Mid’hat Frashëri: Më vjen keq… për këtë njerëzi pa kombësi, pa gjuhë…

Mid'hat bej Frashëri
Mid'hat bej Frashëri ( Janinë, 25 mars 1880 – Long Island, 3 tetor 1949)

SULJOTËT nga Lumo Skëndo (Mid’hat Frashëri)

Kam një javë këtu në Zafranboll, në këtë qytet të Anadollit, të humbur në gropë, të nxehtë dhe plot konupe tani në verë. Lumtërisht kam fatnë të gjej një ndënjtje të mirë me një kopsht të bukur rreth e rrotull në këtë mëhallë të krishterë, që njerëzia – ngaqë të dy fetë s’piqenë dot – e shikojnë si një pshat veçan dhe e quajnë Keran- Qoj.

Nga penxheret shoh dy vargje malesh të ndarë me një grykë, atë që kam përpara të xveshur dhe gurishte, me anë të djathtë male të zez tërë drurë, pyje të thellë. Nga penxherja tjatër shoh majën e kishës Shënt Stefan, Aja Theodhora e moçme, e cila dhe mbase i ep emërin e qytetit (Theodhorian Polin – Zafranboll).

Kajmekami, miku im z. Kadri Përmeti, më tha që dje se do të vemi në shkollë greqisht të çupavet, të ndodhemi në provimet e tyre, dhe me gëzim e pranova ftimin e tij….
Në sallë të shkollës janë radhitur nja tridhjetë çupa, në rreshtat e para; prapa tyre janë djemtë, në mes të tyre disa gjashtë apo shtatë vjeç, po dhe dymbëdhjetë e trembëdhjetë. Provimet rrjedhin mi dhe shkronjë, gjuhë tyrqisht, frëngjisht, orthografi ; nxënësit përsëriten përpara pllakës së zezë dhe kushdo prej të ftuarvet ka të drejtë të pyesë.

Unë po vë re. “Çupat që kam përpara janë të krehura mirë, të kujdesura, të veshura të gjitha me një mënyrë: rroba të bardha me kordhela të kaltërta: ngjyrat e Greqisë! Edhe më vjen keq për këto çupa, për këta djem dhe për mëmat e atërit e tyre që janë radhitur afrë murit, më të djathtë e më të mëngjër, më vjen keq për këtë njerëzi pa kombësi, pa gjuhë: flasin vetëm tyrqisht, janë fjesht anadollakë, s’di njeriu nga çkombësi janë, dhe duan të rrëfehen grekër!

S’kanë as hisori, as kujtime të moçme, as nonjë ndjenjë të tanishme, dhe duan të ngushëllohen me një shtet të vogël atje poshtë, me Greqinë e largët, se ashtu ua do feja, ashtu u ka thënë kasha dhe dhaskali. Edhe vërtet më vjen keq si për jetimë, si për djem pa mëmë, pa baba, pa shtëpi, dhe them: kur s’janë gjësend, dobare le të thonë që janë grekër.

Po dal! Çupat tani më s’po pyeten, kanë zënë e kërcejnë. Ç’është kjo valle, kjo këngë e njohur? “Lamtumirë o jetë e ëmbël…. Suljotka! … “në gjuhë greqisht. Këng e Sulit! Këng e shqipëtarkavet, këng e vendit tim edhe krahërori më fryhet, zemra më mallohet, më vjen dhe mua t’ia dredh një herë , a t’ia marr me to. Këng e Sulit!

Po shoh ato shqipëtarka trimëresha, ato gra zemër luaneshe, vallen e tyre mi shkëmpt, varur mi rripët, një valle vdekjeje, një zë i qiellit dhe i varrit.! Ushtarët e Ali Tepelenës po afrohen, po sulen, po gratë këndojnë, dridhen, të zëna prej dore, dhe ay vark më çdo grimë humbet nga një shpirt, edhe një nga një gratë lëshohen poshtë shkëmbit, hidhën në greminë, në skëterrë, në gojë të vdekjes që i kapërcen një nga një. Edhe vdesin me këngë në gojë, pa u dredhur zemra e tyre.

Më mirë vdekje e lirë se sa turp dhe robëri, na fjala e këtyre shqipëtarkave, e sulotkave me kujtim të pavdirshëm, që i apin një emër të përmotshëm kombit tonë, që trimëri e tyre do të inspirojë gjithnjë poetët e gjithë kombevet ! Suljotët, një grusht njerëz, që kanë mbushur me famën e tyre faqet më të shkëlqyera të historisë së tanishme, që kanë lënë kujtime trimërie të paharruar!

Edhe e ndjeva veten time fatore të jem nga kjo racë, nga ky popull, nga ky dhe, nga këta shkëmbinj që nxjerrin të tillë njerëz, të tilla gra. Edhe krahërori m’u fry edhe një herë duke dëgjuar këtë këngë, këta emra, duke parë këtë valle këtu në këtë qytet të Anadollit.
Po pse zemra ime përnjëherë më ngushtohet dhe mejtime të hidhur më sulen në mendje?

A është pse këta suljotë kanë derdhur gjakun e tyre kaq të famshëm për një çështje të huaj, për një komp që s’ish i tyre? – Jo, s’është ky mejtim që më hidhëron kështu, se e di, e kam ditur, dhe gjithë bota e di që dhe këta shqiptarë, si kaq të tjerë, si edhe Sina Pasha, a Qypruliu, a Mehmed Aliu, kanë shërbyer një kauzë jo të tyren!
Ajo që më hidhëron është Suli i sotmë.

Ku je, o Sul? N’ato rripat e tua ata njerëz trima a e kanë akoma atë zemër trime, a e dinë që janë shqiptarë, që gjaku shqiptar rreh në rrembat dhe në zemrat e tyre ?
Tre vjet po bëhen, kur qeshë në Shqipëri vajçë nga Llura në Llakë të Lelovës, në këtë copë të Sulit.

Po sa një helm i madh më pritte: atje pashë një të keqe,një mëkatë që s’rrëfehet, atje pashë fshatra ku, jo shqipëtarëria, po dhe shqipja ka zënë të harrohet ! Si tani po e shoh atë djalë mi mur të Papadhates, kur m’u përgjigj greqisht fjalës shqipe.- Kush të tha që të mos dish shqip, or bir? – O dhaskalos, më tha djaloshi, pa ditur se ç’të vërtetë të helmshime po thosh!

Ah, jo! E kuptoj që këta anadollakë të gjorë, këta jetimë të varfër të thonë se janë grekër. Po ne, ne shqiptarët, me kujtime, me histori të shkëlqyer, me fytyra dhe emër të ndershëm, ne të themi se jemi grekër, këtë s’ma pret dot mendja!
Edhe nuk di, në duhet të kem një cmir të vdekshim për atë “ o dhaskalos” , apo në duhet të më vijë keq për atë djalosh edhe për prindët e tij?

Zafranboll, 30 qershor 1912

ObserverKult

———————-

Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: MË IKE EDHE TI