(Meliza Krasniqi, “Vepra e Musinesë”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2019)
Nga Kosovare KRASNIQI
Bota, shumë më parë se shqiptarët, ka njohur rëndësinë e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, andaj, gruaja bëhet figurë e fuqishme në subjektet e shkrimeve të tyre. Një zë i fuqishëm gruaje që shpaloset para lexuesve të këtij studimi është figura e gruas shqiptare, Musine Kokalari. Musine Kokalari është një nga shkrimtaret e para shqiptare. Ajo ishte rritur mes librash dhe fati i saj ishte paragjykuar të bëhej pioniere grua e letërsisë shqipe. E rrethuar me një ambient egërsisht të bukur siç është Gjirokastra, në mesin e legjendave ku ajo kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe rinisë së saj, nga jeta e popullit ajo nxori përshtypjet të cilat më vonë u bënë frymëzim dhe shpirt i veprës së saj letrare. Gjithashtu, problematikat e larmishme që has gruaja shqiptare në jetën e përditshme, vihen në letrën e bardhë të Musine Kokalarit. Fakti që shumë nga poezitë e saj i kushtohen gruas shqiptare dëshmon se autorja ka qenë në kontakte me elementë të ndryshëm të kulturës shqiptare. Do të ishte e tepërt të shtoj përshkrime edhe më të detajuara për jetën dhe veprën e Musinesë. Pena e saj e tërhoqi lexuesin, gjithashtu periudha e shkurtër e krijimtarisë së saj ka zgjuar vëmendjen e kritikëve letrarë.
Kur flasim për personazhin e gruas, dihet se ky personazh në të gjitha epokat është vënë në plan të parë dhe pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, mirëpo duke ndjekur zhvillimin e mendimit kritik të studimit në Kosovë, duhet pyetur: “Sa ka ndikuar që gruaja të jetë krijim frymëzues në fushën e studimit”?
Dhe, fokusimi kryesor shtohet, kur pyesim, cila studiuese ka depërtuar brenda ndjenjave të vërteta të gruas? Ajo është Meliza Krasniqi. “Vepra e Musinesë” është titulli i librit të saj të posabotuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ide shumë e guximshme nga ana e saj.
Portreti dhe vepra e Musinesë
Meliza Krasniqi në librin e saj studimor, titulluar “Vepra e Musinesë”, ka arritur ta kornizojë portretizimin e një shkrimtareje shqiptare, Musine Kokalarit, botën e saj emocionale dhe dekadat e errëta nëpër të cilat kaloi ajo. Musineja në studimin e Melizës nuk është gruaja e letërsisë botërore që u dha pas pasionit për të thyer kode të moralit dhe për të krijuar botëkuptime të reja në shoqëri, ajo është thjesht një personash grua shqiptare e cila përpiqet të shohë përtej asaj çfarë ia kishte ofruar mendësia shqiptare. Ajo është heroina e saj, grua inteligjente, me botë të pasur dhe mbi të gjitha grua që ia njeh vlerën vetes dhe që nuk pranon të jetë viktimë e sistemit në fuqi. Me një fjalë të thjeshtë, unë do të thosha se Musineja e Melizës është një shpirt i fuqishëm dhe poete origjinale.
Vlera e një studiuesi qëndron në zbulimin e një diçkaje që e veçon shkrimtarin. Falë talentit të saj prej studiuese, modelin që Meliza Krasniqi zgjedh për personazh të saj kryesor është simbol i gjenialitetit intelektual mes grave shqiptare. Në këtë vepër studimore ajo ka paraqitur në mënyrë të thellë e shkencore botën e kësaj poeteje, e cila zgjodhi letërsinë si “një vendstrehim” ku u mbështet edhe në rastet më të rënda. Gjuha e jetës dhe e letërsisë në krijimtarinë e Musinesë kombinohen, prandaj studiuesja Krasniqi shprehet: Gruaja ne poetikën e Kokalarit është çfarëdo gruaje e kohës, e cila ilustrohet e trazuar shpirtërisht dhe e cila jetën e koncepton si dëshpërim, vuajtje dhe mjerim. (Krasniqi 2019: 59).
Poeten Kokalari dhe studiuesen Krasniqi i lidh një subjekt i përbashkët, subjekti në dy rastet është i ushqyer nga figura grua. Kokalari, me një mjeshtri të përsosur të lirikës, ndan dhembjen me fatin e gruas së thjeshtë shqiptare. Lirikat e përfshira në vëllimin me poezi të saj “Kolla e vdekjes” shprehin bukur gjendjen shpirtërore të poetes. Poezitë e saj janë zëri i një shpirti të zymtë dhe vajtues. Meliza analizon në detaje rolin e femrës në poezinë e Musinesë. Gruaja e poezive paraqitet në gjendje shpirtërore të ndryshme dhe përgjatë periudhave të jetës, si vajzë e re, nënë me fëmijë, grua e thjeshtë etj. Prapa subjektit të poezive të saj kërkohet një grua e cila nuk do të rrinte e mbyllur vetëm brenda mureve të shtëpisë, por me fuqinë dhe zërin e saj, mund t’i jepte botës një imazh me më shumë ngjyra.
Në monografinë gjithëpërfshirëse të krijimtarisë së Musinesë, “Vepra e Musinesë” analizohet e gjithë krijimtaria e Musinesë “letrare dhe jo letrare” siç e cek studiuesja Krasniqi.Në dhjetë kapitujt e përfshirë në këtë vepër punimi, ku ndiqet modeli kronologjik i krijimtarisë së Musinesë, ne gjejmë të manifestuar një shkallë të lartë të qartësisë dhe kthjelltësisë së shkrimit. Për librin e saj dhe zotërimin e saj mjeshtëror të përshkrimit studimor e biografik të Musinesë, flet edhe recensuesi i librit, Gëzim Aliu: Meliza Krasniqi i është qasur veprës së Musinesë përmes gërshetimit të metodave shkencore, nga analiza tekstuale e deri te metoda sociologjike”(Aliu, 2019). Dhe, ne pajtohemi të definojmë faktin se mbi të gjitha veprën në fjalë e shquan trajtimi shkencor.
Shikuar në strukturën e veprës, studiuesja Krasniqi, profilin e poetes Kokalari e ndanë në pesë pamje. Çdo pamje tregon biografinë jetës së saj dhe nëse mund i shtjellojmë në pika të shkurtra, Pamja e parë – familja, tregon familjen, prejardhjen e familjes së saj, në pamjen e dytë – shkollimi, paraqitet shkollimi i saj, nga ku u pajis me një kulturë të shumanshme, bën studime edhe jashtë vendit, pamja e tretë – shoqëria, zbulon shoqërinë e saj, nga ku mësojmë se Musineja është shoqëruar me një varg emrash të njohur të politikes dhe kulturës, te pamja e katërt – letërsia paraqitet esencialja se si është formuar personaliteti artistik dhe letrar i saj, dhe pamja e pestë, politika, shpalos sakrificën e saj në politikë, dhembjen e saj pas vrasjes së shumë anëtarëve të familjes dhe paraqitet e prirë të merrte vendimet më të rënda. Studiuesja Krasniqi në veprën e saj përfshinë çdo gjë që është esenciale në lidhje me biografinë dhe portretin e saj, përderisa karakteri i poetes del një grua me vullnet të paepur dhe në secilën pamje tregon guxim, nder, shpresë, krenari, dhembje dhe mëshirë.
Struktura dhe rrjedha e librit vazhdon me pikëpamjet e studiues Krasniqi, duke u përqendruar në prozën e Musinesë, me ç’rast shprehet se Musine Kokalari shfaqet si fenomen letrar në gjininë e prozës, duke sjellë risi tematike, teknike e stilistike në letërsinë shqipe, pra sjell krijime origjinale (Krasniqi 2019: 67). Studiuesja Meliza Krasniqi më së shumti fokusohet në tri veprat në prozë: Siç me thotë nënua plakë, Rreth vatrës dhe …sa u tunt jeta. Në rastin e parë, Siç me thotë nënua plakë studiuesja i qaset nga aspekte teorike, duke thënë se tregimi me po të njëjtin titull është tekst që i prin veprës për nga ndërtimi teorik, shfaqja formale e diskursi (Krasniqi 2019: 69). Ndërkaq, “Rreth vatrës” është përmbledhje tregimesh të lidhura të cilat do t’i lexojmë si strukturë e thurur nga tekstet integrale të përrallave dhe formave të tjera orale (Krasniqi 2019 :118), kurse, “…sa u tunt jeta” është roman me karakteristika të veçanta si për kah teknika e krijimit, ashtu edhe për kah ideja, themi se është projekt eksperimentimi me rëndësi të veçantë. Autorja në këtë vepër zgjedh të shkruaj për ceremonialin e dasmës ku mbulohen dhe përfshihen doket, zakonet, ritet, jetesa etj. (Krasniqi 2019: 159-160).
Studiuesja Krasniqi merret edhe me librin e fundit të Musine Kokalarit Si lindi partia Social Demokrate, udhëheqëse e së cilës parti ishte vetë Musineja. Libri dëshmon dhe rrëfen karakteristikat e vitit 1937 deri në lirimin e saj nga burgu në vitin 1961. Kokalari shkruan hollësisht për takimet, diskutimet, vendimet e partisë dhe të vetat personalisht: të gjitha këto ndërtohen përmes kujtesës së saj, tridhjetë e pesë vjet më vonë.
Të një rëndësie të veçantë janë edhe pjesët tjera më të shkurtra të këtij libri studimor si: “Kujtimet”, struktura e të cilave nuk është e përcaktuar me ndonjë rregull, janë shkruar në forma të shkëputura dhe të shkurtra. “Letrat”, për të cilat studiuesja e Kokalarit vlerëson se nuk janë aq intime, por megjithatë ato bartin mjaft shenja autobiografike, ato janë të shkruara ne veten e parë me një diskurs krejt personal. Gjithashtu, në fund të këtij libri, studiuesja Krasniqi shton edhe një skicë të shkurtër mbi kritikën e jetës dhe veprës së poetes së parë shqiptare, ku studiues të ndryshëm të letërsisë shqipe, me studimet e tyre kanë hedhur dritë mbi jetën dhe krijimtarinë e saj.
Përfundim
Musine Kokalari vdiq nga kanceri i gjirit. Ajo vdiq e vetme dhe e internuar në Rrëshen. Jeta e saj e rëndë është rezultat i asaj që ajo ishte gjykuar si antikomuniste dhe iu desh të paguante shtrenjtë qëndrimin ndaj realitetit. Për një sistem të pandjeshëm ndaj së vërtetës, fjalët dëshmohen si gjëja më e fuqishme në botë. Ishte e qartë se një grua e sinqertë dhe vizionare siç ishte Musineja, ishe e shënjuar nga një sistem i tillë. Ajo nuk u përkul, ajo nuk kishte frikë nga diktatura komuniste. Ishte e vetëdijshme për detyrën dhe për misionin e saj. Gra të tilla mbesin përherë në kujtesën e kombit.
Shikuar nga këndshikimi i studiueses Krasniqi, sa i përket konceptit krijimtarisë së poetes, ajo thotë: Duke vërejtur se lexuesi dhe kritika kanë qëndrime të anshme ndaj figurës së Musinesë, pasivë ndaj veprës dhe aktivë ndaj jetës, jemi munduar që, për lexuesin e ardhshëm të saj, të argumentojmë se Musineja, përveç intelektuale e diplomuar në Romë, me origjinë nga një familje aristokrate, e dashur dhe e respektuar nga intelektualët dhe personalitetet e kohës, e dënuar dhe e persekutuar për shkak të politikës, ishte e para shkrimtare grua shqiptare dhe e vetmja deri në vitet 1960 që botoi libër. (Krasniqi 2019: 239).
Studimi i studiueses Meliza Krasniqi mbi krijimtarinë e shkrimtares Musine Kokalari është një ndër të arriturat më të dalluara dhe më me vlerë studimore të kohëve të fundit në botën intelektuale shqiptare./ ObserverKult