Meta vlerëson personalitete të artit, kulturës dhe promovimit të traditave të Krujës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi me anë të një ceremonie solemne personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe traditave të Krujës.

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” presidenti Meta dekoroi Grupin Karakteristik të “Pleqve të Krujës”, me motivacionin: “Për kontributin e shquar në ruajtjen dhe përsosjen e këngës popullore dhe traditave etnokulturore krutane. Në shumë dekada ka shprehur me talent dhe përkushtim trashëgiminë e pasur folklorike të shumë brezave duke shpalosur me nivel të lartë artistik këngët tradicionale, veshjet koreografike, si dhe meloditë e pasura burimore krutane”.

Po me të njëjtin Titull të lartë u vlerësuan Mehmet Nallbani, si “Personalitet i shquar i artit dhe kulturës popullore, i dalluar si hulumtues, studiues e krijues i talentuar i trashëgimisë kulturore krutane në fushën e muzikës, këngës popullore dhe etnografisë. Një ndër drejtuesit e spikatur të lëvizjes kulturore e artistike të trevës së Krujës, në veçanti i ‘Grupit karakteristik të pleqve të Qytetit’ dhe ansamblit ‘Kruja Folk’, duke përcjellë në breza një kontribut të vyer të vlerave të këngës, artit popullor e traditës së pasur folklorike krutane”.

Bujar Bardhi “Për aftësitë e larta menaxhuese, standardet bashkëkohore dhe kontributin e vyer në organizimin, drejtimin e nxitjen e turizmit kulinar në trevën e Krujës, duke zhvilluar e promovuar vlerat dhe traditat më të mira të gastronomisë dhe prodhimeve shqiptare të agroturizmit”.

Si dhe Dragush Gega, “Për cilësitë e dalluara menaxhuese dhe kontributin e vyer në drejtimin dhe nxitjen e turizmit kulinar në trevën e Krujës. I shquar për shpirtin dhe karakterin human për mbrojtjen e natyrës si dhe lirisë së besimit”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar artistëve të Grupit karakteristik “Pleqtë e Krujës”, drejtuesve dhe anëtarëve të “Shoqatës së Restoranteve Turistike”, si dhe qytetarëve krutanë të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh se, “sot është një ditë e veçantë të jemi bashkë në Krujë, në qytetin ku historia, bukuria, madhështia dhe krenaria qëndrojnë kaq pranë njëra-tjetrës! Kruja dhe kështjella e Kastriotëve qëndrojnë në shekuj si dëshmia më e palëkundur e identitetit tonë kombëtar dhe atij europian”.

“Sot, nga ky gjerdan i vlerave krutane kemi zgjedhur të vlerësoj disa prej atyre personaliteteve,  të cilët me aktivitetin e tyre kanë kontribuar aq shumë për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë folklorike krutane, por edhe për nxitjen e turizmit, duke filluar me Grupin karakteristik të “Pleqve të Krujës”, i cili është tashmë personifikimi i vlerave etnokulturore krutane”, tha Meta.

Njëkohësisht, shtoi Meta, “në këto ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ju ftoj të gjithëve, që sipas bindjeve tuaja të merrni pjesë aktive, të mos lejoni cenimin e të drejtës suaj nga askush për të votuar të lirë dhe me dinjitet! Të zgjidhni me ndërgjegje bijtë dhe bijat tuaja më të mirë! Të votoni ata kandidatë, që ju mendoni se do t’ju japin zgjidhjet më të mira për hallet tuaja dhe që ta bëjnë Krujën një vend edhe më të dashur për të jetuar për ju, për të rinjtë, edhe për fëmijët tuaj, por edhe një vend më të vizituar nga të gjithë shqiptarët dhe nga turistët në të ardhmen”./ATSH