Mërgim Bekteshi: “Kronikë në gur” dhe Nobeli i ngurtë

ti ishe per mua, poezi nga ismail kadare observerkult

Nga Mërgim Bekteshi

Çmimi “Nobel për letërsi” sikur po e mban peng për gati tri dekada shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadarenë, i cili me veprat e tij artistike ka bërë një shtrirje botërore. Ndoshta politikat dhe konceptet të tjera të këtij fondacioni apo akademie po e “anatemojnë” këtë figurë të rëndësishme të letërsisë shqipe e ndërkombëtare. Ngushëllim mund të gjejmë duke njohur të kaluarën, kur shumë shkrimtarë të njohur botërorë nuk kanë arritur ta fusin nën sqetull një çmim të tillë për arsye të ndryshme. Disa çmime që disave u janë duke dhënë në botë, posaçërisht në letërsi, muzikë dhe film, nga njohësit kompetentë nuk janë konsideruar si të vlerësuar denjësisht. Edhe Nobel duket se po humbë kuptimin.

Duke iu kthyer Ballkanit ku ishin të panumërta ngjarjet me kronika të pareshtura, luftërat, miqësitë e rreme dhe plot intriga, sa nga një pushtues në pushtuesin tjetër që rraptonin të çrrënjosnin Shqipërinë, një shkrimtar nga jugu i lindur në kohën e Mbretit Zog, do të jetojë dhe shkruajë letërsi shqipe nën tutelën e diktaturës komuniste. Ai arriti të krijonte vepra të shumta e njëra ndër to “Kronikë në gur”, që në lexim të parë, të përgjithshëm, duket se sjell ngjarje krejtësisht me motive ballkanike. Në vendin e thashethemeve dhe me plot motive përplasjesh, vrasjesh, spiunëve gjithandej, herezish, sëmundjesh dhe pisllëqesh të tjera, deri diku edhe ndonjë motiv të bukur e më pak të ndjeshëm, Kadare do të kurorëzonte një diademë të shkruar mjeshtërisht. Mjeshtri rrëfimi për çudirat e pranishme në Ballkan, për popujt që jetojnë me thashetheme,  cinizëm,  smirë, kobndjellje.

Studiues të shumtë, vendorë dhe ndërkombëtarë, kanë vënë në pah se Kadare është një krijues i jashtëzakonshëm në letrat e tij apo, më saktë, prozën romanore. Shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Gëzim Aliu, thekson se “Kronikë në gur” “Është roman që e shpërfill në mënyrë perfide doktrinën e realizmit socialist. Duke përdorur perspektivën fëmijërore, autori real e trajton temën e Luftës së Dytë, por duke mos shkruar direkt për Luftën Nacionalçlirimtare. Ky roman është thjesht i bukur, kryevepër.

Ky është roman i kujtesës personale e intime autoriale”. (“Koha Ditore”, 2017). Ndërsa në një studim tjetër të po këtij autori, duke analizuar çështjen e parodizimit të mitit partizan, theksohet mënyra si e bën Kadare këtë: “…gjatë tërë romanit duket se autori lë përshtypjen se po i thur  himn këtij miti”. Sipas G. Aliut, kështu realizohet tërësisht parodia (“Romanet e Ismail Kadaresë 1963-1990”, Aliu G. f.107). Kjo stisje apo mjeshtëri gjendet jo vetëm te “Kronikë në gur”, por edhe te disa romane të tjera që vijnë me këtë satirë të hollë.

Një tjetër studiues i anatemuar i sistemit në Shqipëri, Arshi Pipa, në parathënien për romanin “Kronikë në gur” thekson: “…sjell një pikë të mprehtë rebelimi jokonformist të autorit dhe akuzon këtë herë në mënyrë të nënkuptueshme partinë komuniste, që nxiti luftën civile dhe shndërroi luftën kombëtare kundër fashizmit në luftë klasash” (Kadare, Vëllimi 4, f.11). Një tjetër studiues, Leonie Caldecott,  për “The New York Times Book Review” deklaron se “Proza e Ismail Kadaresë është krahasuar me atë të Gabriel Garcia Marquez-it. Sigurisht që ai indukton të njëjtën ironi te lexuesit me anë të këndvështrimit magjik të jetës së një fëmije që është shumë më i madh sesa i të rriturve. Triumfi i “Kronikë në gur” është se nuk ka nevojë të ndahet nga kënaqësitë estetike unike të kohës, hapësirës dhe veprimit me qëllim që të arrijë te lidhja argëtuese e realizmit dhe fantazisë” (Shtëpia e Librit.com, shikuar në tetor).

Kemi edhe shumë e shumë mendime dhe antagonizma të tjera që i bien rreth e përqark veprës “Kronikë në gur” duke e përshkruar atë si “një mjeshtri e veçantë” e rrëfimit e disa të tjerë që ka elemente maksiste-leniniste, që nuk gjenden fare në këtë prozë. Përmes rrëfimit të një fëmije (nuk dihet mosha), por që ka edhe ‘aftësinë’ për të soditur një kohë të gjatë një femër të bukur e deri te rrëfimet e përshkrimet që kanë pa dyshim vizualitet grotesk, por edhe shumë ngjyrim real, shohim një botë të tërë të qytetit të gurtë.

Në një tjetër dimension, ky roman, por edhe disa romane të tjera, paraqet jetën civile të qytetarëve gjirokastritë: pronat, patundshmëritë, martesat, kuptimi i tapive, gjyqet, përmbarimi që manifestohen me personazhet e shumtë dhe të njohur. Në këtë diskurs të jetës fëmijërore, autori kujton edhe përçudnime të tjera që ndodhin në qytetin e gurit ku shtëpitë janë të përafruara dhe të panjohurat janë të njohura.

Në fokusin kadarean që bjen në sy, është marrëzia që shpërfaqet dukshëm në jetën e përditshme shoqërore dhe çdo gjë që nuk është në harmoni me rrethin shoqëror apo social mund të konsiderohet marrëzi. Këto tipare të jetës që mund të dukeshin normale në vendet me zhvillim, në Ballkan dhe në Gjirokastrën e tij, shiheshin me skepticizëm si: mbajtja e syzeve, sjelljet e një homoseksuali, leximi i librave nga vajzat, bordelet me gra italiane dhe magjitë që sjellin skëterrë në jetën shoqërore.

Në kuptimin e organizimit shoqëror, ashtu siç theksojnë G. Aliu dhe A. Pipa, ai arrin të shpërfillë duartrokitjen për socializmin e komunizmin, përmes kujtimeve fëmijërore përqesh kulturën italiane, greke dhe proletariatin që duket sheshazi se po vinte të pushtonte Shqipërinë me një flamur të kuq.

Letërsia, ashtu siç thekson Kadare, ishte atdheu tij i dytë (Pesha e kryqit). Në tërë këtë shfaqje teatrale, ai duhej të gjente bashkëjetesën në mes të vdekjes dhe jetës. Për stilin dhe elementet e tjera letrare e gjuhësore, njohësit e shumtë i kanë përcaktuar në mënyra të ndryshme të arriturat e tij.

Megjithatë, edhe pse viti 2022 iku pa Kadarenë laureat të Nobelit, kokëfortësia e akademisë nuk mund të shpronësojë vlerat e njëmenda që ka krijuar për dekada ky autor shqiptar e botëror. “Kronikë në gur” është vepër e përveçme e letërsisë dhe romanet e tij, siç thotë Gëzim Aliu, do të lexohen sot e nesër dhe gjithmonë do të krijojnë kënaqësi estetike.    

ObserverKult


Lexo edhe:

PSE ISMAIL DHE HELENA KADARE NUK E PRESIN MË “NOBELIN”?!

VJEN REAGIMI NGA ISMAIL E HELENA KADARE: KUSH ËSHTË KJO SHKRIMTARE QË FITOI NOBELIN?