Mërgim Bekteshi: Një lirikë premtuese

Mërgim Bekteshi

Nga Mërgim Bekteshi

Shkrimtari i madh, Franz Kafka pati thënë: “Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato”. Në përpjekje për të sfiduar një thënie të ngjashme është Mirvete Gashi, e cila duke shfrytëzuar kohën e pandemisë, arriti të botojë veprën e parë me poezi, “Ti vjen për mua”, me gjithsej 94 poezi të ndara në katër cikle, botuar nga Shtëpia Botuese “Shkrola”. Poetja M. Gashi, studimet themelore i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik, po ashtu edhe studimet master, po në këtë drejtim. 

Mirvete Gashi, përkundër studimeve nga fusha ekonomike dhe financiare, ka një konsekuencë për poezinë që e kultivon që nga rinia, duke botuar në gazetat dhe revistat e kohës, finalizimi i të cilave është përmbledhja e botuar tash, në vitin 2020, për të vënë para lexuesve idetë, përpëlitjet, frymëzimin plot me ofshamë, duke mos ikur nga ekzistencializmi, dhe shpesh duke u ndeshur me realitetin me përpjekje të imagjinatave.

Tendenca e poetes nuk reflekton numra dhe nocione ekonomike, por ballafaqimin e njeriut me jetën, sfidat mbi të cilat njeriu atakohet shpeshherë, kapërcyell drejt cakut, finales, dritës në fundin e tunelit. Të gjitha këto vargëzime kanë një konsekuencë, relativisht me dimensione të ndryshme që autorja mundohet t’i realizojë me mjeshtri, me shpresën e rimëkëmbjes, që gjenden edhe te fusha ekonomike. Por, në këtë pikë ajo ndërron trajtën, duke i dhënë vargut një qasje më shpirtërore se sa enumeracione apo trajtesa ekonomike.

Struktura dhe narracioni i poezisë është i natyrës bashkëkohore, një rrjedhje e lirë e fjalës shqipe duke mos mbetur peng në rimën, metrikën, por duke ruajtur mendimin dhe porosinë esenciale të shqipes standarde. Në këtë pikë ajo vërehet se ka përvetësim të bollshëm për gjuhën shqipe, që e plotëson në varg duke mos i mbetur borxh për asnjë fjalë të vetme.

Libri i ndarë në katër cikle, fillon me poezinë “Karvani i lirisë”, poezi e ndarë nga katër ciklet, ku poetja përshkruan protestën studentore në Velani të Prishtinës që u përgjak nga aparteidi. Pesha poetike e vargut shpërfaq robërinë që ishte pengesë për jetësimin e shumë ëndrrave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Cikli i parë fillon me “Zog i vetmuar”, një shtegtim i poetes që sfidon relativen, për vitet e hidhura, përgjumjen, humbësin, kotësinë, mallëngjimet e përditshme, gjurmë të së kaluarës etj.

Në ciklin e dytë, poezia “Ti vjen për mua”, që ia jep titullin edhe librit, është lirika më premtuese. Në këtë cikël kemi pritjet, personat e spikatur, koha e premtuar, e ardhmja e sfilitur që shoqërohet me dhembje dhe plot poezi që përbëjnë edhe numrin më të madh.

Në ciklin e tretë “Jam me fat”, është një natyrë tjetër e poezive, që shoqërohet me një dozë të kujdesur optimizmi, por që hapëron herë pas here në varg më figurativ, imagjinatë personifikimi kundruall dëshirës relative.

Ndërkaq, në ciklin e katërt, “Ora ime”, kemi poezitë e përziera me karaktere të ndryshme, por sugjestionohen nga matja kohore apo fusha magnetike. Me këtë përmbledhje të poezive, Mirvete Gashi dëshmon se është një poete premtuese, e cila vë në qendër talentin e saj plot ngrohtësi ndaj vargut të shqipes, lirikë premtuese dhe me domethënie kohore.

(Shkëputur nga libri “Shkrime për drejtësinë dhe letërsinë”)

ObserverKult


Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: PËR DASHURINË

MËRGIM BEKTESHI: EPISTEMOLOGJIA E BURGUT