Nga Mevlan Shanaj
Pali Kuke kemi gati 53 vite që jemi së bashku në udhëtimin tonë artistik. Nisja e aventurës sonë më 1975 në filmin e parë artistik televiziv” Korrierët” me një grup tepër modest me gjithë shoferët 8 veta në dimrin e Dardhës ka mbetur në kujtesën time siç mbesin aventurat që nuk të shqiten apo siç të mbet në mendje dashuria e parë!
Kishim gjetur vendet e xhirimit në rrethinat e Dardhës.
Për çdo plan na duhej bora e pa shkelur pasi ashtu ishte dramaturgjia. Personazhet ecnin në rrugë të pashkelura.
Sa bënim një dubël duhet të ndryshonim këndin e xhirimit se dukeshin gjurmët, një stërmundim i madh.
Se në filmin klasik dublat bëhen në të njëjtin vend me të njëjtën zgjidhje. Për ne që provonim për herë të parë filmin, ishte diçka shumë e papritur!
Përkushtimi dhe përgjegjësia ishin të jashtëzakonshme.
Bashkë me ne në të njëjtën kohë ishte në Dardhë dhe ” artileria e rëndë” Kinostudio .
Ekipi i tyre me personelin e plotë dhe mjetet teknike për ne ishte si një ëndërr (ata ishin rreth 40 veta). Krijimi artistik është i njëjtë kërkon të njëjtën mënyrë realizimi!
Filmi artistik si çdo gjini arti ka të njëjtën logjikë krijuese! Mungesa e përvojës dhe e teknikës na sforconte.
Më kujtohet se Pali me ambicie të papara për imazhin sajonte me mjete të improvizuara teknika xhirimi shprehëse.
Një ditë improvizojë një tip slite, duke vendosur kamerën në një platformë dërrase dhe e tërhoqën dy veta në një rrafshinë dëbore duke ndjekur personazhet me një bashkëudhëtim të butë të gjatë dhe na doli një ndër sekuencat e veçanta.
Mendoni çfarë emocioni kur na erdhi filmi nga laboratori. Kemi shumë peripeci në atë film.
Ardhja e qenëve (ujqër) ishte një aventurë , pasi e shkruara me realitetin ishin dy botë krejtësisht të ndryshme.
Aktori dhe jo vetëm ai, u tmerruan nga qeni pa gojzë që kur merrnin komandën për sulm ishin të papërmbajtshëm!
Më në fund pas tensioneve arritëm të veshim instruktorët me veshjet e aktorëve në një plan të përgjithshëm në distancë nga kamera, por planet e afërta ?????
Aktori Esat Teliti futi duart në gojë qenit dhe gati e shqeu, nuk e lëshonte se kishte frikë të hiqte duart!…..
Përsëri me Pali Kuke te filmi “Plumba perandorit” një aventurë për të xhiruar një zbritje në katër kate brenda rreth rrotullimit të shkallëve dhe përmes një fuçie të improvizuar u fut brenda me kamerën.
Fuçia lëvizte nga sipër deri në bodrum me një vinç që nuk shikonte asgjë, ishte jashtë në rrugë, e lidhëm fuçinë me një kavo dhe brenda godinës bëhej komandimi nga çatia për lëshimimin e fuçisë, brenda së cilës rrinte Kuke me kamerën.
Ishte më shumë se aventurë!
Sprovat e kamerës për të ishin shndërruar si një bast me veten për të arritur më të pamundurën. Në rrëmujën e atentatit të Vasil Laçit , mori kamerën në dorë dhe hipi mbi kalin e xhindosur duke sjell imazhe të një kronike!
Ruaj shumë kujtime nga koha e bashkëpunimeve me operatorin mikun tim Pali Kuke! Së bashku kemi katër – pesë filma artistikë dhe shumë dokumentarë.
Vite të arta në Televizionin Shqiptar! Mall për atë kohë krijuese!
Ne ishim një grup që krijuam personalitetin artistik të Televizionit Shqiptar. Kujtoj Albert Mingën, Stefan Gajo, Vladimir Priftin, Ylli Pepo, Vera Grabocka, Esat Teliti, Jani Tane, Osman Mula, Bujar Kokonozi etj!
Sot në Televizionin shqiptar mungon krijimtaria! Një dhimbje dhe humbje e madhe kombëtare!
Lexo edhe:
SUZANA LUBONJA: NGA DASHURIA E PALIT ME ZERINA KUKEN TE FRANÇESK RADI ME TEFTËN. ‘URA’ KU U LIDHËN ÇIFTET E EKRANIT
Në përgjithësi, urat kanë marrë famë edhe për ngjarjet që mbartin e kanë përcjellë në shekuj. Bëhen intriguese, kur pas tyre fshihet një histori sa romantike aq dramatike, për të cilat janë shkruar libra pa fund, realizuar e vënë në skenë mjaft pjesë teatrale, si dhe filma kolosalë nga Hollivudi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU: