“Migjeni dhe Agolli, moderniteti në vargjet shqipe, simpozium për poetët që e përsosën gjuhën dhe kulturën

“Migjeni dhe Agolli, moderniteti në vargjet shqipe” titullohej simpoziumi i organizuar në kuadër të përkujtimit të poetëve që e përsosën gjuhën dhe kulturën shqipe.

I organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, njohës të letërsisë si dhe studiues dhe personalitete të njohura të kulturës shqiptare.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se “sot është një ditë njerëzish të mëdhenj, në 1911 do lindte një yll, Migjeni, që ndonëse jetoi pak ai vazhdon të rrezatojë ende dritë nga drita e tij, dhe vazhdon të mbajë një vend shumë të rëndësishëm në gjithë hyjësinë e shkrimtarëve tanë”.

“Njëzet vite më vonë do lindte Dritëro Agolli, i cili jetoi gjatë e ndriçoi gjatë, si dhe me talentin dhe urtësinë e tij ka lënë e ka mbushur me shumë optimizëm boll momente të zymta që ka kaluar Shqipëria jonë bashkë me Dritëroin. Të dy poetët arritën të zbrisnin poezinë tek njerëzit, tek shqiptarët dhe e bënë duke ruajtur një nivel shumë të lartë artistik, gjë të cilën e arritën nëpërmjet gjuhës”, – theksoi Margariti.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, në fjalën e saj u shpreh se “në këtë aktivitet me karakter përkujtimor dedikuar Migjenit dhe Dritëro Agollit, të cilët do t’i quaja dy përfaqësues që shënojnë gjithë shekullin XX, nga fillimi me modernitetin me Migjenin, duke vijuar më pas me Agollin, një poet i cili me vargjet e tij emancipoi shoqërinë shqiptare”.

Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se “Migjeni dhe Dritëro Agolli janë si një vazhdimësi e njëri-tjetrit, të cilët veprat e tyre marrin jetë dhe zhvillohen në kulturën tonë të madhe”./ATSH