Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Qe, frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Dhe njëmend! At natë vallzuen ndjesit e jona
më një valle dëfryese, pa marrun frymë…
ObserverKult
LEXO EDHE: MIGJENI: KANGËT E PAKËNDUEME
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e mia jesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.
O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë djepi juej; ndoshta vorri juej.