Mes relikeve dhe letërkëmbimeve të Homerit shqiptar të botuara për herë të parë

Nga Simon Shkreli

Maska Mortore e At Gjergj Fishtës të pret sapo hap derën e bibliotekës Françeskane në Shkodër, ruajtja e së cilës ka vënë në rrezik shumë jetë njerëzish. Sendet personale të Fishtës, “Homerit shqiptar”, ndodhen në bibliotekën të cilën e ndërtoi vetë ai më shumë se një shekull më parë.

Shkopi i Fishtës i ruajtur nga At Zef Pllumi, së fundmi i është bashkuar dhe relikeve të tjera. Pas një shekulli është i padëmtuar.

“E ka nxjerrë At Zef Pllumbi nga kuvendi françeskan. E ka lënë në familje që e ruajtën dhe e dorëzuan kur ra sistemi”, shprehet At Viktor Demaj.

At Viktor Demaj përgjegjësi i Bibliotekës Françeskane flet për këto relike dhe dorëshkrime që janë ruajtur nëpër shtëpitë e adhuruesve të At Gjergj Fishtës.

“Janë ruajtur nga familje të persekutuara. Janë ruajtur pasi u kontrolluan nga sistemi pasi sistemi vetëm njëherë i kontrolloi. Dorëshkrimet i kanë ruajtur në parketet e drurit. Dallohen se janë të dëmtuara. Më pas ja kanë dorëzuar arkivit Franceskan”, tregon ai.

Dy muaj më parë dolën në dritë edhe letërshkëmbimet. Përmes të cilave shfaqet një anë e panjohur e Fishtës.

“Kur i kam parë për herë të parë më bëri përshtypje shkrimi në gjuhën italiane pa asnjë gabim drejtshkrimor. Ku m’i dhanë t’i përktheja koha ishte e shkurtër ishte gati në kufijtë e një misioni të pamundur se duheshin gati për 80 vjetorin e vdekjes së Fishtës.

Disa ishin të dëmtuara dhe duhet të rindërtonim tekstin. Me një punë intensive gati 1 vjeçare ishim përballë personalitetit më të madh të kohës që ndikoi dukshëm në 15 vjeçarin e parë të shekullit XX. “Juria” ishte Fishta që na rrinte mbi “krye”. Qartësia erdhi gjatë nisjes së punës”, shprehet Vinçenc Marku, pedagog.

At Shtjefen Gjeçovi, i shkruante At Gjergj Fishtës një letër, duke përdorur dy ngjyrat simbolike,  të kuqen dhe të zezën. Letra doli në dritë pas 109 vitesh.

Gomsiqe, 7-II-1912

“Auguror his igitur flecti tua numina, mec Tu Immerito nomen mite Parentis habes” (P.O.Naso)

Shumë i dashtuni A.Gj.Fishta!

Lajme t’madhnueshme e t’kannshme për sejcillin Shqyptaar e sidomos për mue, që t’dishroj, e uroj madhnimin t’ann, me gjith zemër  I prita  e me knaqë t’shpirtit I knnova!

“Poet Komtar” emni I lumnueshem për Tyej qi e fitove me shkrime t’larta, tuj na hieshue giuhën komtare e I madhnueshëm për nee shqyptarë, qi t’njofim për vllaa t’onin nër maa t’vlertit.

Çmimi I emnit T’ann, asht çmimi I bijëve të shqypes marë!

Paçin faqen e bardhë t’gjith ata burra t’Pernnritrçem, qi ta diitnë vjeftimin e çmimin e t’madhnuene me sheje t’larta e t’posaçta!

Rrnoftë A.Gj. Fishta O.F.M!

Rrnoftë Klubi “Giuha Shqype”

T’falem me nniesii Komtare!

A.S.K Gjeçov

OFM

“Jepet Fishta intim tek letrat. Morëm stilimin që përdorte në letrat dhe publicistikë. Është bërë punë skeduese. Morëm fjalorin e Fishtës dhe më pas i përdorëm stilemat tek përkthimi i letrave në shqip. Janë mbi 70 letra që variojnë nga 25 faqe fletore deri në 1”, shprehet Vinçenc Marku.

Figura e Fishtës dhe veprimtaria e tij u sfumuan me urrejtje nga komunistët. Eshtrat u tretën në lumin Kir.

Akademiku nga Kosova Sabri Hamiti shprehet se fati i At Gjergj Fishtës është i njëjtë me atë të Pjetër Bogdanit.

“Prova e likuidimit të tij, ju e dini që edhe në kuptimin fizik është zhvarrosur. Që na kujton mënyrën që është zhvarrosur Pjetër Bogdani me 1689 në Prishtinë. Aty ku është bashkuar veprimtari shoqëror me poetin gjenial, i takon këta dy personalitete, janë të ngjashëm, edhe fatin e kanë të ngjashëm”, shprehet Sabri Hamiti, Akademik.

Akademikut Sabri Hamiti është i mendimit se edhe në këta 30 vite pluralizëm veprimtaria e Homerit shqiptar nuk njihet mjaftueshëm.

“Prania e Fishtës është e munguar dhe trashëgimi e një mentaliteti që ka jetuar gjysmë shekulli. S’është e lehtë të bëhet rrotullimi për pak vite. Fishta është kurorëzimi i një gjeniu letrar i trashëgimisë shkrimore shqiptare që nga formula e pagëzimit deri sot”, thotë Hamiti.

Për pedagogun e letërsisë Vinçenc Markun, Gjergj Fishta është krijuesi i asaj që quhet ndërgjegje kombëtare, me epikën dhe me lirikën e tij.

“Ka pasur një satirë që tregohet se si nuk duhet të jetë shqiptari përmes kësaj marrim vesh se si duhet të jetë”.

Studiuesit theksojnë se figura të nivelit të Fishtës dhe veprat e tij nuk janë përfshirë mjaftueshëm në tekstet shkollore.

“Tekstet duhen parë me kujdes, të vendosen në çdo cikël shkollor. Të edukohen njëherë mësuesit. Thonë nuk di me lexu, po si nuk di me lexu Fishtën kur mëson gjuhë të huaj. Teksti bashkim rrokjesh janë. Si nuk i lexojnë dot gërmat ato shqip janë. Për mua ka mungesë vullneti për të lexuar, jo pamundësi”, shprehet Vinçenc Marku.

“Mungesa e leximit është sëmundja e kohës. Do ketë vlerë të madhe nëse institucionet arsimore do I japin më shumë rëndësi për përhapjen e Fishtës. Ka vepra që nuk ju ka ikur koha dhe sot”, thekson Viktor Demaj.

Sabri Hamiti, duke u mbështetur tek studiuesi arbëresh, Zef Skiroi e quan aventurë tentativën për mohimin e Fishtës,

“Kthimi s’bëhet për një ditë. Duhet lexuar Fishta origjinal jo interpretimet. Zef Skiroi i ri bizantologu arbëresh ka thënë: Fishta edhe Skënderbeu janë dy gjeni që lidhen dhe ai që e mohon Fishtën mohon Shqipërinë. Le ta provojë kush aventura është e rrezikshme”, shton Sabri Hamiti.

Homeri Shqiptar, At Gjergj Fishta, dalëngadalë po rikthehet në oazin e tij të Gjuhadolit, në Shkodër, të cilën e shndërroi në vatrën e krijimtarisë së tij.

Ndërsa reliket e tij pushojnë të sigurta larg përndjekjes, në Bibliotekën dhe Kuvendin Françeskan. /abcnews.al

_____________________

Lexo edhe:

81 VJET QË KUR NDËRROI JETË GJERGJ FISHTA

ObserverKult