastik, por si fjalë e veçantë.
GJAM/Ë, – A. Vajtim burrash, me regji rreptësisht të përcaktuar deri në imtësi. Rrënjët e kësaj dokeje Kadareja i lidh me tragjeditë e moçme greke. Del në fjalë të urta, në mallkime, në frazeologji. Fjalori i 1954-s e ka, edhe foljen gjamoj, më pas e kryqëzon. Në FMGJSH është vetëm gjëmë, – a, “vajtim me britma në rast vdekjeje, britmë vajtuese”, pa veçanti, pa identitet.Ndërkohë FMGJSH ka gjamatar, prejgjamë. Si jo pak herë, pranohet pjella (gjamatar), por jo ama që e polli (gjamë).
Gjamë ka edhe kuptimin “rënkim nga vuajtje fizike ose shpirtërore”, qysh te Buzuku në këtë kuptim. Prej saj folja gjimoj. “Bylbyl i vorfën/ Pse po gjimon?” (Mjeda, Vaji i Bylbylit). Në FMGJSH ka vend edhe për gjëmoj “gjurmoj”, që s’është tjetër veçse keqshqiptim i gjurmoj, por jo për një doke madhështore si gjama.
PAM/E, – JA (E). Ditët e caktuara – dikur tri, shtatë, për raste fort të dhimbshme deri në shtatë javë – me pritë ngushëllime për vdekje, dhe ritet përkatëse. FMGJSH s’e ka.
PÁNË, – T (TË) emër asnjanës. Shkuarja e nuses për disa ditë në gjini. Të panë së pari – shkuarja e nuses në gjini për herë të parë pas martesës. Ndryshon nga të panët e zakonshëm, shoqërohet me ceremoni mes dy familjeve.
FMGJSH ka vetëm parë, – t (të): “Vajtja e nuses për herë të parë te prindërit e vet… Vajtja për kryeshëndoshë…”. Të njëjtën fjalë si për nusen si për vdekjen!
FJALORI DHE TRYEZA E BUKËS, SI KULTURË
Kultura e të ushqyerit është pjesë thelbësore e jetës; nëse më shumë se gjysma e shqiptarëve s’e gjejnë kuzhinën e tyre në FMGJSH, a mund të thuhet se është lënë pas njëanshmëria në atë fjalor? Dukuria vërehet edhe te elemente të mënyrës së jetesës, të etnografisë, të mjedisit rrethues e të tjera. Në hapësirat e Shqipërisë së Veriut, të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi, në sofrën që nderon mikun, në dasma e në ditë gëzimi, nuk mungojnë kurrë mishi dhe pitja ose flia, diku e parë është njëra, diku tjetra.
FLI, – A.Fjalë e studiuar nga Majeri (Meyer), Jokli, Çabej, I. Ajeti. Ka hyrë në këngë popullore, në gjëza, në bestytni. Tashmë shërbehet fli edhe në disa restorante në Tiranë. Faqja për kulinari, Taste Atlas, flinë e ve të parën midis hajeve të kuzhinës shqiptare (Balkanweb, 20. 07. 2018, http://www.balkanweb.com/?s=taste+atlas). FMGJSH s’e njeh.
PIT/E, – JA.Sipas FMGJSH,kuptimi 3,“byrek i gatuar me petë të holla, me gjalpë, me vezë, me kos, me djathë etj.”. Pra pa mish, pa perime. Shpjegim i saktë, por vetë Fjalori e rrëzon fill pas me fjalinë ilustruese: “Pite me bishta qepe”!
Ato “me bishta qepe” nuk quhen pite. Quhen lakror përkatësisht me qepë, me kungull, me hitha, me... Për secilin ka emër të veçantë. Hithnik (lakror me hitha), del edhe në frazeologji. Asht si hithnik me hitha të vjetrathuhet për një njeri të pakëndshëm. Fjalori i madh ka njëmbëdhjetë sinonime për lakror, porhithnik, kungullor e të tjerët s’i ka.
MISH, – I. I pari në krejt hapësirat shqiptare. Dallimi bëhet te ato që quhen shenja. Fjalori 1980 për shenjë, pika 12, shkruan: “Pjesët më të mira të një mishi të pjekur (bishti, shpatullat, veshkat), që i vihen para mikut për nderim…”. Por te dy të tretat e shqiptarëve shenja kryesore, me të cilën nderohet miku, nuk është bishti, është kryet e berrit. E kishte vënë re një studiues i ri gjirokastrit, E. Çabej, qysh më 1943, kur në “Një vështrim mbi folklorin shqiptar” shkruan: “Në Veri mikut i vihet përpara kryet e berrit, në Jug, që nga Shpati e poshtë, i vihet bishti i majmë”. Në FMGJSH, te shenjë, pika 13, është marrë me copy paste përkufizimi nga baba Fjalori 1980, ku vlerësohet vetëm bishti. Koka kurkund.
ÇERVISH, – I (QERVISH, – I). Sipas FMGJSH, “qull që bëhet me miell të skuqur, me kripë, gjalpë e me hudhra”. Fjali ilustruese: Qofte me çervish. Jo! Qervishi bëhet vetëm me pulë. Hyn te gatesat e zgjedhura, ta quash qull e fyen mikpritësin. Kallëzon fjala e urtë: “Nuk jam ardhë për çorbë e qervish, po për Daut Ibish”:nuk vij me hangër haje në zë, vij me ndenjë me burra në zë.
ÇORB/Ë, – A.Në FMGJSH “supë e trashë që gatuhet zakonisht me oriz ose me makarona të holla dhe me përbrendësa bagëtish”. Në veri të Shqipërisë e në Kosovë çorba nuk është supë, nuk gatuhet me makarona e oriz as me përbrendësa bagëtish. Gatuhet me miell të fërguar, vetëm me mëlçi qingji ose keci. Përsëri fjala e urtë “Nuk jam ardhë për çorbë e qervish, po për Daut Ibish”.
MAZË E ZIEME(E ZIER).Te fjala mazë 4 FMGJSH shpjegon: “gatesë e përgatitur me miell misri të skuqur në gjalpë e me ujë valë, së cilës i shtihet edhe djathë ose mjaltë”. 1. Njësoj si të thuash buka egrurit gatuhet me miell misri. Sepse maza e zieme gatuhet me mazë, jo me gjalpë. 2. Nuk “i shtihet” djathë, por pshere, FMGJSH e ka fjalën pshere. 3. Kjo haje quhet me togfjalëshin mazë e zieme, jo thjeshtmazë. Këtu mbiemri e zieme s’ka të njëjtin kuptim si te patate e zier. Maza e zieme ndryshon nga maza në strukturë, shumica e përbërësve të saj nuk janë prej maze dhe ajo nuk përftohet nga një zierje klasike me ujë.
NGJYEM, – I.Në FMGJSH “lëng që hahet duke u ngjyer me kafshatë”. Lëng kripe, lëng mishi, lëng groshe apo çfarë? Në kuzhinën ku përdoret ngjyemi, “lëng që hahet duke u ngjyer me kafshatë” ka kuptimin “shëllirë”. Ha bukë e lang: “ha bukë e shëllirë”.
Ka disa lloje ngjyemi si dimnishte (zahire): ngjyem me speca të shtruar me mazë, me kos të kulluar ose me gjizë. Ka ngjyem të shpejtë me pshere; ngjyem fërgesë me speca, me suxhuk, me qofte. Asnjëri “lëng”.
Në FMGJSH jo vetëm ngjyemi thjeshtohet në “lëng”, edhe rasoji.
RASOJ, – I. Sipas FMGJSH, “lëngu i lakrave turshi, që përdoret për të pirë”. S’ka njeri që mund ta pijë lëngun e lakrave turshi të bëra në shtëpi, është aq i kripur!
Rasojika edhe lëng, por nuk është lëng. Bëhet me lakra të grira ose të pagrira, përpunuar me një të katërtën e kripës që duhet për turshi dhe me elemente tharmëtuese. Lëngu i rasojit pihet si limonadë, lakrat hahen siç janë ose të ziera me mish të thatë, gjellë e afërt me shukrutën (choucroute), te gjermanët e francezët. Edhe mbiemër: lakna rasoj.
SHTALB, – I. Kuptimi i parë në Veri, në Kosovë e në Mal të Zi: “qumësht i mpiksur me shqilë, ende pa iu hequr hirra”; quhet edhe pshere. Figurshëm si mbiemër: “i njomë”. Djali asht shtalb. Në fjalëformim: shtalbak “kallamoq në fazë qumështi”; figurshëm: “i papjekur”. Shtalbni: “adoleshencë”. S’i ka FMGJSH.
KUMËSHT, – I (KJUMËSHT, – I). Hirrë e prerë më farë kosi, prej Malsisë së Madhe deri në Kosovë pihet si dhallë. Trajtë e vjetër e qumësht, me kuptim të ndryshuar, në këto vise e në Tiranë qumështi është quajtur tamël/ tambël. Kumësht gjindet në fjalë të urta, në frazeologji, në këshilla për fëmijë. Në FMGJSH mungon.
SHLLIN/Ë, – A. Pavarësisht prejardhjes prej së njëjtës latine, është krejt tjetër nga shëllirë. Kuptimet e shllinë: qumësht i prerë njëkohësisht me shqilë e me kos; prodhim bulmeti prej të cilit nxirren dra; shtalb që kripet për dimër. Shllina hahet me lugë, përdoret në pite, në ngjyem etj. Për shijen e vlerat flet fjala e urtë: “Mbasi s’kam shllinë, e harroi daja shpinë”. FMGJSH e shpërfill.
MISHAVÍN/Ë, – A.Sipas FMGJSH, “djathë i pamazitur, që prodhohet me qumështin e verës, kur bagëtia janë në kullota malore”. Pra dysor i togfjalëshit “djathë i pamazitur”? Jo. Mishavina bëhet me djathë nga qumështi i vjeshtës (jo i verës), që është veçanërisht i trashë e i yndyrshëm; ky djathë vihet në shekë, në vend të ujit me kripë i qitet qumësht i pamazitur. Herë-herë një shtresë tëlyeni.
KRYELÁN/Ë, – A.Aq e njohur në Veri e në Kosovë, sa e ka pasur edhe Fjalori 1980, ndonëse me kuptim të pjesshëm. FMGJSH e ka fshirë.
GOGLOSH/E, – JA.Gështenjë rrumbullake, e sapopjekur ose e zier, e qëruar. Figurshëm: vajzë ose grua e bukur, e kolme. Në FMGJSH është porogaçë, me gurrë sllave dhe më pak e përdorur, gogloshe në shqipe të pastër nuk është.
Në menytë e restoranteve shohim “desert”. Gjuha shqipe ka dy sinonime për të:
PASLUG/Ë, – A. “Desert” dhe jo vetëm një lloj ëmbëlsire, siç e ka FMGJSH.
PERIHIME. Këtë Çabej e sjell nga Labëria dhe mendon se lidhet me perime.
Shqipja ka emër edhe për pirunin:
LEGRAN, – I në Rrafsh të Dukagjinit. Vihet re lidhja me logër, sfurk i vogël me heqë ferra (FMGJSH s’e ka); me lagraç (këtë FMGJSH e ka); me legraçë, lograjë: sfurk i vogël ose kërrabë me ngritë saçin. Edhe anglishtja ka fork për sfurkun e për pirunin; në frengjisht pirunit i thonë fourchette, sfurk i vogël. Nuk e gjen në Fjalor.
KANË RRITUR FOSHNJA SHQIPTARËT?
Po të gjykosh nga fjalorët e Akademisë, duket sikur shqiptarët s’paskan ditë me rritë fëmijë. Për copën e endur, që mbështjell foshnjën, Fjalori 1980 ka tri sinonime: pelenë, skutinë, shpargër. Asnjëra shqip. Gjuha e popullit ka mbi dymbëdhjetë sinonime shqip.
FMGJSH bën disa përparime, duke shtërzyer. Ka vnelë e ndelë, fjalë të pastra shqipe, por këtë të fundit e zhvlerëson duke e quajtur krahinore, anipse është më pak krahinorja. Përveçse përdoret në hapësira të gjera, ka prodhuar familje fjalësh, si asnjë tjetër. Folje: ndelavem; emrat ndelan, ndelane, ndelajkë, ndelavje, tre të parët edhe si mbiemra. Mbiemër: i (e) ndelavur. Shprehje frazeologjike: pa dalë prej ndelash, hala në ndela. FMGJSH pasqyron pjesërisht këtës çerdhejfjalësh, por ndelan, ndelane, ndelajkë i le jashtë. Shpjegimi herë-herë i çartur. Ndelávem: “bëhem pis, bëhem me njolla, njollosem. U ndelav duke ngrënë”. Kaq e gabuar! Nëse thua u bë pis duke ngrënë, kjo thjesht tregon se iu derdh pak verë në këmishë a diçka e ngjashme. Por nëse thua u ndelav duke ngrënë, kjo është poshtëruese. Ndelavem përdoret vetëm figurshëm dhe do të thotë: “e lëshoj veten keq, humb personalitetin, bëhem si foshnja që pëgëret në ndela”.
Po për mënyrën e bartjes së foshnjës? Është një emër me brumë të shqipes: lëpungë. Kuptimi i parë: “pajisje leshi në trajtë gjysmëtraste, me ngarkue foshnjën në kurriz”. E qëndisur me gajtanë, lëpunga ishte “karroca” e fëmijëve nëpër male. Nuk është në FMGJSH. Çiftet e reja përshtasin fjalë si kangur, marsupial!
FMGJSH DHE DISA NGJYRA E DRURË
Fjalori ka bërë hapa përpara me disa emërtime për ngjyrat.
VÉRDHË (i, e)“i gjelbër”. Ka qenë në Fjalorin 1954, më pas u dëbua. Rimerret në FMGJSH dhe shpjegohet: 1. Që ka ngjyrë bojëbari (pleonazëm: që ka ngjyrë ngjyrëbari!), i blertë, i gjelbër. Bar i verdhë. Lugjet e verdha (kr. pop.). 2.I kaltër. Triko e verdhë.
Nuk ka të folme, këngë, fjalë të urtë, gjëzë, urim, mallkim a tekst çfarëdo, ku i/e verdhë del në kuptimin “i/e kaltër”. Vetëm mbiemri i përbërë i/e verdhëshallash, ndërtuar si i/e verdhëbari, e ka këtë kuptim. Shami e verdhëshallash – “shami e kaltër”.
Më tej: togfjalëshi Lugjet e Verdha është emërvend në Epos. Quhen Lugjet e Verdha edhe kur i mbulon bora, edhe kur s’kanë bar as gjeth. Si emër i përveçëm, duhet shkruar me nistore të mëdha Lugjet e Verdha.
Në Fjalor mungon folja vetvetore verdhohet. U verdhue livadhi. Mungojnë emri verdhishtë, mbiemrat verdhan, i/e verdhuar, i/e verdhëm, ndajfoljaverdhë, që del edhenë shprehjet: verdhë si lakna, verdhë si çapini.
Përderisa i/ e verdhë “ngjyrë ari” dhe i/ e verdhë “i/ e gjelbër” shenohen si fjalë të veçanta, edhe verdhoj “zverdh” dhe verdhoj “gjelbëroj” duhen shenuar si fjalë të veçanta.
LULËS (i, e). “I/e verdhë, ngjyrëlimon”, për herë të parë në një fjalor të Akademisë. a. Fjalët e përbëra ku i/ e lulës është gjymtyrë e dytë, tingëllojnë të sajuara: flokëlulës (në FMGJSH llokëlulës, gabim shtypi?).Mbiemri i/ e lulës nuk përdoret për flokët e mustaqet. b. Mungojnë foljet vetvetore lulësohem, lulësavem “zverdhem”, në vetën e tretë edhe për sendet.U lulsue prej tute. U lulsuen dardhat. Edhe si pësoree lulësoj. c. Mungojnë mbiemrat i/e lulësuar, i/e lulësavur.
DUSHK – U.Në një hapësirë shumë të gjerë në shqipen veriore dhe verilindore, ky emër përdoret vetëm në kuptimin “gjeth, tërësi gjethesh”. Në kuptimin e një druri të të pyllit s’përdoret, ka emra të tjerë si bung, qarr, shpardh… “Kan syzeza për atë djalë/ Tan po e tha(n) dushkin në mal/ Po tha(n) dushk e po tha(n) bar…” (lirikë popullore). “Pall mushk se del dushk, kur duel dushku cofi mushku” (fjalë e urtë).Në FMGJSH janë pesë kuptime për emrin dushk, kuptimi “gjeth” mungon. Foljet dushkon, dushkohet (gjethon, mbushet me gjethe), që vijnë prej dushk “gjeth” janë, ndërsa ama që i polli, jo.
Mungojnë edhe do fjalë të tjera nga dushk “gjeth”.
LIS, – I.Në të njëjtat hapësira ka kuptimin “dru i lartë i çfarëdo lloji, halor e johalor”. Ahu ështëlis:“Lis ahu i bërë zgavër…” (M. Ahmetaj, Fjalor i të folmeve shqiptare në Mal të ZI, kur shtjellonah zgorç). Edhe lajthia, arra, gështenja janë lisa.“Tufë që lëshojnë do lisa sikurse lajthija, arra, kështêja… ” (Gazulli kur shtjellonkajlë). Edhe kumbulla:“Nji lis kumlle ishte kanë/ Në kët lis kumullur…” (N. Vinca, Antologji e lirikës popullore). Edhe në Kanun lis ka kuptimin “pemë”: Lisi i gjakut, Lisi i tamblit; krahaso pema gjenealogjike. Mos edhe Naimi, kur këndon “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë” ka ndër mend tërësinë e drurëve të lartë: ah, pishë, bredh, qarr…? Ai u drejtohet maleve, lisi (i fjalorëve të Akademisë), veç të tjerash, rritet në lartësi të ulëta e mesataremë pak se 1000 m mbi det.
Në FMGJSH mungon ky kuptim i lis.
GDHE, – RI. Në FMGJSH: “pishë e zezë, borigë”. E burimit indeouropian të shqipes. Gdhe s’ka kuptimin vetëm “pishë e zezë”. Përdoret për çdo pishë të lartësive, edhe për bredhin. Shprehja sa nji gdhe bjeshke: “shtatnaltë e i hijshëm/ e hijshme”.
Duket se është më e arsyeshme të shkruhet gdhe, – ni. Rotacizmi nuk mund të zbatohet me prapaveprim, te fjalët që i ka vetëm gegërishtja. Siç nuk është zbatuar te tëlyen, ngjyem etj. Kështu shmanget edhe një homonimi artificiale me gdhe, – ri “nyell”. Në Fjalor mungon emri gdheshtë, që del krahas gdheishtë. Aty ka dysorë të ngjashëm ahishtë e ashtë; bredhishtë, breshtë e brenishtë.
ILUSTRIMI I FJALËVE
Në fjalorët bashkëkohorë kuptimet ilustrohen me fjali nga autorë të mëdhenj. Te fjalorët “Robert” të frengjishtes ka citime nga Ronsard, nga Balzaku, Hygoi, Sartri… Aty mund të gjesh edhe veprën ku dokumentohet së pari fjala përkatëse, që nga Kretien de Troi (Chrétien de Troyes 1130 -1180).
FMGJSH riciklon praktikën e vjetër. Nuk del kund emri i Naimit a i Fishtës, i Koliqit a i Kutelit, i Kadaresë a i A. Pashkut. E paqartë pse s’u planifikua ilustrimi me citime nga emrat e mëdhenj të letrave shqipe, u zgjodh rrugën më të lehtë?
Fjalori do të merrte tjetër peshë. Do të pakësoheshin ilustrimet e amshta, pa gjak e pa ngjyrë. Edhe pleonazmat e tautologjitë.
KU JANË RRËNJËT E FJALËVE?
Kur e di etimologjinë e fjalës, prejardhjen, bëhesh më i vetëdijshëm për përdorimin ose jo të saj. FMGJSH s’ka etimologji fjalësh. Nga kjo kundrojë, gjuha shqipe do të vazhdojë të jetë prapa gjuhëve të njohura. Edhe prapa gjuhëve fqinje.
Një fjalor me etimologjinë e fjalëve është krejt i mundshëm. Studimet Etimologjike në Fushë të Shqipes të Çabejt kanë vënë gurët e themelit. Fjalori Etimologjik i K. Topallit e çoi më tej punën e bërë. S’po përmend Fjalorin Etimologjik të V. Orelit (Albanian Etimilogical Dictionary, Brill, Leiden, Boston, Köln, 1998), i cili ka probleme shkencore dhe etike – përmban referime të rreme – dhe Akademia s’ka thënë një fjalë për të, megjithëse ai shërben si pikë referimi në qendra europiane të albanologjisë.
Përsëri: zgjodh rruga më e lehtë? U druajtën nga trysnitë e jogjuhëtarëve?
Gjuhësia është shkencë, s’është qeveri që kërkon vota. Shkencës ia jep ose ia heq besueshmërinë vetëm e vërteta shkencore.
LËMSHI I SHPJEGIMEVE PA SHPJEGIM
Nuk merret vesh pse shtjellimi i një foljeje shumë të thjeshtë shndërrohet në lëmsh. Fjalori 1980 është i saktë te cijat. “Nxjerr një zë të hollë e të zgjatur; pingëron (kryesisht për minjtë, disa zogj jo këngëtarë etj.)”. Në FMGJSH cijat barazohet me vërshëllen, zhurmon, ulërin. Fjali ilustruese: “Këta përrenj vërshëllenin, cijasnin, ulërinin! Në dritare era cijaste ulërimthi” (ndajfoljen ulërimthi s’e ka Fjalori)! Cijatbarazohet me cicërin, anipse cicërima është kryesisht këngë, ndërsa cijama kryesisht vaj (i një të vogli a të pafuqishmi). Nga ana gramatikore: cijat, jokalimtare, ilustrohet me cijatet, vetvetore:“Qentë cijateshin në fresk” (cijatemmungon në Fjalor). Po logjika? Qeni “cijat” nga vapa, jo nga fresku!
Emri cijatje qenka “të folur që ngjason me cicërimën e zogjve”! Fjali ilustruese: “Në kufjet e hequra i vinin cijatjet e zërave, të dobëta e mjerane”(?). S’dihet pse kënga e bilbilave është cijatje ndërsa kënga e pulëbardhave – cijasje. Fjalitë ilustruese: “cijatjet shumëzërëshe të korit të mëllenjave e bilbilave”; por “cijasjet e pulëbardhave”!(FMGJSH s’e ka fjalën cijasje). Cijatja barazohet edhe me “hungurimë (jo hungërimë) qensh”, edhe me kërcëllimën. Çdo lloj zëri, zhurme a tingulli qenka cijatje!
Domethënës është keqtrajtimi i fjalës plëng (plang) në Fjalorin 1980, ku FMGJSH e merr me copy paste. Spjegohet: “pasuri, mall”. Pra kush ka një kioskë a një llogari bankare, ka plang. Jo. Kuptimi i plang është “pasuri e patundshme ku jetohet e punohet; shtëpi, truall, ara, hija (rrethi) e shtëpisë”. Nëse dikush jeton me qera, ka para në bankë e mallra në shitore, ai ka pasuri, por jo plang. Dhe e kundërta, mund të jetë pa një kryq leku në xhep, por në pastë një shtëpi me një copë tokë në pronësi, ai s’ka pasuri, por një plang e ka. “Prej plangut të vet nuk mund ta luejë kush kand” (Kanuni i L. D.).
Plang ka krijuar çerdhe fjalësh. Mbiemra: plangçor/ plangsor ”që është pjesë e truallit”.Por, sipas Fjalorit, plëngçor, – e, emër, mbiemër ka kuptimin “pronar i diçkaje, zotërues, trashëgues” (ç’është kjo “diçka”, plëngçor u quajtka edhe pronari i një qeni)? Mbiemrat i paplang: “që s’ka plang”; i plangsuar: “që i ka themelet në plang”. Figurshëm: “i/e konsoliduar”. Emra: plangësim, veprimi sipas foljes me (u) plangësue. Folje: plangësohem, vetvetore. “Zë vend, ngulem në plang”.Figurshëm: “forcohem, forcoj themelet, konsolidohem”.E ka Fjalori (plangësohem), por joedhe si pësore e plangësoj “vë themele më të shëndosha, forcoj mbështetjen”. Edhe figurshëm.
FMGJSH e shkruan si Fjalori 1980: plëng, plëngçor, me ë në vend të a-së, por te plangësoj, plangësohem, plangësim, i/ e plangësuar e ruan a-në. E ruan edhe te plang, kur shpjegon plangësohem: “vendosem diku për plang…”. Plang s’e ka toskërishtja, arsyetimi që u bë te emri gdhe për mënyrën e shkruarjes, vlen edhe këtu. Plang vjen prej latinishtes plānum “shesh, fushë” njësoj si plan, që s’është bërë plën.
FJALË TË SAJUARA
Shumë fjalë të Fjalorit duken shto ujë, shto miell. Për çeljen e luleve gjen lulëzim dhe lulësim. Krahas vnelë gjen vënelë – vnelë me një ë të shtuar kot. Krahas dije gjen dijë, krahas çidikë gjen gjidikë. Është ndajfolja zgjuar, është edhe çuar, pse edhe quar? Quar s’është tjetër vecse shqiptim nëndialektor i çuar. Mjeda ia kujton Majerit me ba kujdes se shkodranishtja i ngatërron bashkëtingëlloret ç/ q, siç ndodh edhe në Kosovë, në Mirditë etj. Kështu mund të sajohen pa fund fjalë: çorape e qorape, çlirim e qlirim, çmim e qmim, bulëzim e bulësim, shkumëzim e shkumësim, pije e pijë … Anipse me pijen Fjalori nuk le gjë mangut: pijak, pijan, pijanec, pijanik… Po mbiemri dijenik “dituror, shkencor”, ku përdoret? Mbiemri dijenoz ku përdoret? Thuhet mbiemër, ilustrohet me një fjali ku del emër: Është dijenoz i madh!
Emrin dhirritje, e ka shqipja apo është sajuar para kompjuterit? Në FMGJSH s’ka të ngjashëm delerritje, lopërritje, pulërritje. Shpjegimi i dhirritje: “degë e blegtorisë që merret me rritjen dhe mbarështimin e dhive, prej të cilave përftohen prodhime shtazore” (“përftohen prodhime shtazore”, fjali parazitare, ç’prodhime të tjera mund të priten prej dhisë?). Për qyrktar, “ai që bën qyrka”, fjalë e vjetër, sajohen edhe qyrkbërës, qyrkpunues.
Folja narth, për herë të parë në një fjalor të Akademisë. Por mbiemri i narthët “i ftohtë” me fjalinë ilustruese dimër i narthët, ku del? Po ndajfolja narthët “ftohtë”me fjalinë ilustruese bën narthët, ku del? Dhe ilustrimi me tautologji “Po narth prej të ftohtit”!
Në Fjalor është emri betar, nga e drejta dokesore. Dhe shpjegimi pa shpjegim, me copy paste nga fjalori 1980: “Ai që dëshmonte për pafajësinë e dikujt, duke u betuar së bashku me të tjerët”! Ilustrimi: betarë të shquar. Por në Kanun gjaku e nderi nuk njohin hierarki, betarët janë të barabartë, as të shquar, as të pashquar. Po aty fjala betarí që nuk ekziston kund. Shpjegimi i betari: 1. të qenët betar; 2. betarët. Ilustrim: “Ishte mbledhur betaria”. Tralala, zura një galë!
Ilustrimet duhet të ndihmojnë edhe drejtshkrimin. Rast i thjeshtë: edhe në media e në komunikime zyrtare ndeshet togfjalëshi lekë të reja/ të vjetra, megjithëse lek është i gjinisë mashkullore. Në FMGJSH pesë ilustrime përsërisin njëri-tjetrin për kuptimin e lek, asnjëri në shumës, që të kuptohet a shkruhet lekë të reja/ të vjetra apo lekë të rinj/ të vjetër.
PASAPORTIZIMI I FJALËVE TË HUAJA
Një fjalor normativ vrapon pas përroit të fjalëve, që mbledh gjithçka si ullaku (sipas Çabejt, fjalë shqipe, mungon në Fjalor), apo i prin këtij përroi, duke ndërtuar kullojsa, filtra, për ta pastruar nga ndotjet? Kriteri i përfshirjes së fjalës së huaj është vetëm përdorimi?
Kemi dy gjedhe të kundërta: bejtexhinjtë deri në fyt me turqizma, që përdoreshin edhe në qytete, dhe Naimi. Po të nisej nga dendësia e përdorimit të turqizmave, Naimi kurrë s’do të shkruante shqipe aq të pastër. Përdorimi i tepruar i fjalëve të huaja pati përftesë të kundërt: ua çeli sytë rilindasve që t’u thonë ndal!
Pyetja përballë çdo fjale të huaj: e pasuron ajo gjuhën shqipe apo shqipja ka të barazvlefshme? Në i pastë shqipja qoftë edhe krahinore a nëndialektore, s’ka arsye me e pajisë me pasaportë tjetrën që “punon në të zezë”. Në FMGJSH është fjala risk, aq e dashur për teknokratët e ekonomisë, bashkë me foljen riskoj dhe mbiemrin i/e riskuar. Ç’vlerë i shtojnë shqipes këto fjalë, krahasuar me rrezik, rrezikoj, i/e rrezikuar? Pse duhet derbi në futboll, kur gjithmonë kemi thënë përballje, ndeshje (midis dy kundërshtarësh të mëdhenj)? Ç’të re sjell relaksoj, krahasuar me çlodhem, prehem, pushoj, qetësohem, shkllahem? Vetë Fjalori sforcohet kur e përdor te ndejë: ”në këto ndeja ralaksojmë shpirtin”(!).
Dhe ja një fjalë e FMGJSH, që më doli rastësisht, po e sjell me copy paste me gabimet drejtshkrimore, përfshi mungesën e kllapës mbyllëse: “Votergéjt-i m. (angl. Water-ujë + gate-derë; Watergate-pendë a cfrat që mbyll kalimin e ujit; kështu quhet një bllok ndërtesash të administratës amerikane në Uashington”(!). E kupton dot kush për çka po flitet, cila është fjala që paska hyrë në shqip, ç’hyn këtu “blloku i ndërtesave të administratës amerikane në Uashington”? S’po ndalem te “W” nistore e anglishtes në emra të përveçëm, që një herë shkruhet “V”, Votergejt e një herë “U”, Uashington. Uotergejt (jo votergejt) mbase mund të përshtatet në shqip në rastin e një skandali që trondit themelet e shtetit, pa për “pendë, cfrat” (nuk përmendet sinonimi i pastër shqip pritë), kur është përdorur? Pa thënë që cfrat mungon në FMGJSH.
Një fjalor normativ me fjalë të huaja të panevojshme, e vret gjuhën. Përdoruesi i merr si të ligjshme. Edhe në paçin hyrë, fjalori mund t’u tregojë derën. Më së pakti, me një shih që çon te fjala shqipe.
Në një vend të hapur, të vogël e kohëhumbur si yni, prirja kah e huaja është më e fortë se tjetërkund, gjuha amtare është më e rrezikuar nga anglishtja e trysnitë e globalizmit. Vërehet edhe te vetë autorët e Fjalorit. Maus-in e kompjuterit e shpjegojnë miush, por vetë përdorin maus. Te emri makintosh është ky shpjegim: “kompjuteri i parë personal (PC)… me një ndërfaqe grafike të përdoruesit dhe maus”!
Përpjekjet me e mbrojtë gjuhën japin fryt kur janë në përpjestim të drejtë me rreziqet që e kërcënojnë.
ObserverKult
Lexo edhe:






