Mërgim Bekteshi: Zahiri dhe personifikimi i tij

paulo coelho
Paulo Coelho

Nga: Mërgim Bekteshi

Pa u menduar elementet fiktive, romanet mund të jenë të parealizueshme, gjë që këtë e përdor me mjeshtri Paulo. Në botën virtuale, “Zahiri” është vlerësuar me një dozë skepticizmi, duke u konsideruar si vepër më e dobët, mendime që do t’i konsideroja personale  dhe jo shpesh të qëlluara. Ky roman është spiritual dhe më pak si roman aventurier. Dashuria si diçka e paprekshme, bëhet objekt studimi për autorin dhe brenda tekstit gjejmë mendime, ide që nuk mendoj se i ka trajtuar dikush tjetër si ai.

Në vitin 2006, Shtëpia botuese Toena, Tiranë, me përkthyes Durim Taçe, solli para lexuesve shqiptarë romanin “Zahiri”, të autorit të pakontestuar, Paulo Coelho, brazilianin i cili në mënyrën me të pëlqyer sjell rrëfime shumë interesante, njohëse, gjithëpërfshirëse, karaktere dhe intuita tejet mbresëlënëse për lexuesin. Ky pelegrin, ashtu siç është pelegrin edhe vetë protagonisti, do të sjellë një inovacion me romanin e tij, së pari për nga vetë karakteri i emrit Zahir, që shpërfaq një emërtim nga  arabishtja apo kuptimi islam. Zahiri ka një peshë më të madhe se simbolika, më e dukshme se vete karakteri psikologjik që e trajton tërthorazi me stilin narrativ të veçantë, duke krijuar autorësinë e një ngjarjeje që nuk e gjen të ngjashme diku tjetër.

Autori fillon me prezantime interesante duke përgatitur lexuesin për një ngjarje sa nga emërtimi i romanit që e sqaron përmes mendimit të shkrimtarit Jurge Luis Borges (f.11) duke e përafruar kuptimin e Zahirit, dhe më pastaj i mbetet lexuesit se ku do të shfaqet prania apo dukshmëria e tij. Në këtë fillim, ai jep edhe një pjesë biblike nga Luka 15,4 për të hyrë sa më i përgatitur drejt një rrëfimi që kalon nëpër disa skena sa të çuditshme po aq edhe të prekshme, për vuajtjen e brendshme që shkaktohet nga e dukshmja njerëzore, duke tradhtuar intuitën. Por, besimin e personazhit mundohet ta ngritë herë pas here, në përpjekje, duke e arsyetuar një vetëdije të brendshme që kaplohet nga dashuria.

Coelho ngatërron shumë ngjarje, por ato i vendos në vend pas çdo përfundimi të rrëfimit. Njashtu, edhe personazhet e tij janë në numër të ndryshëm, por janë tre apo katër që zënë strukturën përmbajtjesore, që mbajnë mbi supe peshën e romanit, pa e harruar vetë protagonistin, i cili bëhet sa herë i përmbajtur e sa herë i shfrenuar drejt një ngjarje që e skalit me një kujdes të shquar. Udhëzimet e autorit janë që ta mbajë në trajtë të rregullt lexuesin, duke mos humbur fillin e rrëfimit për as një çast të vetëm. Udhëtimet e tij nëpër vende të ndryshme e pajisin me njohuri të përgjithshme, sa për njohuritë kognitive, po aq edhe me tregime për të freskuar qëllimin e tij final.

Botuesi ka zgjedhur një tekst të shkurtër (përmbledhje e përmbajtjes) në fund të librit për të sqaruar ngjarjen që zhvillohet në roman. Tregohet se si një ditë gruaja e një shkrimtari të famshëm, Esteri, korrespondente e luftës, zhduket apo e ka braktisur, pa i lënë një adresë të vetme dhe arsyen e ikjes. Sado që në fillim ai mundohet ta injorojë gruan apo vlerat e dashurisë që kishte për të, shpesh i krijohen kriza të theksuara. Esteri përmbante diçka që ia ngatërronte mendjen. Shpesh i shfaqej si element i pashmangshëm duke ia kujtuar se ajo përmbante një dukshmëri rrezatuese që nuk mund ta shpërfillte dot. Sado që mundohej ta kompensonte mungesën e saj me gra të tjera, Esteri, dalëngadalë fillon ta pushtojë duke i krijuar çrregullime të brendshme shpirtërore.

Libri ndahet në katër pjesë duke filluar me: Unë jam njeri i lirë. Tanimë, pas ikjes së Esterit, protagonisti ndihet i çliruar. Marrjen në pyetje nga hetuesit, duke vënë dyshimet se ai mund të ketë gisht në zhdukjen e saj, duket sikur vetë autori e përjeton brenda atyre kthinave të hetuesisë. Pyetjet mund të duken banale si p.sh.:  Ju shkoni në shtrat me dikë vetëm pse dita është e mërzitshme? Por, në të shumtën e rasteve, kjo është një metodikë kriminalistike e tërthortë për të provuar fajësinë apo të kundërtën. Në këtë pjesë, personazhi mundohet të krijojë pavarësinë duke kujtuar të kaluarën e tij në përqafim të marksizmit që humbi vlerat si ideologji kur ai filloi të dëgjonte muzikë roku p.sh., grupin The Beatles.

Në këtë shumëllojshmëri, në pjesën e parë,  njoftohemi edhe për shumë ndodhi të tjera, derisa mungesa e Esterit i thellohet, autori kujton karakteristiken e restoranteve ku disa i presin klientët e tyre sikur mysafirë e disa të tjerë i trajtojnë sikur të jenë të pastrehë. Duke e thelluar imagjinatën, Zahiri troket në çdo segment të jetës, edhe në kujtesën se çfarë do të ndodhte nëse Hitleri do të fitonte luftën dhe historia do të fillonte jo më me lindjen e Krishtit, por me lindjen e nazizmit dhe dy personazhe, Hansi dhe Frici do të debatonin për tema të reja në mes të Tokios duke pirë birra.

Pyetja e Hansit është pjesa e dytë, situata rëndohet kur autori takon persona të cilët kanë një burim informacioni për Esterin. Tani dashuria për të fillon të pulsojë me tepër se ç’kishte menduar, dashuria rëndon jo vetëm mbi të kaluarën, por edhe mbi të tashmen. Kujtimet do ta shëtisin mbi shumë koncepte të jetës duke kujtuar se përse njeriu kishte krijuar madhësinë e rrugëve prej 143.5 cm, dhe jo me një gjatësi më fikse 150 cm, që përdoret edhe në mes të shinave në ditët e sotme për hekurudhat. Këto komunikime sa me vetveten dhe me të tjerët, por më shumë me veten, ngjallin indiciet se Esteri është diku duke pritur ardhjen e kalorësit të vetmuar, shkrimtarit që kishte zënë një fill të mirë dhe famë  në letërsi, por kishte humbur  Esterin, që për të ishte e dashura e dukshmja që nuk mund të kalonte.

Në pjesën e tretë, Filli i Arianes ngjarja ka burimin në mitologjinë greke, kur Tiseu, duke u mbështetur në fillin (perin) e Arianes do të gjente rrugën e kthimit pas luftës me përbindësha. Këtë Paulo e krijon kur personazhi tij kishte marrë më shumë informacion për një vendndodhje të mundshme të Esterit. Ai, edhe pa fillin e Arianes do të ndiqte rrugën, pak kishte rëndësi kthimi në Itakë. Por, Itaka do të bëhet e domosdoshme pas gjetjes së Esterit, lumturia kishte një kosto dhe ajo ishte kthimi në Itakë. Pra, dashurinë ai e shihte si diçka të vogël dhe që shërbente vetëm për një njeri, çdo përpjeke tjetër do të ishte e mallkuar sipas tij (f. 344).

Kthimi në Itakë është pjesa e fundit e romanit, protagonisti pas disa udhëtimeve të ndryshme në botë, me ndihmën e disa personave, arrin në Kazakistan, në një vend ku mendohej se strehohej Esteri. Por, kuptimi i kthimit në Itakë, sa mitologjik, aq edhe real, thellon dyshimet se përse e konsideronte kthim në një vend që nuk ishte as vendlindja e protagonistit e as e Esterit. Për të vazhduar këtë rrugëtim të vështirë vetëm në kërkim të dashurisë, ai duhej t’i përshtatej qiellit dhe tokës së Kazakistanit, të merrte një emër Askushi, dhe vendi ku qëndronte Esteri nuk ishte Itaka; Itaka ishte në ndërdijen e tij dhe veten e personifikonte me Odiseun, vetëm në këtë mënyrë mundi t’i konkretizonte veprimet e tij reale.

Krejt në fund, me takimin me Esterin, përfundon edhe drama, vetëdija e krijuar për Zahirin, tani e dukshmja është ajo që kishte ngacmuar procesin, ishte finalizuar krejt me takimin e tij me të dashurën. Zahiri mbetet vetëm një kujtesë, krejt me qëllim për të arritur objektivat e tij kërkimore. Paulo Coelho ka në një mjeshtëri të vërtetë të rrëfimit prej romancieri, ai nuk e bezdis lexuesin me tema abstrakte, një rubikon të ngatërruar e kthen në gjendje të kënaqshme për lexuesin, për këtë mbetet shkrimtar i madh dhe i pranueshëm në letërsi.  


Lexo edhe:

COELHO: DASHURIA NA PLAKË PARA KOHE …