Mehmet Kraja: Për Ali Podrimjen, në këtë përvjetor trishtimi

Mehmet Kraja
Mehmet Kraja

Nga Mehmet Kraja



…Me Ali Podrimjen pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm.
Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje, shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme të godinës së Radios.
Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar.
Bablok, mbramë e kam pa andërr Azem Shkrelin, kish lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka qenë këtu. Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull.
Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar një peizazh ëndrre ku të preheshin.

(Nga romani “Prishtina”)

ObserverKult

Lexo edhe:

MEHMET KRAJA: ROMAN I SHKRUAR NË ATMOSFERËN E VITIT 1981