Mehmet Kraja: Për Shtjefën Gjeçovin në 150-vjetorin e lindjes

(Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore në Akademi)

Nga Mehmet Kraja

Dua të them që në fillim se ne e zgjodhëm 14 tetorin për këtë konferencë kushtuar Gjeçovit (pra dita e vrasjes së tij), për të kujtuar me pietet jo vetëm kontributin e tij për dijen dhe kulturën tonë, si themelues i arkeologjisë shqiptare, ndër të tjera, por më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj.

Pra, duke vlerësuar lart figurën e Gjeçovit në këtë 150-vjetor të lindjes së tij, deshëm që ky vit në Kosovë të quhej vit i Gjeçovit, sa në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij, po aq edhe për faktin se gjatë periudhës së shkuar Gjeçovit nuk iu bënë nderet e merituara për punët e vyera, si themelues tashmë i padiskutueshëm i arkeologjisë dhe etnologjisë shqiptare. Kishte një arsye “jopublike” që Gjeçovi të mbahej në një heshtje për një kohë të gjatë: ai u vra nga një shtet, pjesë e të cilit Kosova ishte deri para 25 viteve. Por ajo që më bën përshtypje tani, është dijenia se mendësia e atij shteti që heshti dhunshëm Gjeçovin vazhdon edhe përtej kufijve kohorë të atij sundimi famëkeq. E them këtë jo pa mllef, sepse nisma e Akademisë për ta sjellë Gjeçovin në vëmendje të Kosovës në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij.

Më anë tjetër, as në shtetin e Shqipërisë, Gjeçovit nuk gëzoi njohje, mbështetje dhe respekt, madje shpesh nuk iu njoh as merita e themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Regjimi komunist nuk e deshi për tri arsye kryesore: ishte prift; ata që vriteshin në Kosovë, jo gjithmonë nderoheshin në Shqipëri; dhe e treta, nxori nga harresa Kanunin e Lekë Dukagjinit, kryeveprën e së drejtës zakonore shqiptare. Kanuni u identifikua me Gjeçovin dhe u konsiderua pengesa kryesore e shtrirjes dhe depërtimit të moralit dhe ligjeve komuniste në masat e gjera, në emër të emancipimit. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kanuni, ndërsa në Kosovë u ribotua më 1972, në Shqipëri, pas botimit të parë më 1933, nuk njohu dritë botimi deri me rënien e socializmit dhe po ashtu nuk duhet të habitemi që një numër veprash në dorëshkrim të Gjeçovit, si drama, novela dhe përkthime nuk e panë ndonjëherë dritën e botimit.

Si përfundim, dua të theksoj këtu se Gjeçovi është rilindës, rilindësi më i rëndësishëm i Kosovës, me të gjitha atributet që i kanë burrat me mendjen më të ndritur të kombit shqiptar. Ai ishte i pari rilindës që zbuloi se jo vetëm idetë dhe fryma jolëndore mund të flasin shqip, por shqip mund të flasë edhe toka, edhe një terakotë, edhe një kambanë e lënë në harresë. Ai po ashtu zbuloi se mund të jetë monument kulturor me vlerë të paçmuar edhe e drejta zakonore e kodifikuar, padrejtësisht e apostrofuar nga ideologjitë si pengesë e prosperitetit tonë kombëtar.

ObserverKult

Mehmet Kraja

Lexo edhe:

MEHMET KRAJA: PIKTURA E TAHIR EMRËS – ART SUBSTANCIAL