Riza Braholli: Më ike edhe ti

Riza Braholli

Poezi nga Riza Braholli

Kur gjithë e më pak më duan shumë njerëz
dhe bota ime tkurret e tëra brenda derës,
nuk qe kaq e pamundur të m’ikje edhe ti;
dhe s’është e para herë që m’u në pik të verës
më sjell qielli furtunë, plot shira e stuhi,
më shtie nëpër pellgje me kaq humor të zi!

Më duhet veç me veten të strukem e të mblidhem
me unin në një qoshk të zihem e të grihem,
mbi vete ta hedh barën sërish dhe këtë herë,
se mbi suvala deti nuk munda që të ngrihem;
si zogu i zgalemit, lëshuar mbi humnerë,
t’i turrem dashurisë, ta rrok si asnjëherë.

Se drita e shkëlqim e gaz më prure, verë
e zgjove bisqe plot mbi cungun tim të prerë.
Por mugëtira erdh’ sërish kaq e pabujë,
dhe mendja s’e gjen fjalën e fjala shkon në erë
bodrumit tim në terr, plot rraqe e rrëmujë
një rubinet në terr pikon e vret me ujë

Kur gjithë e më pak më duan shumë njerëz
Dhe bota ime tkurret e gjitha brenda derës
nuk është më çudi, që m’ike edhe ti
nuk është një gjë e re të mbetesh ballë erës
se, fundja, vera shkoi; i vjeshtës jam, gjithë shi
një trok prej dimri ndjej tek grah me borë tashti.

ObserverKult

Riza Braholli

Lexo edhe:

ALI PODRIMJA: UNË DO TË DUA…