Mevlan Shanaj i shkruan Natashës: Në çdo hap të jetës më ke bërë krenar…

Regjisori Mevlan Shanaj, dhe bashkëshortja e tij, shkrimtarja Natasha Lako janë një nga çiftet më të dashur për publikun shqiptar. Ata më shumë se sa bashkëshortë klasikë, janë dy miq e ‘dashnorë’ të mirë me njëri-tjetrin.

Herë Natasha e herë Mevlani, i thurin dedikime njëri-tjetrit.

Këtë herë është regjisori ai i cili kthehet 50 vite pas në kohë duke kujtuar momentin kur Natasha u bë e tija.

Padyshim është kjo një nga letrat që do donte të lexonte çdo grua, në çdo kohë.

Në vazhdim mund ta lexoni letrën e plotë të Mevlan Shanaj për Natasha Lakon:

50 qindarka për të bërë dashuri!

Vjen muaji maji dhe unë prej 50 vjetësh që kur u bëre pjese e imja ndihem i lumtur. Ishte maji kur u martuam.

Është maji i përvitshëm që më bën krenar. Të jesh krenar për bashkëshorten duket normale, se gruaja është familja, është nëna e fëmijëve të tu, është gjyshja e fëmijeve! Por çdo njeri ka të veçantat e tij.
Kur u njohëm bashkë ishim studentë dhe në të gjithë historitë e moshës, nuk dihet vazhdimi. Po çfarë ndodhi mes nesh?!
Unë erdha te ti, te e veçanta jote, te finesa, te aparenca që ishte ndryshe, te ndjesia që nuk kisha gjetur, te intelekti që më bënte te heshtja, te kultura që më shtynte të mësoja, te personaliteti që nuk e kisha prekur kurrë deri atë kohë në jetë. Te mençuria, te përmbajtja te filozofia për jetën .

Ti erdhe me dijen tënde dhe më pasurove mendjen, kulturën, sedrën, profesionin. Me ty zhduka, rrëmbimet, çapkënllëqet, te t’i ndërtova burrin.
Ndër vite familja me fëmijët përsosen kuptimin e së bukurës, që i dha jetë jetës normale. Ishe ti që mbajte autoritetin e gruas së përkushtuar, në familje, në krijimtari. Ishe ti me librat që të rrethonin në çdo qoshe, ishe t’i që zmadhove kuptimin e fisnikërisë së femrës.
Nuk çudite askënd me qenien tënde, por mahnite burrin, krenove fëmijët.
Ti ishe, je dhe do mbetesh gruaja e përmasave të mëdha. T’i ishe fëmijë i vetëm. Ishe vajzë e lindur për dije, u bëre grua që dhe dije, je bashkëshorte që të jep kuptim.

Në çdo hap të jetës më ke bërë krenar. Je femra me e lirë në vetëgjykim apo veprim, kam qenë burrë me fat që nuk mendoja pa siguri të hapave të tu.
Ti ke ditur si të ecësh edhe e bukur, elegante në veshje gjithë sqimë. Më kujtohet kur sapo ishim njohur së bashku atë ditë maji të 23 viteve të jetës tende, shkëlqeje me një minifund blu, me atë veshje të dilnin në pah hiret e një vajze të gjatë me trupin lastar as 5O kg dhe disa djem siç ndodhte në atë kohë vërshëllyen, por ti nuk u shqetësove, ti ishe vajze Korçe, nuk të nënshtronte dot Tirana.
Prej atij çasti kuptova se femra në raport me botën, di të jetë vetëvetja kur ajo di se kush është.
Unë tashmë pas 50 vjetësh kam kuptuar që të kesh një garanci nga njeriu që ke ndërtuar jetën je i bekuar!
Të them 100, këtë e di, se të dyja gjyshet e tua, ikën rreth të 95 sa një ditë gjyshja që të ka rritur, kur ishte 93, tha për një shoqen e saj epo ajo ishte e madhe.
Gjyshja e dinte veten ende të re. Po ti, jam i bindur, do thuash në atë moshë, ej sa shumë kam për të shkruar ende.
Përsëri poezia do jetë te ti si udhëtare e botës për të ftuar Witmanin që në adoleshencë të tronditi deri te Transtromer që i dhe zë shqip.
Me këtë rast të përvjetorit të ditës tënde të lindjes, në atë 13 maji 1948, kur kishe mbetur në maternitet për 10 ditë pasi babain veteran të luftës e kishin burgosur për mungesë vigjilence, pasi nuk kishte treguar për shkrimtarin shokun e tij se do arratisej.
T’i provove ngujimin që në shtëpinë e lindjes. Ndoshta si revansh i “burgosjes” tënde 10 ditët e lindjes në maternitetin e Korçes, sfidove botën dhe u bëre shkrimtare. Sonte ku do mblidhemi për të thënë: Jetë të gjatë e të lumtur!?/ ObserverKult