Libri elektronik “The State of Scanderbeg, Institutions and the Applied Law” me bashkautorë Bashkim Rrahmanin dhe Majlinda Belegun, botuar nga sh.b., Adjuris – International Academic Publisher, Bukuresht, 2020, fillon me thënien e Kristo Frashërit: “Nuk është i vërtetë pohimi i disa historianëve skeptikë se Skënderbeu ishte i ngritur lart në piedestalin e historisë shekullore nga Barleti. Është krejt e kundërta: ishte vepra e Skënderbeut, që e ka shtyrë Barletin të shkruajë veprën e vet të pavdekshme”(fq. 9). Ky libër është i shkruar në gjuhën angleze, si për çudi ashtu sikur Marin Barleti që bëri të njëjtën me historinë për Dominus Albaniae, Zotin e Shqipërisë, Skënderbeun, libër që e botoi në gjuhën latine.
E veçanta e këtij libri është se, përpos anës historike, për të cilën flitet kalimthi, autorët janë fokusuar te sistemi i së drejtës, shteti dhe funksionimi i tij në kohën e kalorësit të madh, Skënderbeut, i cili vuri themelet jo vetëm të sistemit ushtarak, por edhe organizimin e gjithëmbarshëm shoqëror të arbërve në kohën e mesjetës. Pra, ishte Gjergj Kastrioti ai i cili bëri një vepër të madhe historike, kthimin në vendlindje, pasi u mor peng nga turqit, një metodë kjo e errët e tyre që zgjati me shekuj. Ai e gjeti vendin në një krizë jo vetëm ekonomike, por edhe të shthurur pas pushtimit nga Perandoria Osmane nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër nga shtetet evropiane që gllabëronin trojet e Arbrit çdo ditë e më tepër.
Bashkautorët e librit janë njohës të disiplinës juridike: njëri nga e drejta ndërkombëtare publike dhe tjetra nga ajo civile. Të dy i kanë qëndruar besnikë këtij hulumtimi dhe strukturës së librit. Janë gjashtë kapituj me referenca të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore që reflektojnë funksionimin e shtetit shqiptar në kohën e Skënderbeut. Pa dyshim se ana historike, letrare dhe filozofike përfshihet në kapitullin e parë dhe të dytë, ndërsa kapituj e tjerë janë në përndjekje të së drejtës apo hulumtimeve më të përqendruara në sistemin e së drejtës dhe funksionet e shtetit në kohën e Skënderbeut. Institutet e krijuara u mbështetën në jetësimin e funksionimit të aparaturës shtetërore, një organizim i mirëfilltë që dërgoi te periudha e çlirimit nga zgjedha turke. Në këtë gjendje të rëndë, Zoti i Shqipërisë, jo vetëm që konsolidoi shtetin shqiptar, por ai arriti të ndalë për mbi dy dekada pushtimin osman jo vetëm ndaj tokave të Arbrit, por edhe pamundësoi pushtimin e Evropës. Evropa i priste me ankth lëvizjet osmane që ishin afër të trokisnin në portën e tyre, sidomos pas pushtimit të Kostandinopojës dhe shpresa e vetme ishte Skënderbeu, edhe pse ai nuk u mbështet aq denjësisht nga ky djep i civilizimit të krishterë.
Dihej mirëfilli se mesjeta dhe funksionimi i sistemit shtetëror kishin bazën kryekëput në feudalizëm. Këtë trajtë të organizimit sipas autorëve e zhvilloi edhe Skënderbeu pas kthimit në vendlindje në vitin 1443 (sipas burimeve historike). Tendenca e ushtrimit të pushtetit nuk mund të veçohej për një sistem më të ri, por halli më i madh i Arbrit ishte pushtimi që i kanosej sa nga turqit, aq nga vende të tjera ballkanike e evropiane. Në këtë pikë të vështirë, organizimi shtetëror i Skënderbeut kishte qëllim t’i afronte princat shqiptar drejt një Besëlidhje që u arrit në Lezhë dhe mori trajtën e një organi të rëndësishëm shtetëror, quajtur “Kuvendi”, që, më pastaj, të shtynte përpara segmentet e tjera të organizimit apo organogramit të funksionimit të shtetit shqiptar, po ashtu edhe mbrojtjen nga armiqtë.
Në kapitullin e tretë, autorët Rrahmani dhe Belegu i qasen formimit të organeve të larta të shtetit (fq.23). Me gjithë dyshimet e studiuesve të huaj, autorët në studimin e tyre pohojnë se Skënderbeu krijoi të gjithë strukturën e nevojshme, kohore, që shteti të kishte aparaturën për funksionim jo vetëm në kuptimin ushtarak, por edhe të administratës. Kjo nënkupton se Skënderbeu nuk ishte vetëm strateg lufte, por edhe burrështetas dhe diplomat i rryer i kohës. Kapitulli përfshin Kreun e shtetit që përfaqësohej nga monarku feudal dhe që qëndronte në majën e piramidës së organizimit, ndërsa titulli “Mbreti i Shqipërisë” do t’i jepej nga Papa i kohës vetëm në vitin 1466 (fq.25). Kjo vonesë e këtij titulli nënkupton dyshimet evropiane për një strateg të madh dhe jo mbështetje e kënaqshme, por Evropa kishte nevojë thelbësore për shërbimet e Skënderbeut. Kjo strukturë u ngjesh me formimin edhe të Kuvendit i Princave Shqiptarë, Këshillin e Lartë, që nënkupton se Skënderbeu, përkundër elementeve të monarkisë feudale, krijoi një demokraci brenda këtyre institucioneve.
Në kapitullin e katërt, autorët janë përqendruar tek administrata shtetërore. Skënderbeu kishte oborrin mbretëror, ku mblidhte fisnikët e mëdhenj dhe të vegjël. Organizimi i këtij magjistrati kishte funksion komandues me karakter qendror dhe lokal. Komanda ushtarake dhe sistemet e tjera ishin të centralizuara: në këtë disiplinë Skënderbeu manifestonte gjithë organizimin, shkathtësitë e të cilit bënë përshtypje edhe pas vdekjes së tij. Një gjeneral anglez, James Wolf, në vitin 1756 shkroi për aftësitë dhe metodat e Skënderbeut që i përdorte ai në mbrojtje dhe sulm (fq.30). Në këtë segment është edhe Këshilli i Luftës. Për të autorët kanë potencuar se përbënte një rëndësi të veçantë edhe në këshillim, edhe në vendimmarrje. Në këtë perceptim të funksionimit administrativ është edhe organizimi financiar dhe organet e punëve të jashtme. Për këtë të fundit, gjejmë edhe burime të diplomatëve të kohës (fq. 32).
Kapitulli i pestë sqaron normat juridike në periudhën e lavdishme të Skënderbeut. Trojet e Arbrit në këtë kohë janë gërshetuar me lloje të ndryshme të ligjeve, të ndikuara nga ato romake, bizantine dhe osmane. Në këtë mes normash, shqiptarët kishin edhe doket dhe zakonet e tyre, që sipas autorëve: “korrespondonin me nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese dhe respektimin e marrëdhënieve në prodhim”(fq. 39). Në këtë funksion, gjatë kësaj periudhe u aplikuan tri lloje të ligjeve: nga e drejta laike, e drejta doganore dhe e drejta kishtare (kanonike). Nga kjo themelësi e normave u zbatuan të drejtat penale, civile dhe familjare.
Me pikëpamje të gjithanshme për të bëmat e Skënderbeut e në veçanti të normave juridike, autorët Rrahmani dhe Belegun, në librin “The State of Scanderbeg. Institutions and the Applied Law”, kanë bërë një kërkim shkencor dhe konciz. Libri në gjuhën angleze është një mundësi e mirë për të zgjuar kureshtjen e lexuesve ndërkombëtarë për t’u njohur me figurën e lavdishme shqiptare, i cili vuri themelet jo vetëm të çlirimit për mbi dy dekada, por krijoi shtetin në raport me normat juridike. Ai dallon nga prijësit e tjerë të Ballkanit si Janosh Huniadi dhe Vlad Drakula që shquheshin vetëm si strategë të luftës. Skënderbeu ishte burrështetas, diplomat, pra ai mbante një diademë të veçantë në kokën e tij.
LEXO EDHE: MËRGIM BEKTESHI: PARA AKTI NË POEZINË E BUJAR TAFËS