Shkrimtari i njohur, Salman Rushdie, ka folur me detaje rrëqethëse për BBC për atë që kujton nga sulmi i dy viteve më parë, në të cilin u godit me thikë në skenë. Autori fitues i çmimit ‘Booker’ tha se syri i tij mbeti i varur poshtë fytyrës si një vezë e zier dhe se humbja e syrit e mërzit atë çdo ditë.
“Më kujtohet kur mendoja se po vdisja. Për fat të mirë, gabova”, tha ai.
Salman tha se ai po përdor librin e tij të ri, Knife, si një mënyrë për të luftuar kundër asaj që ndodhi. Sulmi ndodhi në një institut arsimor në shtetin e New York në gusht 2022, teksa ai po përgatitej të jepte një leksion.
Ai kujtoi sesi sulmuesi erdhi “duke ngjitur shkallët me shpejtësi” dhe e goditi me thikë 12 herë në qafë dhe në bark, në një sulm që zgjati 27 sekonda. Ai u dërgua në një spital me helikopter dhe kaloi gjashtë javë duke u rikuperuar atje.
Autori britaniko-amerikan me origjinë indiane, 76 vjeç, është një nga shkrimtarët më me ndikim të kohëve moderne. Sulmi dominoi titujt e lajmeve anembanë botës. Salman më parë kaloi disa vite i fshehur pasi botimi i Vargjeve Satanike në vitin 1988 shkaktoi kërcënime kundër jetës së tij.
Sulmi dëmtoi mëlçinë dhe duart e tij dhe i preu nervat në syrin e djathtë. Ai zbulon se duhet të tregojë më shumë kujdes kur ecën poshtë shkallëve, ose kalon një rrugë, apo edhe kur hedh ujë në një gotë.
Por ai e konsideron veten me fat që ka shmangur dëmtimin e trurit. Për herë të parë, Salman ka zbuluar se çfarë do të dëshironte t’i thoshte sulmuesit të tij të dyshuar.
Hadi Matar, një 26-vjeçar, banor i New Jersey, është akuzuar për plagosjen me thikë. Salman nuk e ka takuar kurrë Matarin. Por ai ka të ngjarë të dalë ballë për ballë me të në gjykatë kur të fillojë gjyqi.
Udhëheqësi i atëhershëm i Iranit Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një fetva (dekret fetar) në vitin 1989, duke bërë thirrje për vrasjen e Rushdie dhe duke vendosur një shpërblim prej 3 milion dollarësh (2.4 milion £) në kokën e autorit. Ajo fetva nuk është anuluar kurrë.
Si rezultat, Rushdie u detyrua të fshihej për gati një dekadë dhe kërkoi një truproje të armatosur për shkak të numrit të kërcënimeve me vdekje që mori. Salman, i cili ka lindur nga muslimanë jo-praktikues dhe është ateist, ka qenë prej kohësh një avokat i zëshëm për lirinë e shprehjes.
“Unë nuk dua një jetë të kufizuar. Unë do të kem jetën time,” tha ai./gazetashqip
ObserverKult
————————-
Lexo edhe: