Mezi pres të kalojnë ca ditë, dua të bëj sherr prapë…

Alda Taçe Shpata

Nga Esmeralda Shpata

Nuk do të flasim për grindjet tona. Sa herë i lëmë diçka të shtrenjtë tjetrit pa ia prekur.
Inati ynë është i pakontrollueshëm deri në një pikë. Ama, sapo e kuptojmë se kësaj zonës që na dhemb po ta shkelim i jemi afruar sa një hap, tërhiqemi.

Njërit i ndodh të përplasë derën, tjetrit t’i mbyllet dera në fytyrë. Po e quaj veten ai që e ha derën fytyrës. Ca lotë më kapin dhe inati më sjell në mendje vetëm rastet kur kam patur të drejtë. Të shaj me mendje, por jo aq shumë sa ta lëndoj veten, e kursej për të dy më duket. Kalojnë ca minuta, mbase dhe orë dhe sytë e veshët mbi telefon. Problemi ynë nuk është më për çfarë u zumë (iku ajo, si të gjitha rastet që nuk mbahen mend), kush do t’i flasë shokut i pari, automatikisht tjetri shfajësohet. Krenari pa të këqija të mëdha më duket.

Ritualin e kafes ma kujton ora, vishem, iki dhe rrugës për atje e pi me mendje vetëm.
Te vendi ynë je ti. Ke dy orë i ulur me sytë nga rruga, shikimet tona shkrihen në mijëra të falura e buzëqeshje.
Kafja ime vjen, ti më prek si padashje dorën kur më hedh sheqerin. Unë zbutem si dreqi, me kafenë gëlltit lumturinë që është e gjithë imja. Aty llastojmë njëri-tjetrin, diskutojmë për postzënkën, nuk ka fajtorë, ka falje, ka kujdes, ka mall njëditor.

Temat e kafes së sotme janë të bukura, vëmendja ndaj njëri-tjetrit është e dukshme, kamarieri ka intuitë dhe e vendos një lule të stinës mbi tryezë. Çifte të tjera kanë lumturi të tjera, disa me arritje, disa me para, disa kanë turp ta shprehin si e sa.
Mos do të isha më e lumtur po të kisha hipur mbi teleferik?!
Mezi pres të kalojnë ca ditë, dua të bëj sherr prapë!

*Titulli i origjinalit: “Po ti eja prapë”

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SI NUK E DESHA ATËHERË… AJO KA IKUR…