Migjeni: Dy buzë

migjeni

Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma hikën
ndër do bota të larta…

Dy buzë si të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën
në buzë kur mu njitën
andjet m’i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trurin ma helmuen
e në fund u mërguen…

Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një gruaje stërzane
një pjesë zemre më nxorne,
një pranverë të tanë më morne
dhe gëzimin ma vodhne…

Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lote të mija
qenë shenja të dhimbjes,
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.

ObserverKult

Lexo edhe:

MIGJENI: SHOK I DASHTUN, UNË PËRGJITHËSISHT NUK SHKRUEJ URIME!

Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj feste tjetër. Nuk shkruej, pse urimet qe n’ato dite tan bota ban, nuk dij a plotësohen një për qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja.

Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga te ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?

Tekstin e plotë e gjeni KETU