Meta i akordon Dekoratën e Flamurit Kombëtar, Avni Rustemit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekoruar sot me  Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës, Heroin e Popullit, Avni Rustemi

Presidenti Meta u shpreh se, “me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e Tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës”.

“Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës”, u shpreh Meta./atsh