Mërgim Bekteshi: Para akti në poezinë e Bujar Tafës

kam me ardhë si deka

Poezitë e Bujar Tafës paraqesin aktin e një thellome ballkanike, që ka ecur me shekuj kundruall civilizimeve, duke pësuar ndryshime të ngadalshme, herë pas here metamorfozë, përplasje mes popujve, që thirren në të drejtën deri te mohimi i ekzistimit. Ende kanë mbetur plagë të thella, të pashëruara, skëterrë ngjarjesh që autori nuk mund t’i shmangë në çastet poetike, në kujtimet e përjetuara dhe në rrethanat historike që shfaqen si monologë në mes të vargjeve të tij.

Nga Mergim Bekteshi

“Parapoezi” është libër me poezi i studiuesit të letërsisë, Bujar Tafa, botuar në vitin 2014, në një format që disa do ta quanin libër xhepi.  Libri është i ndarë në shtatë cikle që në pamje të parë të ngjajnë në një shthurje, sikur ngatërrim i ditëve të javës. Por, kjo është mjeshtëri e poetit për t’ia dhënë një ‘torturë’ të këndshme lexuesit, për t’ia zgjuar kureshtjen. Ciklet janë: Shpërthimi i madh, Empatia, Arapi, Ballkan, Cirk, Simpatia dhe Vrima e zezë. Ndryshe nga poezitë të tjera që flasin për jetën dhe vdekjen, në poezinë e Bujar Tafës kemi një mes, një purgator që shtrinë krahët në të dy skajet.

Në shpërthimin e madh, trajta e ekzistencës sfidohet nga mungesa e lirisë dhe konfrontimi i nacionaliteteve, referim për këtë janë dy poezi: ADN dhe Big bang. Në të parën poezi, poeti bën hulumtime empirike për të identifikuar, për të kuptuar rrjedhën e procesit shoqëror që është më i madh se vetë komponenti biologjik, që ka shpirt dhe frymë:

ADN-ja nuk është veç materie,

komponenti i jetës

ka kohë dhe hapësirë, gjak.(fq. 13)

Dhe vargu tjetër, që shfaq një pabarazi sociale, fillon të zbresë në fusha më të thella studimi, mohimin e qenies njerëzore që nga krijimi i universit, një Big bang që duhet të përfshijë të gjithë. Liria nuk duhet të jetë vetëm e një etniteti, por e të gjithëve, kurse shijimi i lirisë nuk mund të funksionojë si përtypje burokratike, e shtetit që thirret në ligjet e në të drejtën, teksa vetë ky mekanizëm është shkelësi, çizmja e gjakosur mbi fëmijën e pafajshëm, kumti i dëshpërimit:

E di se një djalosh tash po fsheh

librin kur kalon nga ushtarët jahudi.

Një rus me armë shqelma nxjerr nga

treni një çeçen plak,(fq.17)

Në ciklin e dytë, autori thellohet në mizoritë e ngjarjeve ballkanike, depërton pa asnjë bishtnim drejt krimeve makabre, që në hetime e gjykime e rregullta do të quheshin gjenocid. Por, ngadalë, ky veprim fillon të duket normal në konturet e dritëhijeve ballkanike, diçka që mund të duket perverse, tani aktualizohet me duartrokitje:

Ngarkoni kufoma

fëmijë stërvina.

Porosis kurva të reja,

festa bunga-bunga.(fq.31)

Festat e trishta fillojnë edhe me ciklin e tretë Arapi. Mizoria kalon përtej kufirit ballkanik, Afrikë, Azi, ku shkeljet e të drejtave të njeriut ndodhin orë e çast, njeriu nuk duket si qenie me vetëdije (homosapiens), por një diçka si e drejtë sendore. Të drejtat e njeriut mund t’i tjetërsojnë lehtë, t’i shesin, t’i blejnë, e mbi të gjitha, njeriut mund edhe t’ia marrin jetën. Këtë e gjejmë më së miri te poezia Kanibal me smoking:

Në vitin dy mijë e disa vjet

në baret e metropoleve,

për herë të parë në histori

do të legalizohet mishi i njeriut të racës sonë.(fq. 40)

Në ciklet Ballkan dhe Cirk poezia prapë kthehet në Ballkanin e çudirave, intrigave, vrasjeve dhe mashtrimeve perverse. Fati i poezisë fillon me Jugosllavinë, shtet i shpërbërë në dekadën e fundshekullit njëzet që prodhoi kriminelet me të mëdhenj, të cilët gjatë ditës bëjnë masakra e gjatë natës kotin kokën në prehrin e grave të tyre duke lëmuar me njërën dorë fëmijët e vet që posa janë rritur. Poezitë reflektojnë lirinë e nëpërkëmbur, fatin e popujve dhe po me të njëjtin ritëm vazhdohet me Cirkun që mbart pasojat. Në cirk, shakaja mbytet nga marazi e smira e përditshme, ndjenjat për të tradhtuar intuitën dhe kthimin në gjenet e të parëve:

Eva vazhdon së ngrëni

mollën e dreqit,

nuk ngihet dot (fq.96)

Cikli i parafundit është një dromcë e lehtë erosi, Simpatia, që del jashtë nga ndrydhja e ndjenjave me të cilat ballafaqohemi në ciklet e tjera të poezive. Edhe pse vërehen rezerva më të mëdha, poeti gjen pak dashuri në Ballkanin e Evropës. Niveli i komunikimit në këtë cikël është i kujdesshëm, nuk nxitohet me fjalë dhe frymëzime të mahnitshme dashurie:

E vure re

fustanin ta palosa,

lehtë ta lashë palë në krevat.

Ta qela derën

bashkë dolëm jashtë.

u përziem me erën, barin.

Vrima e zezë, cikli i fundi, është përmbyllje e librit “Parapoezi” me aktin e shfaqjes së universit, me vrimën e zezë që gëlltit planetët, objektet e tjera, tokën e lodhur, që nuk i qëndrojnë besnike trajektores dhe gravitetit. 

Nga ana gjuhësore, poeti i ndërton poezitë në standard, por duke i dhënë vargut një subjektivitet të veçantë stilistik.

ObserverKult