Dhe trumcaku vuante nga melankolia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemvet -brenat e një shtazës parahistorike. Dhe në kët natyrë – e cila nuk mund të quhet natyrë – kush mos të bahet melankolik?
Dihet se një trumcakut s’i duhet shumë për jetë, por natyra, e cila nuk ishte natyrë, s’i epte as aq. Mos pyetni si e tek u gjet trumcaku n’at vend, dhe si e tek u gjet njeriu në kët pikë kozmike – nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… të bahet dritë! Dhe drita u ba!”
– A shifni? Një fjalë magjike! Hokus-pokus! Sa bukur!
Dhe unë thashë: të bindet trumcaku në një vend ku në vend të barit bijnë qimet e derrit, e në vend të pemve – brinat e një shtazës parahistorike.
Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli sytë. Ra në pikllim melankolik. Njeriu me temperament melankolik asht inteligjent. E inteligjenca në kuptim
ma të hapët të fjalës, pakkuj i solli qetsi dhe të mirë.
Dhe trumcaku, në majë të brenës e në kulm të melankolis, vendosi të vritet. Plot ironi filozofike shikonte rreth përqark vetes e vendimi i patundun mirëfilli pasqyrohej ndër sytë e tij të dëshpruem. Cicërroi një herë, cicërroi dy herë; cicërroi tri herë.
Mandej një cërrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimave të tija. Dhe, pa u dhanë krahëve, kërcej prej brenës… ra mbi një qime të derrit, të gjatë e të mprehtë si thika, dhe u ngul mbi të.
Trumcaku i ngulun mbi një qime të derrit. Me krahët dhe puplat e tij lonte era dhe e sjellte rreth qimes, si sillet dhe gjeli metalik në majë t’oxhaqeve tona. Atbotë frynte veri.
Çka janë këto kapërcime logjike! Ka me bërtitë ndokush.
Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemërohesh dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike askuj damsjellje?/ ObserverKult
Lexo edhe:
“GRUE A HYJNESHË M’ERDHI NGA GJIN’ I ERRSINËS” POEZINË E MIGJENIT E LEXON ENGJËLLUSHE ALLA
Poezi nga Migjeni
Grue a hyjneshë, e mbështjellun n’errsi të natës,
zbriti nga sfera të panjoftuna ndër odat e mia
dhe u shtrue një fllad, një e kandshme ndjesi,
një heshtje parathanse zemrën don të ma përpijë,
vetëm që ora këndon kangën e thjeshtë të natës
-jo -jo! dhe diku larg dëgjohen tingujt e kangës
Grue a hyjneshë m’erdhi nga gjin’ i errsinës…
Qe, frymën ia ndjej dhe zemrën që rreh prej fellsinës.
Buzët e njoma të saj,
Syt e zez e të mdhaj
me harmoni vijash të bindshme
premtojnë një dashni të hijshme
(ashtu dhe akordi i heshtjes
frytin e ambël të marrveshtjes).
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult