Artisti i mirënjohur vjen në një rrëfim të ngrohtë, sa njerëzor aq edhe profesional. Një intervistë e gjatë (e dhënë kohë më parë) që na e sjell të plotë dimensionin e aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj. Flasim mbi krijimtarinë artistike, bashkëpunimet, marrëdhëniet me kolegët, miqtë, jetën bashkëshortore, relacionet me fëmijët, të pathënat dhe sekreti që e ka bërë atë kaq shumë të dashur për publikun.
Intervistoi: Elida Domi
Mevlan Shanaj, aktor, regjisor, i suksesshëm, me një familje të mbarë; si ka nisur jeta juaj që më pas erdhi kaq e plotë, kaq e mbushur?
Njeriu ka disa nisje në jetë dhe secila nisje ka historinë e vet. Fëmijëria ime ndoshta po të kisha prirje letrare do tregohej më bukur përmes prozës. Po kjo nuk do të thotë se filmi nuk e tregon bukur. Kur isha, gati 3 vjec, më ka vdekur babai dhe në më pak se dy vjet, na iku edhe vëllai i madh, 25 vjecar. Të rritesh pas një nëne, e cila mbartte dhimbjen e madhe të humbjes së dy burrave të jetës së saj, nuk është edhe aq e lehtë. Ishte një grua e veshur me të zeza, me të cilën nuk i lëshonim duart deri në dorëzimin në pushtetin e gjumit. Ëndrrat tronditëse të kësaj periudhe për mua, ishin bërë shqetësim i madh për të, ndaj më mbante gjithë kohën të pushtuar. Kisha edhe dy vëllezër me diferencë moshe. Lëvizjet në qytetin e naftës në Patos, në një qytezë krejtësisht të unifikuar ekonomikisht dhe kulturalisht, krijuan një ndërlidhje sociale të ngjashme me një familje të madhe. Jetohej në të njëjtat kushte, bashkë, me të ardhur nga zonat, sa të ngjashme, edhe të kundërta. Të ardhurit ishin nga Mallakastra, Labëria, Kurveleshi, Tepelena, Përmeti, nga Bregu, por edhe nga Camëria, si dhe një komunitet jo i vogël me cobanë dhe myzeqarë. Në këtë mjedis kishte një harmoni përrallore dhe mirëkuptim të mahnitshëm.
Më kujtohet një herë kur, para një kori nënash me të zeza, një pasdite të kafesë së tyre, vajta me vrap dhe u recitova një vjershë rruge që brenda kishte edhe fjalë që nuk i kuptoja por që i deklamova. E kujtoj atë vjershë popullore: “Kola, xha Kola, vreshtin ta vola, rakinë ta piva, cupën ta q…”. Në një kuptim, fillimi i vitit 1950 ishte “paraqitja ime e parë artistike” para grave me të zeza, si kori i tragjedive greke dhe mora të qeshurat e grave të lagjes, bashkë me duartrokitjet.
Kur u bëra 14 vjec, u shkëputa nga kërthiza e nënës, duke u tretur në një mjedis shumë divers. Në Politeknikumin Mjekësor për katër vjet. Gjatë kësaj periudhe të rritjes në konvikt krijohen njohje e lidhje të perziera nga gjithë vendi. Kulturat e ndryshme në një barazi sociale rrisin cilësitë humane te njeriu. Krahas shkollës, kishte filluar tek unë edhe shkolla e jetës, e cila vazhdon derisa pushon pulsi.
Mjeku dhe artisti, duken dy botë që më shumë shtyhen me njëra – tjetrën se sa tërhiqen, cfarë i bëri bashkë këto të dyja tek Mevlani?
Janë shkenca humane të dyja, vrapojnë për t’i shërbyer njeriut, mjeku për ta riaftësuar, ndërsa arti për ta bërë më të ndjeshem shpirtërisht e për të pasuruar mendjen. Ndryshimi bazë është se, te mjeku, njeriu vete kur ka shqetësime, ndërsa me artin takohet kur ndihet mirë. Gjetja e urës së komunikimit është siguria e fitores. Hipokrati i thoshte të sëmurit: Bëhu me mjekun që ta mposhtim sëmundjen se po u bëre me sëmundjen ju bëheni dy dhe nuk e mposhtim dot. Edhe neve në art themi: Eja, se arti është për ty, nuk bëhet për vete. Eja ta ndryshojme botën. Misioni i artit është përmirësimi i shoqërisë njerëzore. Arti paraqitet te publiku pas një përzgjedhjeje të mundimshme. Cilësia në art është domosdoshmëri. Sa më i talentuar artisti, aq më selektiv është, eksperienca jetësore e distiluar kthehet pas një përpunimi te mundimshëm për frymëzuesin. Arti nuk është jetë, por është jeta e ngritur në art, këtë e kryejnë artistët, mjekët zgjasin jetën.
Përherë në modë dhe përherë i dashur, ka një sekret gjithë ky gravitet mes teje dhe publikut, si është ndërtuar tërë kjo ngjizje e pashkëputshme?
Ngjizja me publikun erdhi natyrshëm që nga rolet me karakter popullor si Ibrahim Kovaci që në atë periudhë tipizonte heroin e fitimtarëve mbi nazifashistët dhe më tej Nebi Sureli një përfaqësues nga me të thjeshtët e një shoqërie të cilët janë shumica. Mendoj se arritja e këtyre karaktereve dhe biologjia, fiziologjia ime si natyrë ka gjetur sintoninë me të fshehtat dhe dihet se të fshehtat, jo pak herë si puna e secreteve nuk bëhen me deklarata, por me ndjeshmëri si puna e dashurisë. Publiku me mua apo unë me publikun, kemi një lidhje intime memece, kuptohemi pa bërtitur. Unë më shumë se cdo gjë kam pasur frikë atë që kam dashur më shumë ruajtjen e respektit moscënim të dinjitetit reciprok. Unë di ta respektoj publikun dhe ai mesa duket, di të ndiejë dashurinë me antenat më të ndjeshme pa kurrëfarë mandate.
Jeni një ndër artistët më inteligjent në kuptimin e formimit, gjë që ndodh rrallë në komunitetin tuaj, cfarë e ka ndikuar këtë kozmos brenda Mevlanit, leximi, përvoja, marrëdhëniet apo cfarë tjetër?
Inteligjencën, që në bankat e shkollës, na e kanë ngulitur si pronë të shkencave ekzakte. Mendoj se jeta na ka mësuar se intelegjenca është baza e suksesit në cdo profesion. Edhe një bukëpjekës inteligjent na garanton estetikën e gatimit. Në profesionin tonë supozohet se regjisura duhet të jetë më e “detyruara” të jetë më e kulturuar më e lexuar dhe më e ditur. Regjisura në film për mua ka qenë si guri i Sizifit që për ta cuar në majë gurin e stërmundimshëm duhet sakrificë strapacuese, sepse ashtu besonte. Edhe unë kam besuar që gjithë mundi coptimi i këmbëve si gjakosja e Sizifit do më conte në majë dhe duhej të bëja ngjitjen si një mision. Sipas Albert Kamysë ne duhet ta shikojmë Sizifin te lumtur, kështu i shikon publiku regjisoret e filmit, po ata veten e dinë se cfarë mundimi është bërja e një filmi. Në cdo film rifillon mbajtja e gurit të tmerrshëm në të përpjetën e madhe me një mundim të ri. Askush nuk mund të thotë se lumturia ka një peshore. Në jetë për cështjet shpirtërore jemi të përvecëm. Ne njohim përvojat po pa i provuar nuk mund të themi se i zotërojmë. Njeriu për cdo gjë në jetë, ose e ka degjuar, lexuar apo ka parë shumë fenomene. Përvoja njerëzore te një krijues vjen përmes informacioneve, kur je krijues edhe jep eksperiencën tënde, ndryshe nuk quhesh krijues por kopjues. Këto përvoja kur kalojnë në procesin krijues vijnë spontanisht si të reja dhe të besueshme. Njeriu vetëm modelin e vdekjes nuk e ka si përvojë, pasi te vdekja ceket e vërteta, po atë eksperiencë neve nuk e njohim. Nuk na e ka treguar kush. Ndaj arti sillet si i vërteti, po e vërteta mbetet e paprovuar. Të jesh në art do të thotë të jesh në ngjitje, nëse mbetesh në një plan apo ripërtypës, humb vëmendjen e publikut dhe me këtë rast, i ke dhënë vetes dënimin. Ka njeri të gjallë të pranojë nënshtrimin? Duke huazuar shprehjen e Cehovit lidhur me mjekësinë dhe letërsinë, një tangente të vockël fare për afërsi profesioni mund ta heq edhe unë: Aktorin e kam të dashurën, regjisurën gruan. Gjatë përvojës sime të gjatë jam përpjekur të flas me zërin tim. Në cdo hap të jetës. Nuk më ka pëlqyer zhurma, po nuk jam pajtuar as me heshtjen. Kam kërkuar të ndiej zhurmat e heshtura lëvizjet e brendshme, të cilat si tërmetet janë të rrezikshme kur shpërthejnë. Këto llojë lëvizjesh të brendshme te njeriu më kanë vënë gjithë jetës në mendime apo Jo të gjitha herët kam mbërritur në atë çfarë kam dëshiruar. Rrethanat kanë qenë të ndryshme, vetëm një gjë ka qenë konstante, shpirti im paqësor ndaj njeriut. Por, në krijimtari nëse je paqësor do paguash haraçin. Krijimtaria bëhet vetëm nga diktatorët, të cilët krijimin e respektojnë më shumë se çdo gjë tjetër.
Krijimtaria nuk nxirret në treg, në kuptimin, sa më paguan për këtë apo sa ma shet. Tregtia më e dështuar në jetë është kompromisi në krijimtari. Më vrasëse është heshtja, indiferentizmi apo pajtimi me më të fortin, ndërsa unë mendoj se duhet lakmuar cilësia. Mediokriteti në art kultivon shijen e venitjes dhe njerëzit të duken gati njësoj të dehur, të hallakatur nga koka, ku këmbët ecin kuturu. Ne jemi brezi i pasluftës dhe edukimi kulturor e artistik ishte përmes propagandës, pllakateskës dhe cdo gjë ishte e fryrë. Deri sa një gjilpërkë e plasi tullumbacen, ajrin e së cilës ata që ishin më pranë vazhdojnë ta përthithin edhe sot e kësaj dite. Fillimet e fëmijërisë sime janë me heronjtë, filmi i parë argëtues në fund të viteve ‘50 ishte “Vagabondi”. Mendo, deri në adoleshencë, të kesh parë një përrallë me qilim fluturues apo “Ali Baba me 40 hajdutë” dhe cdo gjë tjetër e njëtrajtëshme. Vonë, pas viteve ‘60 erdhi filmi i parë tronditës social “Rroku dhe vëllezërit e tij“ i L.Viskontit.
Pra, një brez i zhuritur për shumëllojëshmëri dijesh përvec librave cilësorë që botoheshin, mjetet e tjera shprehëse ishin krejtësisht të mohuara, përvec radios. Mendoj se brezi im, sic dikur ishte quajtur brezi i humbur, shumë mirë mund të quheshim edhe brezi i mbyllur. Pas lëvizjeve alla let it be, alla Beatles, filluan edhe në vendin tonë të gëlojnë antenat e fshehta nën cati… Let it be, let it be!
Keni realizuar një sërë rolesh kinematografikë, ku jeni ndjerë më i realizuar dhe me cilin koleg apo kolege keni patur bashkepunimin me te mire?
Kthehem te fillimi i përgjigjes sime që, në jetë ka disa fillime. Një ndër fillimet e mia ishte edhe ekrani si aktor. Janë disa karaktere që, edhe pse po kapin 40-50 vite jetë në public, ende komunikojnë. Dhe, me të vërtetë, ndihesh mirë. Fillimet si aktor i kam me Sandër Prosin, Kadri Roshin
Vangjush Furxhiun, Yllka Mujon, Rikard Ljarjen, Bujar Lakon, Timo Fllokon, Niko Kanxherin, Birce Haskon dhe më pas, bashkëpunime, pothuaj me të gjithë aktorët, si: Kastriot Caushin, Arben Imamin, Elvira Diamantin, Pavlina Manin, Liza Laskën, etj. Si regjisor, pa përjashtim, me cdo artist të skenës dhe ekranit shqiptar.
Gjatë jetës sime në ekran më është dhënë rasti të kem bashkëpunuar me emrat më të spikatur, jo vetëm të aktrimit, por edhe të regjisurës, duke filluar me emra, si: Viktor Gjika, Gëzim Erebara, Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani, Saimir Kumbaro, Piro Milkani, Kujtim Cashku, Ekrem Kryeziu, Albert Minga, Gjergj Xhuvani si edhe regjisorët e skenës si Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Pëllumb Kulla, Gjergj Vlashi, etj. Po ashtu, për imazh po përmend Pali Kuken, Stefan Gajon dhe Afrim Spahiun. Në këtë listë bashkëpunëtorësh dua të shtoj shkrimtarët Bashkim Hoxha, Nasi Lera, Kico Blushi dhe kompozitorët: Kujtim Laro, Limos Dizdari, Aleksandër Lalo, Hajg Zagarian. Pa përjashtim me gjithë aktorët e teatrit shqiptar dhe të humorit. Një mirënjohje atyre që kemi udhëtuar së bashku me pasionin e artit të ciltër. Hileqarët nuk i njoh në maratonën time. Dua të shquaj edhe bashkëpunimin me shumë këngëtarë, që nga Vace Zela, për të vijuar më tej me “Matura 72”, rreth 20 dokumentarë, apo rreth 30 drama përshtatje për RTSH. Jam ende në balotazh për filmat “Plumba perandorit” me “Lule të kuqe, lule të zeza”. Kontributi im në ekran, duke dhënë, zemrën me aktrimin dhe trurin me regjinë, më ka bërë të ndihem si fajtor pa faj, ose t’i biesh gjoksit, ose të ulësh kokën. Unë kam zgjedhur të ec drejt, pa i luajtur syrin vetes, dhe pa rrëshqitur majtas apo djathtas.
Si regjisor, mendoni se e keni bërë atë që quhet vepra e jetës dhe nëse ende jo, ka ndonjë surprizë Mevlan Shanaj për publikun që e do?
Cdo artist pretendon se ende nuk ka mbërritur te vepra e jetës, pasi është në udhëtim dhe, në art, udha nuk është pa zig-zag-e. Natyra e ka bërë artistin me më shumë pretendime se të tjerët. Unë jam njeri me fat në ekran, kam provuar gjithcka që ka të bëjë me ekranin, që nga folës lajmesh, showman, regjisor spektaklesh, dramash, seriale, dokumentarë, filma artistikë, para dhe pas kamerës, producentin, profesorin, në këtë rrugë, prej më shumë se 50 vjet mund të them se, kur filloj një punë të re më duket si puna e parë për nga emocionet.
Cdo popull ka yjet e vet të kinemasë, të cilët janë të synuar nga gjinia tjetër, edhe vendi ynë i vogël ju ka juve një ndër yjet e veta, jeni ndjerë i synuar, apo “i gjuajtur” nëse do ta quajmë kështu, dhe sa ju ka penguar kjo ne jetën familjare?
Fenomenet e ngjashme janë të njëjta si ligjet e natyrës. Mencuria është ta eleminosh barcaletën e kovës së shiut pas bubullimave. Mua më ka pëlqyer të mos e ngatërroj vrapin me galopin. Parapëlqej flladin më tepër se furtunën. Sigurisht për artistin ka simpati ndër vite. Mua vetëm më kanë dhënë buzëqeshje, të cilat vazhdojnë të jenë të respektuara reciprokisht.
Bashkëshort i një gruaje të fortë, një shkrimtareje me një karriere, po ashtu të suksesshme, cili nga ju dy i hap rrugë tjetrit kur krijohen debate?
Me poeten, shkrimtaren, skenaristen, Natasha Lako, jam njohur në vitin 1969. Ndoshta jeta bashkëshortore do vijonte si cdo cift, nëse Natasha nuk do ishte shkrimtare. Kjo marrëdhënie jona ka një specifikë tjetër, kemi bashkëpunime në gjysmat e skenarëve. Pra, përvec dashurisë dhe jetës në një familje, jemi edhe miq, edhe kolegë. Kuptohet që skenaristi me regjisorin kanë edhe debate. Kush hap rrugën? Unë mendoj se nuk ka ndonjë grua që ta ketë humbur betejën në një debat. Kuptohet që Natasha pretendon se regjisoret bëjnë sic u thotë koka e tyre.
Familje artistësh që keni nxjerrë edhe një tjetër artist, Jonin. E pranon që Joni është regjisor më i mirë se i ati, apo secili prej jush ka individualitetin e vet?
Viktor Gjika, kur u shfaq një dokumentar i Jonit u shpreh publikisht se Joni e kaloi të atin me fillimin në regjisurë dhe mua, natyrisht, m’u bë qejfi, por disa miq regjisorë, si puna ime, u bënë xhelozë dhe më thanë: Nuk është e lehtë të mbërrish Mevlan Shanajn.
Sot, pas filmit “Pharmakon”, pranoj se Joni e ka kapërcyer konceptin e kinemasë sonë dhe me bindje e them se është kineasti i së ardhmes. Ka ardhur nga një shkollë krejt tjetër filmi, nga shkolla Bergman.
Hera është vajza juaj, cilat janë marrëdhëniet me të, duke patur parasysh që fëmijët e mëdhenj janë zakonisht “gjeneralët” e shtëpisë?
Wollt Whitman mendonte se femrat janë Portat e Jetës, unë bëj pjesë te ata burra që mendoj se femrat janë ato që krijojnë dhe i japin kuptimin familjes. Era di të vendosë pikat mbi i. Jam krenar për të. Kush nuk do të ishte?! Po të pyesnit Ubiin dhe Nivin, fëmijët e saj, ata do thoshin me plot gojen se mami Hera është The Queen of the Gods.
Dy fjalë për lexuesit e Revistës Time…
Dashuria dhe liria i duhen cdo njeriu në jetë. Ne do të jemi në TIME, sepse dimë të falim./ RrevistaTime
Lexo edhe: