Meliza Krasniqi sjell në shqip “Narratologjinë” e Mieke Bal-it


Libri i Mieke Bal-it “NARRATOLOGJIA- Hyrje në teorinë narrative”, i përkthyer nga Meliza Krasniqi, hyn në radhën e librave teorikë më me ndikim në teoritë bashkëkohore letrare. Botimi i katërt i këtij libri u bë këto ditë nga “Artini” (Prishtinë) dhe ka 334 faqe.

Nga Agron Gashi

Bal ka zgjedhur të teorizojë rreth tri kategorive esenciale të narratologjisë: Tekstit narrativ, Storjes dhe Fabulës.
Sipas saj, përkufizimi i këtyre tri kategorive së bashku përbëjnë teorinë që e shtjellon ky libër.
Te pjesa e parë, Bal fokusohet në disa shtylla narratologjike, si: Narratorin, Komentet jonarrative, Përshkrimin dhe Nivelet narrative.
Te pjesa e dytë, Storja–Aspektet, ajo trajton Temporalitetin, Rendin sekuencial, Ritmin, Frekuencën, Personazhet, Hapësirën dhe Fokalizimin.
Ndërsa, në pjesën e tretë, Fabula dhe Elementet, autorja shqyrton Ngjarjet, Aktorët, Kohën dhe Lokacionin.
Secili kapitull teorik zbërthehet edhe në nënkapituj të tjerë, duke sistemuar koncepte e konkretizuar çështje narratologjike. Përveç të tjerave, konceptet që vihen në shqyrtim, shoqërohen me shembuj konkretë nga vepra e kryevepra të letërsisë së përbotshme.
Në një fragment introduktiv të këtij botimi thuhet:
“Që nga botimi i parë në gjuhën angleze në vitin 1985, “Narratologjia” e Mieke Bal-it është shndërruar në hyrje klasike ndërkombëtare për teorinë e teksteve narrative.
“Narratologjia” shpjegon sistematikisht teknikat dhe metodat narrative, transmetimin dhe receptimin e tyre që Bal i kishte mësuar me vite dhe kështu ajo i përpunon mënyrat me anë të të cilave ne i kuptojmë veprat letrare.
Në botimin e katërt, Bal e përditëson librin me një përqendrim më të madh në narrativat letrare, duke e qartësuar dhe forcuar gjuhën për ta bërë këtë botim më të lexueshëm dhe më të favorshëm për studentët.
Me të gjitha ndryshimet e nxitura nga reagimet, përgjatë dhjetë vjetëve, nga ana e studiuesve dhe mësuesve, “Narratologjia” mbetet kontribut i rëndësishëm për studimin e mënyrës se si formohen dhe si pranohen veprat narrative.”
Ky është libri i tretë teorik i përkthyer nga Meliza Krasniqi.

ObserverKult