Nga Mehmet Elezi
1.
Emërvendi Krasniqe, mjaft i përhapur edhe si mbiemër në trajtën Krasniqi dhe rrallë Krasniqja, sidomos në Kosovë, i ka ngacmuar hulumtuesit e huaj. Megjithatë s’kanë shkuar më larg se shenimi i gojëdhanave rreth tij. Herë-herë kanë hamendësuar rrëshqitazi, pa u marrë përnjëmend me të. Me sa dimë, as ndonjë kërkues shqiptar s’e ka shprushur.
Për veshët e një të huaji ngjan si emërvend sllav. Siç ndodh me disa legjenda urbane që merren thuajse të mirëqena, një prejardhje që niset nga gojëdhanat dhe nga përshtypja që le tingëllimi i emrit në dëgjim të parë, jo rrallë pranohet heshtazi. Dihet se toponomia e trojeve shqiptare është e harrnuar me emërvende të lëna prej pushtuesish, veçanërisht prej sllavëve. Gjurmët e plagëve të historisë dallohen qartas edhe në këto harrna.
Robert Elsie [1] e merr të mirëqenë se emri Krasniqe “është me zanafillë sllave dhe ka të ngjarë të ketë lidhje me fjalën “hrast”, që do të thotë dushk ose lis”. I cituar prej tij, prifti boshnjako-kroat Loro Mihaçeviq, që udhëtoi asajt në vitin 1907, shkruan se Krasniqja “është një vend i mirë e i bukur, në pajtim me emrin Krasniqi, e që mund të përkthehet (nga gjuhët sllave – m.e.) si “fshat i bukur””. [2]
Krasniqja është në Malsi të Gjakovës (Tropojë). Sipas një ndarjeje tradicionale, përmendet si njëri prej katër fiseve kryesore të trevës. Këto fise në popull njihen si Krasniqja, Gashi, Berisha e Bytyçi. Studiuesit kanë qasje më të imëta, siç ka edhe katunde fisesh të tjera në Malsi, por ato nuk janë cak i këtij shenimi. Krasniqja njihet njëkohësisht edhe si mal (bajrak); teritori i bajrakut të Krasniqes është më i ngushtë se i fisit Krasniqe.
Pjesa më e madhe e katundeve të Krasniqes shtrihen përgjatë luginës së Valbonës. Zënë krahët e lumit me këtë emër, prej Dragobie në Fierzë. Në zemër të Krasniqes është qyteti Bajram Curri.
2.
Sipas një gojëdhane të shënuar prej Zonjës Durham [3], emri Krasniqe rrjedh prej Krasni Lazi. Kështu qenkesh quajtur i pari i fisit.
Mark Milani rreh në një degëzim të ngjashëm. Paskeshin qenë dy vëllezër, Vasa e Krasa. Prej tyre dolën dy fise. Njëri “serb”, Vasojeviqët, tjetri “mysliman” [4], Krasniqja.
Kalimthi në Triepsh Hekardit (H. Hecquard) i del në shteg një gojëdhanë, që sjell në vemendje Krasniqen. Një vëlla, Kastro Keçi, kish pasë qenë martuar me një vajzë në Dukagjin. Fryt i kësaj martese kishin qenë “Kastroviçët, që banojnë pranë Gjakovës, të cilët më vonë përqafuan islamizmin”. [5]
Një kallëzim i hershëm, shënuar prej Hahnit, lëviz në të njëjtat ujëra. Krasniqja rrjedh prej Nikës, të parit të Nikajve. Ai kishte pasur dy djem, njëri quhej Gras. Fisi që doli prej Gras Nikës mori emrin Krasniqe. [6]
Edhe Robert Elsie: “Stërgjyshërit e fisit të Krasniqes thuhet se e kanë prejardhjen prej Bosnjës… Thuhet se fisi Krasniqi ka farefisni të ngushtë me fisin sllavishtfolës Vasojeviq, në Mal të Zi”. Gjithnjë me thuhet.
3.
Me sa shihet, në të pesë rastet e sipërpërmendura jemi në rrafshin e një gojëdhane të vetme me pesë motërzime. Kemi: një Krasni, një Krasa, një Kastro (sipas Nopçës Kastër – “Kastr”) dhe një Gras. Trajta të përafërta fonetike, që flasin për të njëjtin gurrë. Elsie s’ka Kras e Gras, por ka lidhjen e mundshme me Vasoviqët sllavishtfolës, si gojëdhanat e tjera.
Te gojëdhana kapet edhe Çabej, por e sheh në dritë të kundërt, kërkon të derdhet dritë edhe “mbi ato fise, të cilat me kohë e kanë bjerrë kombësinë shqiptare”. Thotë se “Pas traditës fisore të Krasniqëve, këta vetë, Nikajt e Vasojeviqët, janë fise vëllezër, të cilët me kohë u shkëputën: Nikajt mbetën katolikë, Krasniqët u bënë muhamedanë, Vasojeviqët u bënë njëkohësisht ortodoksë e sllavë”. Të tri këto fise i sheh me gjak shqiptar, prej tyre Vasojeviqët borën kombësinë, u sllavizuan. Sa larg mund të shtegtojë një fis, sjell rastin e kelmendasve. Ata “kanë lëshuar degë më një anë gjer në Sirni, ku themeluan dy katunde, e, më anë tjetër, në qoftë se nuk gënjen emri…, kanë shtegtuar nga jugu deri në Atikë”.
Çabej nuk e shqyrton gjuhësisht prejardhjen e emrit Krasniqe.
Përtej folklorit, në gjurmët drejt së vërtetës na prin rishtazi Hahni, i pasuar me disa citime autorësh të tjerë, bërë nga Elsie. Kësaj here krejt pahiri, pa dashje. Pa hulumtuar pik për temën në fjalë dhe pa qenë i vetëdijshëm se po qet në dritë një të dhënë me interes.
Në pjesën e tretë të Studimeve Shqiptare, në shënimin 159 për episkopatin e Pultit, Hahni i referohet Farlatit. Shkruan: “Farlati Illyr. Sacrum VII f. 261 shkruan se kufijtë e këtij episkopati janë Valbona, që quhet edhe Castergus ose Castranichius …”. Pra Valbona, në dy krahët e së cilës shpalohen katundet e Krasniqes me qytetin e sotëm Bajram Curri, bash ajo trevë që sot njihet me emrin Krasniqe, paskesh qenë njohur edhe me emrin Castranichius.
Filli vezullon papritmas. Në rrënjë të emrit që ka shenuar Farlati dallohet fjala latine castrum, siç quheshin fortesat romake. Zakonisht vendet, emrat e të cilëve lidhen me latinishten castrum, nga kundroja ushtarake janë pika strategjike. Lugina e Valbonës është tepër strategjike. Bash në grykë, ku nis pjesa e ngushtë e luginës drejt thellësive të bjeshkëve dhe s’ka shteg tjetër kalimi, gjinden rrenojat e një fortese romake. Në të majtë të lumit, në katundin Shoshan. Vend i njohur me emrin Qytezë. Dihet se historikisht fjala qytet, prej ku qytezë (prej latinishtes civitātem), ka pasur edhe kuptimin kala, kështjellë, fortesë. E afërt me kuptimin e castrum.
Edhe në degëzimin Castergus bie në sy kjo rrënjë. Prej Castranichius, me vendkëmbim (metatezë), është bërë Krastanichius për të mbërri, nëpërmjet ndryshimesh të lehta fonetike, te trajta e sotme Krasniqe. E dëshmon edhe Kuvendi i Arbnit. Në një thirrje të tij për të shuar mosmarrëveshjet për kufirin mes dioqezës së Pultit dhe dioqezës së Shkupit, thuhet se kufiri lindor i Pultit ndahet me ujë të Kasterigjit (Casterigium) ose të Kastraniqit (Castranichium) ose të Valbonës (Valbonam): ky ujë thirret me këta tre emra. [7]
Elsie sillet te këto emërtime. Citojmë: “Termi Krasniqe është shënuar si Crastenigeia, më 1634, në raportin kishtar të priftit françeskan Bonevantura di Palacolo (v. 1657), si Krastenigje, me 1636, në raportin e peshkopit shqiptar të Sapës dhe të Sardës, Frang Bardhit; dhe si Grastenichia, më 1688, në hartën e hartografit venedikas Françesko Maria Koronelli”. Edhe te Hekardi del trajta e fundit.
Një hollësi që nuk mund të kapërcehet. Vërehet se Castranichius (Krasniqe), fillimisht është quajtur lumi dhe jo tokat përreth, ndërsa në gojëdhanat për prejardhjen sllave të emrit Krasniqe nuk bëhet fjalë për lumë, por për “të parin e fisit” prej ku e kanë marrë emrin tokat dhe fisi. Mospërputhja është e dukshme.
Lumi thirrej në të njëjtën kohë edhe Valbonë. Me sa duket Valbonë është emri i kryehershëm. Castranichius ngjan se është përdorur më shumë nëpër harta dhe në komunikimet për çështje ushtarake. Meqë Valbona nuk mund të mbante pafundësisht dy ose tre emra, me kohë është kryer diferencimi: Castranichius ka filluar të quhet lugina në të dy brigjet e tij, ndërsa vetë lumi ka ruajtur emrin e parë Valbonë. Dihet se fshatrat ose krahinat buzë lumenjve marrin dendur emrat e këtyre të fundit.
Siç del nga dokumentet, në kohë të Kuvendit të Arbnit katundet në krah të djathtë të lumit tashmë quheshin Krasniqe. Në një kronikë të ruajtur në kishën e Shoshit për fretnit shkruhet se “vetëm në vitin 1705 është krijuar një hospisë (banesë) në Gri, në rajonin e Krasniqes”. [8]
Një tjetër e dhënë me domethënie të qartë. Shuflai zbulon se në qindvjetëshin e 17-të, saktësisht në vitin 1666, Valbona del edhe me një emër të tretë, Cernicë (Cernizza). [9] Për rastin në fjalë, gjurmët e kësaj përpjekjeje i gjejmë në një fshat të Krasniqes, që quhet Cerrnicë. Cerrnica në breg të Valbonës, në krahun e majtë të saj, ka qenë pyll i dendur me lisa madhështorë, i shpyllëzuar në fund të viteve pesëdhjetë të qindvjetëshit të shkuar, nga shteti komunist. Natyrshëm pyetja: nëse emri i mëparshëm Krasniqe do të kish qenë me gurrë sllave, për ç’arsye sllavët do të përpiqeshin me ndërrue një emërvend sllav me një emërvend tjetër po sllav, duke e bërë Krasniqen Cerrnicë?
Lugina ka edhe emërvende të tjera me gurrë latine si Gryka e Motinës (arsyeja thotë se vjen prej mons, montis, mal) në Dragobi. Duket se edhe emri i malit të Kollatës (2556 m), që mbyll luginën si mur madhështor, ftillohet me latinishten collatatus, i hapur, i shtrirë, i zmadhuar). Dhe natyrisht emri i lumit Valbonë, “luginë e mirë”.
4.
Tërthorazi, në kundërshtim me çka synon vetë, një prejardhje të mundshme sllave e rrëzon edhe Mark Milani.
Duke folur për vëllezërit Vasa e Krasa, thotë se “nga Krasa doli fisi i Kastriniqëve…”. Siç shihet,në rrënjë të emrit të fisit – Kastriniq – kemi sërish fjalën latine castrum. Lidhja që bën me të hamendësuarin Krasa, një shndërrim i Krasa në kastra – Kastriniq dhe sërish prapakthehu duke u bërë edhe një herë siç qe Krasa (Krasniq), nuk ngjan fonetikisht e arsyetuar. Nuk ndodh që trajtat gjuhësore me ba nji rreth e me u kthye mbrapa, me dalë prapë në pikën e fillimit.Trajta Kastriniq, që jep Mark Milani,nuk është tjetër veçse Kastranichius, që zbulon Hahni në dokumentet për shtrirjen e episkopatit të Pultit.
Edhe te Hekardi, vepër e cituar, gjejmë Grastenicha (trajtë me vendkëmbim e Kastranichius). Grastenich-ën, sipas shenimeve që shoqërojnë lëndën e librit, studiuesit e kanë njëjtësuar me Krasniqen.
Dëshmitë se emërvendi Krasniqe është me gurrë latine dalin krejt të prekshme. Krasniqe do të thotë Vendi i Fortesës.
I vetmi që i afrohet këtij vështrimi, pa e zhbiruar në thellësi, është Nopça. Ai nuhat diçka për shtrembërimin e së vërtetës, por nuk e shtjellon. Sipas gojëdhanës për Hotin, që ka regjistruar vetë, Hoti dhe disa fise të tjera, përfshi Krasniqen, qenkeshin të zbritur prej Kuçi. Kjo gojëdhanë, si nga thelbi ashtu edhe nga emrat e ngjashëm, duket thjesht degëzim i gojëdhanave të regjistruara nga zonja Durham, Mark Milani, Hahni e Hekardi, më afër këtij të fundit në do imtësi. Nopça shkruan se “fisi i Krasniqit në këtë gojëdhanë quhet Kastraviç”, te Hekardi Kastroviç. Por ky emër, vëren, “duket pak i kurdisur dhe të kujton më tepër Kastratin me prapashtesën “viç””. [10]
Në këtë pohim të shkurtë dijetari cek dy të dhëna thelbësore. 1. Emërvendi Krasniqe ka të njëjtën gurrë si Kastrat; dhe: 2. Gojëdhana ka shtrembërime (“kurdisje”), siç është qepja e prapashtesës sllave në motërzimin që përmend.
Në trojet shqiptare janë disa emërvende që lidhen me latinishten castrum. Qysh prej Kastratit në Veri, te Mallakastra e Gjirokastra në Jug. Edhe emrat Kosturr në Has dhe Kostur në Greqinë veriore, vlerësohen si të së njëjtës gurrë latine.
5.
Një pjesë e mirë e krasniqasve – fshatrat e Nikajve në Nikaj-Mërtur ose Lekbibaj (do katunde të anës i përkasin fisit Mërtur, që kapërcen Drinin e shtrihet në Pukë), deri në Curraj të Epër – janë të besimit katolik. Edhe në fshatrat myslimane spikatin emërvendet me prejardhje qartësisht katolike: Margegaj (Mark Gega), Kolgecaj (Kolë Geci), Markaj (Mark), Lekurtaj (Lekë Kurti), Ndreaj (Ndre), Dojan (Ndue-Ndoi), Kolmekshaj (Kolë Mekshi), Dedaj (Dedë), Margjekaj (Mark Gjeka)… Të parët e këtyre katundeve kanë qenë katolikë. Sot e kësaj dite shumë mbiemra familjarë janë të tillë. Duke ndjekur vijimësinë e brezave, pemën gjenealogjike, tërë myslimanët e Krasniqes, përfshi autorin e këtyre shenimeve, dalin te stërgjyshë katolikë.
Shtrati i pastër katolik i Krasniqes dëshmohet edhe në kishat e shumta ose rrenojat e tyre; aty sipas disa studiuesve njëjtësohet (identifikohet) qendra e dioqezës së Pultit. Krasniqasit s’kanë qenë kurrë ortodoksë. Deri në gjysmën e dytë të qindvjetëshit të 18-të dëshmohen në vazhdimësi katolikë; prej katolikë janë kthyer në myslimanë. Asnjë ndërmjetësi ortodokse nuk dëshmohet. Sllave aq më pak. Rreth dyqind vjet të pushtimit serb nuk prekën dot gjuhën, fenë, ritet. Ani pse në kodin e Stefan Dushanit (1349) ka dispozita të egra që detyrojnë katolikët me u kthye në ortodoksë: kush nuk bindet do të “dënohet me vdekje”. Për serbët katolicizmi ishte një “herezi latine!”.
6.
Vihet re qartësisht se gojëdhanat për Krasniqen – me çka shihet është e njëjta gojëdhanë, e përhapur dhe e regjistruar në disa degëzime – në zanafillë kanë prejardhje sllave. Gjithherë rrahin me gjetë ose me nënkuptue një burim sllav për fisin, duke u nisur nga emri i tij.
Del kjo prirje edhe te Mark Milani. Në veprën etnografike për doket e shqiptarëve ai shquhet për paanësinë dinjitoze në mjaft gjykime e vlerësime. Megjithatë nuk i shpëton dot joshjes me pa rrënjë serbe edhe ku ato nuk zënë fare. Pohon, për shembull, pa asnjë përpjekje me e argumentue – veç të tjerash, Mark Milani ka qenë i vetëmësuar, autodidakt – se emri Kastrat vjen prej sllavishtes krst!
Dihet se burimin e këtij emërvendi studiuesit e gjejnë pa kurrfarë mëdyshjeje te fjala latine castrum. Nopça shkruan se Kastrati i Vjetër e ka emrin nga “Castrum” i Romës dhe “emri Kastrat gjendet si emër fshati në kadastrën e Shkodrës me 1416”. Nuk ndalet më tej, s’e ndien të nevojshme, gjithçka është e mirëqenë.
Dhe kështu zënë fill e marrin krahë legjendat folklorike. Disa syresh shpesh me prapavijë ose frymëzim politik, për të mjegulluar të vërtetat.
[1] Robert Elsie, Fiset shqiptare, Botime Artini, Prishtinë, 2017. Edhe citimet e tjera të këtij autori janë marrë prej kësaj vepre.
[2] Mihaçeviq ka aty-këtu edhe pasaktësi të tjera. Për shembull shkruan se në Krasniqe “kullat e bardha të bejlerëve e të agallarëve ishin përhapur andej e këtej si mjellmat e bardha”, kur dihet se në Krasniqe, Gash, Bytyç e Berishë e në të tjera fise të ngjashme të Shqipërisë Veriore s’ka pasur kurrë bejlerë as agallarë.
[3] Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe për Shqiptarët, Shtëpia Botuese 8 Nëntori, Tiranë, 1990.
[4] Mark Milani, Jeta dhe zakonet e shqiptarëve, shtypshkronja Muza, Tiranë, 1995.
[5] Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, Plejad, 2008.
[6] G. Von Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë (mungon viti i botimit).
[7] Sipas M. Palnikaj, vep. e cituar.
[8] Po aty.
[9] Milan Shuflai (Šufflay), Serbët dhe shqiptarët, Bargjini, Tiranë, 2000.
[10] Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e tyre, Botimet «Eneas», Tiranë, 2013. Nuk është e qartë përse në këtë botim akademik, bërë nga QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike), Instituti i Historisë, është lejuar që emërvendi Krasniqe, si dhe emri i fisit(në kuptimin etnografik, i afërt me mal), të shkruhet gabim, në gjininë mashkullore, Krasniqi. Trajta Krasniqi njihet si mbiemër, por kurrsesi si emërvend dhe as si njësi etnografike, fis.
ObserverKult
Lexo edhe: