Mehmet Elezi: Përse “Evropa” dhe jo “Europa”?

mehmet elezi
Mehmet Elezi


Nga: Mehmet Elezi

Sipas rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që burojnë nga Kongresi i Drejtshkrimit 1972, emri i kontinentit të lashtë, të cilit i përkasim qysh në themelet e qytetërimit të tij, duhet shkruar me v. Pra Evropë.
Kjo rregull është tepër kundërthënëse.
Mirë, sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe u shkruaka Evropë, me v, po pse shumica e fjalëve që zënë fill te ky emër, sipas të njëjtave rregulla drejtshkrimore duhet të shkruhen me u, jo me v? Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, kemi:

-evropian;
-evropianizoj;
-evropianizim;
-evropianolindor;
-evropianoperëndimor.

Po aty janë edhe:

-euro (monedha e përbashkët);
-euroatlantik;
-euroçek (çek që lëshohet nga bankat europiane);
-eurodeputet;
-eurolindor;
-europarlamentar;
-europerëndimor;
-europol;
-eurovizion;

(këtu mund të shtohen:

-eurodiznej;
-eurolloto;
-eurosport…, të cilat mungojnë në FGJSH).

Siç vihet re, fjalori normativ është jokonsekuent. Ka nëntë fjalë të kësaj çerdheje me u dhe vetëm pesë fjalë me v. Pra pothuajse dy herë më shumë i përgjigjen trajtës me u.
Për ç’arsye të rëndësishme gjuhësore në njërën anë duhet të shkruhet evropianolindor, evropianoperëndimor, me v, dhe në anën tjetër eurolindor dhe europerëndimor, me u?
Në gjuhën e përditshme, pavarësisht nga trysnia e rregullave të drejtshkrimit në shkollë e në media, shumica dërrmuese e shqiptarëve e shqiptojnë Europë. Kryesorja, vetë Europa i thotë vetes Europa. Në anglisht shkruhet Europe, European Union dhe jo Evropean Union. Në frengjisht l’Europe, l’Union Européenne dhe jo l’Union Evropéenne. Në gjermanisht Europa, në spanjisht e në italisht Europa, përherë me u dhe asnjëherë me v.
Në qoftë se shqiptarët i thonë Europë, në qoftë se vetë Europa i thotë vetes Europa, me u, përse në standardin e gjuhës shqipe u dashka pagëzuar tjetërqysh? Në një formë që përdoret vetëm në greqisht, në turqisht e në disa gjuhë sllave! Dhe për ç’arsye gjuhësore të kuptueshme nuk i rrihet besnik njërës trajtë, por bëhet një çorbë me u/ v, që ndërrojnë vendet pa kuptim?
Edhe një here Akademia kundër Akademisë!

(Nga libri “Dritëhije në fjalorët e Akademisë”)

ObserverKult


Lexo edhe:


MEHMET ELEZI: DIKUSH I PAFTUAR NË DITËLINDJE

ObserverKult