Midhat Frashëri: Folmë, dua të dëgjoj zë njeriu…

Midhat Frashëri

Midhat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka.

Përveç si veprimtar ai njihet edhe si shkrimtar i shquar.

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928.

Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj.

Midhat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919).

Në vazhdim mund ta lexoni një prozë të shkurtër të tij:

Nga: Midhat Frashëri

Po e sheh? Drita venitet, mjegulla trashet. Një hi, një nap’e zezë po mbulon shtëpinë, po më hyn brenda n’odët.

E sheh, mik, këta të mugët të përziçmë? Ky më mbush shpirtin me angusë, më ep dëshirë të qaj dhe të këlthas.

Ah, këta t’errët! Më duket sikur është hapur varr’ i shekëllavet dhe po del jashtë gjithë zi e jetës, një zi e jetës, një zi që vjen nga funt’ i dheut, ku janë mbledhur gjitë të vuarat, gjithë të qarat e një jete së gjatë.

Ky hi, ky tym më hyn në shpirtit, më duket sikur humba gjithë shpresat, gjithë gazet. Drita, duke ikur u fryn dhe i shoi, na la në kët’ errësirë.

Po e sheh? Tani më s’duket fare gjësendi! A jemi në varr, apo mbi dhet? A jemi një i gjallë në mes të vdekurvet, apo një i vdekur në mes të gjallëvet?
Folmë, mik, se dua të dëgjoj zë njeriu, dua ta ndjej veten të gjallë; folmë, a do të mbajë shumë ky zi? Kjo natë a ka të sosur, apo jemi në atë natë pa mëngjes?

10 vjesht’ e II

*Titulli i origjinalit: Po e sheh? Drita venitet

*Shkëputur nga libri “Or’ e fundit”-proza letrare dhe dokumentare

Midhati e njohu shumë pak të atin e tij, Abdylin, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll.

Midhat Frashëri më 1908 mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit.

Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës. Ndërsa në vitet 25.12.1918-29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”.

Në vitet e pushtimit fa shist “themeloi e drejtoi organizatën e “Ballit Kombëtar”, – thuhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Vëll.1, 2008.

Në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchff” të SHBA. Është dekoruar me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult

——————————————-

LEXO EDHE: MIDHAT FRASHËRI: MOS MALLKO ORËN QË U NJOHMË… BEKOJE ATË ORË

Oh, jo, nuk lë gjësendi, po zemrën time të tërë.
Pandehnja se kjo zemër ish shurdhuar, ish verbuar. Kaq vuajtje më dukesh se më s’i kishin lënë shpirtit.

Më ngjalle nevojën e dashurisë, më dhe gjithë të dhëmburat, gjithë ndjenjat e saj.
Një herë besova se çdo gjë u shua dhe u çduk rreth meje.

Një shpresë e fuqishme më erdh në zemër, më rrëmbeu me krahët e saj.
Sa lark jam tani prej teje, o e dashura ime! Ato orë t’ëmbla, ata ëndërrime, apo qenkan ëndërra?

Lemë të vuaj! Mos u qa. Se zemra më ka nevojë të ndjejë dhe të vuajë. Mos mallko orën që u njohmë. Bekoje atë orë.

E sheh? Ka njerës që janë bërë për fat të mirë dhe për dëfrim.
Unë jam për vuajtje. S’e du ç’është gëzimi. Po mos më qaj.
Se në vuaj sot po vuaj prej teje.

4 vjesht’ e III