Migjeni: Poeti i bilingualit të jashtzakonshëm!

Nga Gjergj Jozef Kola

P R O L O G   I  D R A M Ë S

Pulëbardha jeme – Moj Galebe

1.

Migjeni e Kafka

Kjo dramë, Pulëbardha jeme – Moj Galebe, asht nji akt dashunijet, shkrue me të njajtin pasion, sepse unë kam mendue gjithmonë se vetëm dashunia ka aftësinë me pa deri në fund të shpirtave njerzore e me zbulue të plota karakteret ku mbështjellet fryma e njeriut, si perla në nji guackë.

Millosh Gjergj Nikolla u lind në Shkodër me 13.10.1911 ose sic del nga dokumentat malazeze, MilošĐokoNikolić u lind me 30.09.1911, e kjo  dëshmon se ai asht  i njëjti person me dy emna e dy kultura: shqiptare e sllave.

(Egzistojne ne WEB nji seri dokumentash ku MIGJENI paraqitet me dy kombësi, Malazeze e Shqiptare e me dy emna të ndryshëm: Nikolić e Nikolla.)

Migjeni u rritë në mes dy kulturash, dy gjuhësh e dy botësh të ndryshme e në sejcilin, ku ma pak e ku ma shumë ndihej si në shpinë e vet. Shkodra e Tivari ishin krejt afër, megjithse në dy shtete të ndryshme.

Ky person, le të thirret Nikolla apo Nikolić e kjo i intereson në fakt shumëpakëkuj, vdiq pikërisht në ditën që e mori vesht se ishte i sëmurë për vdekje e prej tij lindi poeti, që njofim te tanë me nome d`arte : Migjeni.

Prandaj edhe kjo dramë përqëndrohet në vjetin e jashtzakonshëm kur lindi poeti, Migjeni e nuk merret me labirintin e dokumentave në dy gjuhë e dy kombësi të personit.

Millosh Nikolla apo Milo Nikolić jetoi 23 vjet si nxanës i teologjise ortodokse, ndërsa Migjeni 4 vjet si poet e megjithë fatkeqsinë e madhe të jetës së tij të shkurtë, ai ka sjellë dy bekime të jashtzakonshme në letrat e kombin shqiptar:

1. Përjetsimin e gegnishtes së tij origjinale, migjeniane.

2. Urën e kulturës së letërsisë në mes të sllavëve e shqiptarëve.

Asnjiherë deritash këtyne dy peshqesheve të medha që Migjeni i ka ba kombit shqiptar nuk ju asht dhanë as randsia e as vendi i duhun. Kush asht marrë me të asht mundue me e shkye, ma keq se sëmundja fatkeqe, pa kërkue kurrë me hi deri në thelb të qenjes së tij.

Te tanë jena të vetëdijshëm se asnji nga autoret gegë nuk i prek zemrat e shumë toskëve ma fort se gegnishtja e Migjenit, anispe Gegnishtja u ndalue prej vete komunisteve toskë në vjetin 1972…Paradoksi qëndron në atë se sidomos „studjuesit enveristë standartas“ që ja kanë mallkue gjuhën gege Migjenit, pikërisht ata i bajnë lajkat ma të mëdha e hiqen si mbrojtësit ma fanatikë. Me prekë vargjet prej filigrani të gegnishtes së Migjenit me „duert e standartit“,  asht njilloj si me prekë diamanta me drapën e cekan.

Ky asht nji fenomen tipik ballkanik i njerëzve „as mish as peshk“ që kërkojnë me turbullue sa ma shumë ujin e kthjellte, ku sic shkruen Migjeni: Shkodra lan hijen e saj.

Komuniteti shkodran dhe diaspora malazeze nuk do te kishin gjetë askund ma mirë se te Migjeni nji urë lidhëse të  përbashkët, për bashkjetesë, në harmoni e paqe, në art e kulturë. Sidomos sot në shekullin e 21 kur e ardhmja e Europës asht pikërisht EUROPA E RAJONEVE! Tivari e Shkodra, dy qytetet ma të dashtuna të Migjenit, dikur ishin nji Arqipeshkëvi e nji Vilajet e së shpejti uroj të jenë nji RAJON model mrenda Europës si shembull i bashkjetesës së dy kulturave…

Natyrisht që me shkrue për shpirtin e ndjeshëm te poetit Gegë, që papritmas u ndodh në nji trup të sëmurë, duhet me pasë në vend të pendës, krahë të hollë të fluturave, që edhe me fluturue porse mos me i prishë ngjyrat mbi krahë.

Fanatiket e dy krahëve,  skilet klasike, si ata që e cojnë në qiell ashtu edhe ata që e anatemojnë, janë njerëz që nuk e kanë shkrue nji poezi në jetën e tyne, apo nuk kanë dashtë kurrë në jetë me tanë forcën e zemrës ashtu sic deshi poeti, Migjeni. Kjo dramë nuk asht për to, porse për njerëzit vullnetmirë që kërkojne me e pa në sy të vërtetën.

Migjeni asht prova e madhe se shqiptarët e serbo-malazezët mund të ndërtojnë bashkë si kojshi nji të ardhme me paqe e kulturë, me art e poezi, tue kapërcye hijet e vedit e të historisë.

  Për me hjedhë nji dritë të fuqishme mbi figurën e Poetit Migjeni, na duhen mjetet shkencore kërkuese të shekullit 21 e në rastin tonë LETERSIA KRAHASUESE na afron, për ata që njofin botën gjermanoshkruese, menjiherë Franc Kafken…

Unë që në vjetin 1994 kur studjojshe gjermanisht në universitetin Karl Francenz te Grazit, u njofta me kët metodë të vecantë studimi, të „krahasimeve letrare mbinacionale“, të paraleleve të shpirtave të mëdhej poetikë, që gjithsesi kanë pika të përbashkëta, sejcili në hapsinën e vet.

Të dy, si Kafka si Migjeni andrrojnë me u ba dicka tjetër e përfundojnë nëpunësa shteti, të dy kanë mrenda trupave të tyne të njëjtën sëmundje vrastare, TBC-në, të dy kanë nji raport të pazakontë me dashuninë, të dy krijojnë vepra te lana përgjysë, Kafka tre romane të paperfunduem e Migjeni „kangët e pakëndueme“. Veprat e të dyve botohen vetëm mbas vdekjes e marrin famën që ju perket.

Të dy janë produkte të jashtzakonshme të Diasporave, ata vijnë nga etni të ndryshme prej vendit ku jetojnë. Kafka i perket hebrejve gjermanofolës që kanë ardhë në Pragën sllave katolike, ndërsa Millosh Nikolla vjen nga ortodokset sllave dhe ka nxanë vend në lagjet katolike shkodrane. Edhe nana e Milloshit ashtu si e Kafkës ka studjue në kolegjet katolike te kohës, porse ka ruejtë fenë dhe etninë e tyne, hebreje e sllavo-ortodokse.

Franz Kafka (cekisht, tek tuk, del edhe varianti i emnit Frantisek Kavka që në shqip mund të përkthehet fjalë për fjalë Fran Korbi)  ky jurist me diplomë perandorake e nëpunës i sigurimeve shtetnore perandorake Habsburgase, arriti me u ba shkrimtari  i përmasave gjeniale botënore dhe karakteristika e tij e jashtzakonshme ishte se ai megjithse lindi e u rrit, studjoi e kaloi tanë jetën  në Pragë,  nuk shkroi kurrë cekisht.

Milloshi ose Miloja studjoi 12 vjet në shkolla në gjuhën serbo-kroate e deri në momentin që u sëmurë në mënyr të pashërueshme, nuk botoi asnji shkrim as në serbisht e as në shqip.

„Cfarë gjuhe ka shkrue Milo-Milloshi deri në lindjen e Migjenit, i cili kur lindë në vjetin 1934 vendosë me botue vetëm gegnisht, nën emnin Migjeni?“

Kafka e Migjeni këtu mund të bashkohen në nji thanje të Kafkës që vlen për të dy: „Gjermanishtja asht gjuha e nanës, porse cekishten e kam për zemër.“ (F.Kafka, letra drejtue Milenes) .

“ Serbo-kroatishtja asht gjuha e nanës e Migjenit, porse gegnishten e ka për zemër, sepse ka vendose me botue vetëm në të.

Komuniteti hebraik i Pragës investoi 16 vjet te Franz Kafka me lindë nji jurist që u ba edhe shkrimtar gjenial për merita te veta. Komuniteti sllavo-ortodoks i Shkodrës investoi 12 vjet te Milo-Milloshi për me nxjerrë nji klerik e së fundi u lind nji poet, për merita të tijat.

Këto dy komunitete të ndryshme në vend e në kohë, mbarsin nji mal e prej aty nuk lindin mijtë, porse poetet, 2 shkrimtarë të jashtzakonshëm në llojin e hapsinën e tyne.

Millosh Nikolla alias Milo Nikolić per 22 vjet me rradhe e mbushi shpirtin e qenjen e tij me mistiken e mrekullueshme sllavo ortodokse, me gjenitë e poezisë e letërsisë sllavo ortodokse, të cilët nuk kanë asgja të përbashkët me politikanët kriminelë ala Milloshevic.

Prej levozhgës së këtij personi me dy emna e dy pashaporta, nji shqipe e nji malazeze, cfaqet nji i tretë, thalbi i të cilit gjindet mrenda të dyve: Migjeni! Ky poet ka vendose me lindë shqip, sepse për herë të parë ky person boton poezie e prozë me emnin MIGJENI. Asnji poezi apo proze nuk ka ardhë derimësot as në serbisht e as në shqip që të mbajë nënshkrimin e Milo Nikolićit apo te Millosh Nikollës.

Migjeni nuk asht as Milo Nikolić e as Millosh Nikolla e ketu duket se letersia ka nji kod te vecantë kur fjala kërkon me dalë mbi etnitë…

Kafka u pagëzue në sinagoge me emnin gjerman Franz Kafka ndërsa nga ana tjeter kena emnin Milo Nikolić të pagëzuem ne kishën ortodokse malazeze. Sigurisht që sinagogat për hebrejte dhe kishat për të krishtenët kanë shërbye në diaspora si qendra të ruejtjes së identitetit e vazhdojnë ende sot me krye nji mision te tillë.

Migjeni u rilind prej Milo Nikolićit e që nga ai cast e kapërceu atë, përderisa u pagëzue në publik si poet me emnin e ri e gjuhën shqipe gege.

Si Franz Kafka ashtu edhe Migjeni u banë të famshëm mbas luftës së dytë botënore, në vjetin 1945, Kafka nisi famën në USA e që aty pushtoi botën. Migjeni e nisi famën në Tiranë e që aty pushtoi Shqipninë.

Ekspresionizmi i Kafkës dhe ai i Migjenit përmblidhen në nji rregull të artë, që Kafka ka vendosë në krijimtarin e tij:

„ Me thanë sa ma shumë, me sa ma pak fjalë. Kur shkruej unë nuk i perdori fjalët, unë i krijoj ato. (Wendelin Schmidt-Dengler, Norbert Winkler: Die Vielfalt in Kafkas Leben und Werk. Vitalis 2005)

Porse ajo e përbashkët e madhe e Kafkës e Migjenit qëndron në forcën që duhet me pasë nji libër, nji vepër letrare. Kafka shkruen:

Na kena nevojë për libra, që veprojnë ndër ne si nji fatkeqsi, që na shkaktojnë dhimbje të madhe, sie vdekja e dikujt që kena dashtë fort, sikur të na kishte cue dikush në pyll lerg prej njerëzve, NJI LIBËR DUHET ME KENË SI NJI SPATË PËR ME THYE DETIN E NGRIMË BRENDA NESH.

( Franz Kafka, letra drejtue Oskar Pollak 1904.)

SI Kafka ashtu edhe Migjeni thyen shumë dete të ngrime në zemrat e njerzëve që i lexuen e i deshtën.

Ndryshimi i madh i habitshëm qëndron në përdorimin e IDIOMËS. Ndërsa Migjeni nuk e përdor as edhe nji herë të vetme duke u ba kështu përjashtimi i madh i vetëm në letërsinë botnore, Kafka e përdorë ku të jetë e mujtun, si cdo poet gjenial. Migjeni as edhe idiomen e famshme shkodrane qe mund ta kete ndi me qindra herë në Gjuhadol, „më ra vedja e me këputi“, të cilën Kafka e ka në origjinalin gjermanisht „Hochmut kommt vor dem Fall“ nuk e përdori kurrë…

Migjeni e Kafka arriten sejcili majat e veta, i pari ato shqiptare e i dyti ato botnore, në ngjashmëni të jashtzakonshme, diku të rastësishme e diku për hir të ligjeve të letërsisë.

 Edhe vdekja i mori të dy njilloj, në nji sanatorium ku po kuroheshin për TBC-në e pashërueshme, Kafka në Vjenë, larg Pragës së dashtun e Migjeni në Torino, larg Shkodrës e Tivarit të dashtun…

Megjithatë, në fund të fundit, dicka mbetet në embrion e ndryshme në mes të dy poetëve e asht kjo që e ban Migjenin aq të jashtzakonshëm për me shkrue nji drame për te. Pikën e fundit të takimit Kafka e Migjeni e kanë pikërisht në shprehjen e famshme biblike: „Nëse fara e mirë nuk bjen në tokë ajo mbetë vetëm, nëse ajo bjen në tokë e vdes atëhere jep fryte të bollshme“. Gjoni 12,24 Kafka e Migjeni ranë në tokën e disaporës, e nëse Kafka dha frytet e tija për diasporën hebreo-gjermane e për kombet gjermanofolës, Migjeni mbeti i vetëm ne diasporën e tij sllave, e ndërsa vdiq dha fryte në kombin ku zgjodhi me ra: kombin shqiptar.

  Pikërisht kjo përban edhe sfidën e kësaj drame dhe hapë nji fenomen të ri, atë të kapërcimit të diapsorës e përhapjes ne vendin mikpritës. Kjo asht nji sfide transhendente n`mes të shpirtit njerzore që rritet n`mes të kulturave e vendosë në fund për njenën prej tyne.

Me dhjetra shqiptare sot ne botë, brezi i dyte apo i tretë, këndojnë e shkruejnë në gjuhen e kombit ku jetojnë, ndërsa e jashtzakonshmja te Migjeni qëndron në atë që ai u rrit në diasporë me gjuhen, kulturen e shkollën e kombit të tij Malazez, ndërsa artin e poezine ja dha vendit ku jetoi, Shkodrës e Gegnisë.

PSE?

Kjo dramë kërkon me i dhanë përgjigjë kësaj pyetje e njiherësh me ndërtue nji urë mirëkuptimi në mes të popujve në nji konstrukt të vecantë e origjinal.

Migjeni ne drame përsëritë disa herë se i duket vedja si Odiseu në shpellën e Polifemit mbasi i ka ngulë atij heshtën në sy e gjigandi thërret: ASKUSHI ma bani, askushi!

Heshta e poezisë migjeniane asht e ngulun ne synin e shovinizmit e fanatizmit që shef vetëm me nji sy. 

2.

Migjeni dhe rranjët e shpirtit poetik.

Heroi i dramës tonë në raport me jetën e familjes Nikolic, thotë, ndërsa asht student i teologjisë në seminarin „Sveti Jovan“ në Manastir që:

Unë jam frut i nji dashunie të ndalueme. Na kurrë nuk do të kishin ardhë në Shkodër sikur gjyshit tem Nikolić të mos ja kishin pengue me e marrë nuse gjyshen teme e ai e grabiti e erdhi ketu…Shkodra asht për mue si nji strehë për dashnorët malazeze…Nëse kam me shkrue nji ditë nji liber, kjo histori e familjes do të jetë vepra jeme e parë…“

Migjeni i përket diasporës serbo-malazeze të qytetit të Shkodrës, diasporë kjo që fliste serbisht n`mes vedit e martohej e trashëgohej sa të ishte e mujtun n`mes vedit. Këtu qindron magjia e krijimtarisë së Migjenit, në urën lidhëse të dy kulturave, shqiptaro-sllave.

Poezia „Të lindet njeriu“, mund të jetë shkrue në cdo gjuhë të botës e ajo mund ti përshtatet cdo vendi apo kombi e për Shqipninë asgja nuk thotë pervec asaj që asht botue në gegnishten  ku bjen ne sy „G´juhadolsja“ me ngjyrimet e saj lokaliste shkodrane e në nuanca të ndryshme nga Gegnishtja letrare e kohës.

Poezia e parë e botueme e Migjenit të sapo rilindun nga dy personat në nji, Nikolla-Nikolići shpërblehet me 10 franga arit.

10 franga arit per nji poezi?

Revista që drejtohet nga nji g`juhadolas fisnik, shkrimtari Ernest Koliqi kallxon shpirtin e bukur të artit. G`juhadolsi Koliqi shpërblen dyfish g`juhadolsin Migjeni me honorar e me botim…(përgjatë dikaturës e  mjerisht edhe në kohën e sotme shkimtarët e G`juhadolit e mbarë vendit janë gati me ja hjeke syte njeni tjetrit jo ma me u përkrahë ndër vedi.)

Asnji nga studjuesit e deritashëm të Migjenit nuk e njef gegnishten që ka shkrue poeti, pa përmendë gegnishten si gjuhë letrare që ka 7 shekuj që shkruhet. „Studjuesat“ ma te medhej jane STANDARTASIT të cilët janë mundue me cdo kusht me e nxjerrë atë revolucionar pararendës të realsocialismit shqiptar(?)

 Me mohimin e gegnishten shqiptarët bjerrin pjesën ma të fuqishme te letrave shqipe në përgjithsi e të Migjenit në vecanti. Migjeni asht mjeshtër i Paskajores, e megjithatë standartasit që bajne gjoja se dojnë shumë, e mohojnë vetë themrën e Akilit të gjuhës së tij.

Migjeni nuk përdori asnji turqizëm në shkrimet e veta, asht ndër të paktët shkrimtarë pa arabeska, e kjo kallxon se shqipja qe ai njifte ishte ajo e lagjes ku kishte le e rritë: G`juhadolit. Madje edhe shkrimtarëve që shkruejne tash 35 vjet mbas tij në standartin komunist të 72 nuk ju kanë pshtue turqizmave në shkrimet e tyne e vazhdojnë ende sot me shkrue nji shqipe ma të  kontaminueme se ajo e Migjenit.

Do të jetë nji fatlumni e madhe sikur të gjinden poezi të Migjenit në serbo-kroatisht sepse ata duhet të jenë prej nji përsosmenie ritmi e gjuhet të rralle, e si dygjuhësh sic ishte ai do të prezantonte nji pasuni te madhe për dy kulturat, shqiptaro-malazeze.

Porse shkruen ai: Nuk due të jem nji gozhdë e ngulun në tru të njerzisë…

Migjeni kishte fatin e madh që u rrit  në mes të Shkodrës, në nji zonë të hapun, tolerante katolike e plot kulturë. Në cdo rrugicë kishte nji teatër e në cdo dy shpija nji piano. Shpija e tij ishte vetëm 5 metra lerg kishës e kuvendit franceskan ku jetoi e krijoi nji jetë të tanë poeti ma i madh, gjenial i letrave shqipe: AT Gjergj Fishta. Sa keq që përvec ndonji gojëdhane nuk ka mbrritë kurgja e shkrueme në raportin Fishta Migjeni, si kojshi që ishin e padyshim që njifeshin edhe personalisht, thjesht se gjithkush e njifte njeni tjetrin në G`juhadol e përshëndetej ndër vedi.

Migjeni e ka lanë vetë porosi në vargjet e veta kuptimin e egzistencës se vet, tuë gdhende atë në dy vargje lapidar:

MJERIMI NUK DON MËSHIRË

DON VETËM TË DREJTË

Kjo porosi e fundit e poetit ka qenë edhe lajtmotivi i kësaj drame.

Poeti Migjeni nuk ka nevojë as për lajkat tona prej „LejFeni“ e as për „shamjet e shilimet“ e Skileve, ai ka të drejtën me u pa vetëm me drejtësi.

„Nëse sëmundja e pabesë më ka sjellë dicka të mirë, ajo asht rigjetja e autorëve të ndaluem në seminar. Me Nietschen e mbinjeriun e tij egoist, me poezine espresioniste, me erotikën, me prozën bashkohore simboliste. Ata janë si anije të vogla që më janë afrue ndërkohe që Titaniku i jetës teme tashma ka ra në fund te oqeanit…“, thote personazhi i Migjënit në dramë.

Në kët pikë kryqëzimi të jetës së Migjenit na vjen në ndihmë prep metodika e Letërsisë krahasuese të shpirtnave poetike: Nietsche ishte i semurë, Kafka ishte i sëmurë, Migjeni ishte i semurë e shpirtave të ndjeshem të lulëzuem në mendje të kultivueme ju mjafton shkëndija e nji dhimbjes për me sublimue njeriun, revolten e përditshme.  Ata nuk  pranojnë me u ba fetare të devotshëm e me mbartë kryqin e sëmundjes me pervujtëni, porse revolta para vdekjes së pashmangshme asht nji „heroinë“ qetësuese që ju futet në palcë e nga ky reaksion lindë: MBINJERIU:

Te lindet njeriu

nji njeri i ri

mbinjeriu Nietschean…

Këtu Migjeni ban kalimin që kanë ba dy abramahitet para tij, Nietsche e Kafka… Prandaj asht cmenduni me i veshë Migjenit fdy kostume njiherazi: si kostumin e doktrinës së mbinjeriut ashtu edhe atë të komunizmit. Nji poet i ka krahët e gjanë dhe ai duhet me i njoftë e  depërtue të dy ekstremet, të djathtë e ëe majëe e me mbetë vetvedja. Poeti origjinal lahet në tana ujnat e botës, të djathtë e të majtë e në fund pagëzohet si qendër e plotë, simbas idiomës gege: „midisi korrë anat“.

Proza ashtu edhe poezia e Migjenit ka origjinalitet në ndjesi e kandvështrim, ndërsa  si stil të shkruemi ka përsëritje e nuk sjell risi. Ajo që i ka rrezistue kohës nuk asht forma e poezive me rrimë, aa apo ab, tashma e kapërcyeme në poezinë lirike të shek XX, porse ajo thellësia me të cilën poeti e shef egzistencën njerzore.

„Qirat që përdorë Migjeni me ndricue botën gjinden gjithandej, porse vendi ku ai i vendos si dhe skutat që ndricon, janë origjinale e i qindrojnë kohës.“, thotë vajza, personazhi i dramës tonë, dashunia e ndalueme e Migjenit.

Migjeni nuk ka hi në korsinë e vrapimit të kuajve të letërsisë, si nji kalë i sprovuem e me stërvitje të durueshme, porse asht ndodhë papritmas si nji kalë i egër që shpërthen përpara dhe arrin me shkue shumë afër finishit. Vargjet e tija janë si bacilet që të njiten e nuk të shqiten kollaj…

3

Migjeni njeriu dhe poeti

Ashtu si cdo njeri, cdo vepër e cdo shpi e ka nji cilës me të cilin mundesh me e hapë derën e pa gjithcka që ndodhet mrende. Cilësi Migjeni ndodhet shumë thellë, në fundin e oqeanit e deritash kërkush nuk ka guxue me hi aq thellë e me i dhane përgjigje pyetjes që skjaron shumëcka:

A janë fjalët e para të poezisë së Migjenit „ljubavi moja“ apo e „dashtuna jeme“?  A janë fjalët e fundit të Migjenit, „o majko moja“, apo „o nana jeme“!? Cfare gjuhet foli shpirti i poetit ne fund te kthjelltsise oqeanike?

Rreth kësaj mjerisht nuk ka asnji dëshmi të vetme as gojore e as të shkrueme.

Migjeni botoi shqip e shqipja ishte pagëzimi i tij letrar në publik, porse askush nuk mundet me e thanë me siguri nese ai KRIJOI në  serbo-kroatisht apo në gegnisht… Poezitë në dorëshkrimin shqip të Migjenit, kallxojnë për nji kaligrafi të nji njeriu të qetë, të rregullt, si nji det i lëmuet, si nji hartim bukurshkrimi, të cilat, kallxojnë për stuhina te jashtzakonshme e janë kaq në kundërshti me njena tjetrën…

Nga informacionet e pakta e shumë të rrezervueme që kanë dalë prej klanit Nikolić-Nikolla në Shkoëer, asht pëshpëritë se NA TË BIRTË E SHEKULLIT TË RI, Migjeni e shkroi në serbo-kroatisht e mandej ajo  u përkthye ne gegnisht po prej tij, porse përderisa nuk ka dokumente na mbesin vetëm spekullime…Natyrisht që Milo Nikolić ka qenë nji person real me plot andrra e kulturë, me shkrime e lexime, ndërsa Millosh Nikolla nji kostum që asht veshë ne raste praktike, sic ishte ajo e fillimit punë si mësues në shkollat e mbretnisë shqiptare, apo pashaporta për me shkue me u kurue në sanatoriumin italian të murgeshave katolike…

Porse pyetja e madhe mbetet: Kush ka dominue te Poeti MIGJENI, Miloja apo Milloshi? Il Nome d`Arte MIGJENI i ka të dy mrendë edhe MI-Milon serb e MI-Milloshin shqiptar edhe NI – Nikolićin serb e NI- Nikollen shqiptar.

Kjo dramë nuk merret me kritikë letrare, porse ajo merret me „ringjalljen“ e plotë të nji karakteri njerzorë, atij të MIGJENIT, i cili doli nga shkodrani i diaspores sllave, nga nji i diplomuem për Pop në „Sveti Jovan“, me emnin Milo Nikolić, sic del filizi prej farës në prandverë.

Sado brutale të duket, porse sikur të mos ishte sëmurë Milo Nikolići, nuk do të kishte lindë kurrë Migjeni e letërsia shqipe do të ishte e vorfën pa pendën e tij. Migjeni mbetet  simbioze e jashtzakonshme e genit ortodoks sllav me genin shqiptar,  si nji fenomen i rradhë që favorizon bashkjetesën e poezisë e bukurisë.

Ky personazh, Migjeni, bjen me vedi atë mesazhin e jashtzakonshëm të llampës e cila përpara se me dhanë frymën e fundit shkëlqen me nji dritë verbuese. Ai bjen mesazhin e njeriut të vecantë, i cili mbasi ka ndërtue gjithcka në jetë e shef se i shembet dhe e nxen nën vedi e pikërisht nën këto gërmadha të andrrës zbulon dicka të jashtzakonshme: poezinë e shpirtit njerzor e rilind bashkë me te.

Për kët poezi ai asht gati me kalue mbi kufoma, se Migjeni e hjedh matane edhe Nikolićin edhe Nikollën, për kët frymë të fundit që i ka mbetë besnikë.

Megjithse ky Gjuhadolas metamorfik i jashtzakonshëm e dinte se do jetonte shumë shkurt, që u banë saktësisht 26 vjet e 10 muej, ai e piu deri në fund kupën e jetës sikur besonte se kishte gjetë nji mënyre tjeter me jetue shumë gjatë…

 Askush nuk e di nëse Migjeni që doli nga Milo Nikolic e që shkruente serbo-kroatisht tash 12 vjet në shkolla, shkroi poezi se pari në gjuhën e nanës Sofije apo gjuhën e Gjuhadolit? Tematika asht e larmishme, diku universale, diku tipike e ambjentit shqiptar ku jetonte, ambjentit shkodran,  ku Migjeni në krahët e vdekjes  po jepte frymën e fundit.

 Jeta e tij kishte qenë e tillë e komplikueme e njashtu edhe letërsia e tij u komplikue mjaft. Nuk ishte e lehtë me shkrue për nji ambjent ku kishte kalue fëmininë e në periudhat e verës edhe rininë e parë, me nji gjuhë e kulturë tjetër. Gegnishtja e tij asht e kandshme, nji gegnishte ndryshe, që të shtron menjiherë pyetjen:

A asht kjo nji gegnishte përkthimesh nga nji gjuhë tjetër?

Nuk e dijmë përderisa nuk ka dorëshkrime serbokroatisht, na dijmë vetëm se kjo i ban nder e lavdi fuqisë së jashtzakonshme të gegnishtes që kishte 7 shekuj që shkruhej e lëvrohej.

 (Në Toskëni ka disa poete shqiptarë që kanë shkrue në gjuhë të tjera ku edhe janë formue, si greqisht e turqisht, ndërsa shqipja ishte e ndalueme nën perandorine osmane,  e janë mundue me i përkthye në toskërisht krijimet e tyne e  ma vonë me i nxjerrë si origjinale në shqip). Pra fenomeni nuk ishte i panjoftun ndërshqiptarët e Ballkanit.

  Nese kjo temë nuk asht prekë derimësot e këto poetë janë himnizue, kjo vjen nga thatësina e jashtzakonshme poetike nën 45 vjet dikaturë komuniste e na ende nuk e kena luksin per nji gja te tille.

 Fatlumnija e letrave shqipe qëndron në atë se Migjeni i botoi në gegnishte krijimet e tija, tue fute në to edhe ndjesi të thella, nga nji nenvetëdije ku ndjesitë kanë të njëjtin burim.    

Unë personalisht uroj që poezite që mund të ketë shkrue Migjeni në gjuhën e nanës së tij të dalin nji dite, PA FRIKË E PA ZORI. Vetë metrika e poetëve serbo-krotave asht e panjoftun per letrat shqipe të kohës e kjo e cfaqun në vargjet e Migjenit padyshim që befason e njiherësh asht nji horizont që papritmas ngrihet vertikalisht deri në qiell e sjell gjithcka përmbys, si vetë poezia e tij. Nji trup shqiptar i veshun me kostum sllavo-malazez, në festën e poezisë e të kulturës  mund të ishte metafora e duhun e kjo nuk asht aspak kitsch, porse nji letërsi mjaft e kandshme e origjinale.

Kandvështrimi kritik i poezisë migjeniane ndaj realitetit na pëlqen padyshim e ka me na pëlqye gjithmonë, sepse kjo përban edhe thelbin e forcën eksplozive të këtyne krijimeve letrare. Krijimet e Migjenit janë „prodhime nga toka shqiptare“ prandaj shijojnë aq mirë e bukur nga konsumatoret e saj e shpesh mbesin të pakuptueshme e te pashije për konsumatorin e huej…

Kritika ndaj realitetit në disa krijime të Migjenit të kujton padyshim Ernesto Cardenalet e Amerikes Latine, këto unjilltare majtiste, e nga ana tjetër Mbinjeriu i tij Nietschean, asht njiherësh edhe krejt afër lëvizjeve të djathta. Poeti kur shtrin krahët kërkon me e përfshi tanë botën në to.

Si shpërblim ndaj kësaj poezie që na afroj, Migjeni na kërkoj vetëm nji strehë të fundit ne shqiptarëve, porse komunistat e keqpërdorën aq shumë për 45 vjet saqë kur ra dikatura ja hoqëm edhe atë pak që i dhamë. Komunistat i vunë Teatrit të qytetit Shkodër emnin e tij, jo për meritat që thame ma nelt, porse për arësye të tjera, ku e para ishte ajo që të mos i vendosnin emnin e themeluesve të këtij teatri, krijuesve autoktone shkodrane, e dyta ishte ortodoksia sllavo ruse që afroi edhe projektin. Paradoksi qëndron aty se Migjeni nuk kishte ma lidhje me to, sepse si poet, Migjeni kishte ikë tashma nga Milo Nikolići e ai kishte shkrue gegnisht që ishte shpallë „armiqsore“ që në nandorin e zi të 1944…

Migjeni ka fatin e cuditshëm të karaktereve njerzore që kalojnë në të kundërtat, jetonte me dhe përmes antitezave,  ai ka atë që quhet simptoma e shën Palit. Nga fetar i zjarrtë në vokacionin për meshtar Pop ortodoks ai prej sëmundjes, (si shën Pali prej verbimit në shkretinë) kalon në anën e kundërt. Ai rrëzohet prej dorës providente që e kishte mbajtë deri tash ngrohtë e butë, e sëmundja e pashërim e përplas në realitetin e ashpër të luftës së humbun për mbijetesë.  Migjeni u nda prej Hyjit që i „kishte cue sëmundjen“ e u kap mbas fjalës njerzore për me shkue në botën e vdekjes, ishte vetem 23 vjec.

Nga ky rrëzim lindi edhe poeti, Migjeni, ky origjinal i letersise Gege! Ai asht rritë dygjuhësh, pra dhe flet e shkruen dy gjuhesh, ku serbo-kroatishten e njef shumë ma mirë se shqipen sepse e ka studjue 12 vjet e shqipen e ka nxane vetem me te ndigjueme e të folun e për herë të parë në nji shkollë shqipe hyn si mësues i saj në Pukë.

Nji vjet te tanë reflekton ai në Tivar te motra e madhe, se nanë e babë i kanë vdekë e jetimi ska ku me shkue tjetër, mbasi ka marrë goditjen e madhe të jetes, e cila i erdhi pa nisë mirë jeta…

„ Tivari asht bira e fundit e kavallit e letërsise së mbretnisë Jugosllave. Poezia jeme këtu nuk e ka asnji shanc me mbijetue. Në revistat letrare te Beogradit e të Zagrebit as që kanë me ja hjedhe syte krijimeve të mija. Tash me mbetet vetem nji keshtjelle e vetme ku mund te fluturoj: Keshtjella Arbnore“!, thotë Migjeni në dramën tonë kur shpjegon kthimin në Shkodër dhe vendimin me kalue aty ato pak vjet jetë që i kanë dhanë mjekët.

Shumëkujt i ka ra në sy se Migjeni asnjiherë në krijimtari nuk e ka përmendë fjalën Shqipni e nji herë të vetme ka folë vetëm mbi „Kështjellë Arbnore“, Arbanska zamak… e megjithatë poezia e tij mbetet nji shkëndije e jashtzakonshme e letrave shqipe, e meqë ai asht rritë me dygjuhësi nuk mund të thuhet nëse janë përshtatje apo jo.

Vetëm kush jeton në mes të femijëve të diasporave, që janë rritë me dy gjuhë e shkruejnë e flasin e krijojne në dy gjuhë mundet me e kuptue krijimtarinë e Migjenit.

Kjo krijimtari dygjuhësh e sidomos vetë personazhi i Migjenit janë nji urë e mrekullueshme afrimit në mes të dy kulturave, shqiptare e malazeze, të cilat Migjeni si FLIJIMI I LEGJENDAVE BALLKANIKE  i lidhi bashkë në ato pak vjetë të fundit të jetës.

4.

Migjeni ose dritë hijet e nji shpirti në travajë.

Natyrisht që hijen ma të randë në jetën e poetit nuk e mban hija e turbekulozit ne mushkëni që i mori edhe frymën, porse ato kompromiset e mbijetesës që i kërkuen edhe nji cmim shume të randë gjatë këtyne pak viteve jetë.

Migjeni shkoi për gati nji vjetëë në Vrakë, në komunitetin serbo-malazez e famullinë e cila kishte edhe nji shkollë për të cilën nuk ka mbrritë asnji shënim, nëse ishte në shqip apo në serbisht, shtetnore apo e kishës ortodkse. Ndryshe nga Puka, derimësot nuk njifet asnji nxanës i Migjenit apo asnji shkrim mbi nxanës në Vrakë…

  Hija e madhe në jetën e njeriut Migjen, (nëse poetin mund ta cilësojmë si njeri me të mira e të keqija) qëndron pikërisht në Pukë kesaj qyteze në brinjë të alpeve shqiptare. Në asnji vend të botës nuk lejohet që nji i sëmurë me sëmundje infektive të ketë kontakte me njerëz, aq ma shumë me fëmijë. Ministri reformator Ivanaj që mbylli shkollat private, disa prej tyne kishin edhe nji traditë disa shekullore, nuk pritoj me firmosë nji vend pune për mësuesin me TBC, aq ma shumë me Diplomën si Pop, pra pa arësimin përkatës e me ja lëshue fëmijve të Pukës për me ju dhanë shqip…Shkodra ishte e mbushun me shkolla private e shtetnore porse askush nuk e lejoi dicka të tillë, megjithë humanizmin që i karakterizonte.

Migjeni-njeri doli mbi Migjenin e pakompromis Poet, ai e pranoi kët kompromis të dhimbshëm për dy arësye, së pari i rrejtun nga iluzioni i shërimit nga natyra e pastër e Pukës dhe së dyti nga pagesa që i duhej me mbijetue pa ja shtri doren kushërijve, Trimcevëve të urtë, në shpinë e të cilëve jetonte, midis Shkodret.

Simbas fjalës së urtë gjermane  „aus der Not ein Tugend machen“ Migjeni shkroi në Pukë disa skica të fuqishme, tue i ba vedit vend në zemrat e pukjanëve dhe tash së fundi edhe nji memorial në sheshin kryesor të qytetit.

Migjeni pra nuk asht as krejt bardh e as krejt zi, porse ai ka në vedi ekstreme të njenës apo të tjetrës, e kjo asht thelbësore në trajtimin e tij në nji dramë si karakter të plotë njerzor.

Unë personalisht kam recitue poezine e tij që 10 vjec në teatrin që mban emnin e tij në Shkoder, prandaj lidhja me Migjenin asht krejt e hershme, prandaj vepra e jeta e tij ka tanë përkushtimin e ndershmënine e krijuesit te paanshem që kërkon dritën porse pa e mshefë hijen.

Që fëmijë kam shkue shpesh te shpija e tij muze që ishte përballë lulishtes në pjacë e meqë shkrujshe vetë poezi e në disa prej poezive të  Migjenit e gjeja realitetin shkodran ku jetojshim, nuk ka si mos me pasë shkëndija dashunijet, mes mejet e Migjenit, megjithse ai ishte i perkëdheluni i diktaturës.

Migjeni e Mjeda ishin dy poetet e vetëm shkodranë, që kishin fatin e madh teëbotoheshin rregullisht në gegnisht, ndërsa shumë të tjerë, si dy kolosët Fishta e Koliqi nuk kishin asnji të drejtë botimi, në kohët e errëta të standartit komunist.

  Migjeni vdiq në krahët e nji murgeshe katolike italiane në nji spital bamirës torinez, te vetmin që ja hapi dyert e  dritaret pa pagesë, sic ndodh edhe sot me shumë shqiptarë apo emigrantë nga bota e në kët vend asht rasti me shprehë nji mirnjohje që kërkush nuk e ka shprehe derime tash, se ende ka që kujtojnë se jau ka kush me borgj shërbimet në perëndim.

Po e mbylli kët prolog-esse të dramës për jetën e Migjenit  me fjalët e shejtneshës shqiptare Nanë Tereza që thotë: „Ata nuk kishin strehë e paqe e unë i mora në shpinë teme e ju dhashë strehë e paqe e tash vdesin si zotnijë e si engjuj të qetë!“

Pakëkush në Shkodër nuk ka qenë ma i trishtuem se unë kur ja prishen “shpinë muze” Migjenit. Trimcevët me origjinë malazeze, djemtë e tezes së Migjenit, të cilëve ju takonte me tapi shpija, në nji aksion në „natë e mjegull“ e shitën shpinë që kishin me dokumenta të rregullta, sapo erdhi demokracija në 92, sepse shteti komunist shqiptar nuk ishte kujdesë kurrë me ba blemjen e rregullt ligjore. Trimcevët nuk mund të ja falshin kushërinit të tyne Milo Nikolićit, që me anë të disa poezive kishte arritë me ju marrë tanë atë shpi dykatëshe në mes të Shkodrës për 45 vjet dhe në rastin ma të pare e kthyen drejtësinë në vend.

Shpinë e blenë murgeshat e nji urdhëni kontemplativ si me dashtë me e mbyllë nji rreth që ishte hapë tash 50 vjet…

Unë u merzita shumë, sepse shpija e poetit do të mund të shërbente si nji vend pelegrinazhi i dy kulturave, shqiptaro-sllave, pika takimit për rrugën në shpinë e përbashkët të Europës.

Prandaj kjo dramë, si nji strehë me themele të qëndrueshme e poetit Migjeni, si nji urë e dy kulturave shqiptaro-malazeze, për të ardhmen, se poezia asht tapija e shpirtave të lirise e të paqes.

Drama „Pulëbardha jeme – Moj Galebe“, asht nji dramë ekspresioniste e na zbulon nji Migjen tjetër, lerg prej Migjenëve realsocialist që jena mësue me pa derimëtash. Kjo dramë paraqet Migjenin e vërtetë, larg tabusë, njashtu sic ishte realisht poeti, ekspresionisti paar excellence i poezisë shqipe të viteve 30.

Uroj që kjo dramë të thyejë detin e ngrimë që ndodhet në shumë njerëz e të hapë detin e lirë të kombeve e popujve në Ballkan.

Gjergj Jozef Kola

Vjenë, Tetor 2019.

/ObserverKult