Pse vdiqe o engjëll, nga Mihai Eminesku
Një llambë e zbrazët në varrin e shenjtë,
Një tingull kambane në orën e shenjtë,
Një ëndërr që flatrat në vrere i pat njomë,
Kështu ti na ike nga bota e jonë!
Ti ike me qiell të kthjellët si dita,
Me kroje me qumësht, plot lule e dritë,
Kur retë ngjasonin të errëta pallate,
Ku hyj e del hëna, kjo zonjëzë nate.
Të pashë si hije me dritë argjendore
Si u sule në qiell me flatra dëbore,
Si reve u ngjite shkallaret pa krye,
Nën shira prej rrezesh e brymë prej yjesh.
Një rreze të ngriti, një këngë të përcolli
Me krahë kryqëzuar plot hir kraharorit,
Teksa mbaje vesh si shtillej magjia,
Argjend nëpër ujëra, dhe ar ndër hapësira.
Shoh shpirtin e bardhë ndër fllade eteri,
Shoh kurmin që mbeti i ftohtë si mermeri,
Përbrenda qivurit, me veshje të gjatë,
Kundroj qeshjen tënde që mbeti e gjallë.
Dhe pyes, ah, shpirtin në vrer e dyshime:
Pse vdiqe, o engjëll me pamje divine?
Nuk ishe e re, nuk ishe plot hirë?
Mos vdiqe të fikje një yll tërë dritë?
Mos ndoshta atje na ka ca kështjella
Me harqe floriri, nga yjet të bëra,
Me ura argjendi, lumenj tërë flakë,
Me zaje plot mirrë, me lule këngëtare.
Ti shkon në mes tyre, princeshë e shenjtë,
Me flokë prej rrezesh, me sytë plot jetë,
Me veshje të kaltër, me ar të qëndisur,
Me lar për kurorë në ball të molisur.
Ah, vdekja-një kaos, një det plot me yje,
Pa vdekja-moçal me ëndrra mënxyre!
Ah, vdekja-një shekull me diej zbukuruar,
Pa jeta-përrallë e lashtë, e trishtuar!
Por ndoshta në mend tani shfryn murlani,
Mendimet e liga të mira m’i vranë…
Kur fiken kaq diej dhe yje në tokë,
Më vjen të besoj: gjithçka është e kotë!
Pastaj kush e ditka se ç’qenka më mirë,
Të rrosh a mos rrosh një jetë me pahirë?!
Por dihet, kush s’rron, nuk heq kaq mundime,
Andrralla ka shumë, të paka gëzime.
Të rrosh? Marrëzi e trishtë, e kotë,
Që sy edhe vesh gënjen për kaq mote,
Ç’e ngre plot me bujë një shekull kaq lart,
Një tjetër me mllef e kall mu në baltë.
Shoh ëndrrat si ndritin e sullen tek yjet,
Pastaj rrokullimthi këputen e fiken,
Dhe s’di se ç’të flak mendimesh të mia,
Të qesh si i krisur? Të qaj si fëmia?
Të shaj? Mos gjithçka na qenka lajthitje?
Mos vdekja, moj mike, kuptim pakëz kishte?
Ky kurm kaq i hedhur e pamja e qeshur,
Mos linden kaq shpejt në terr për t’u mekur!
Në ka një kuptim, kjo gjëmë ish e kotë,
Në ballin e zbehtë s’të shoh shkruar: Zot!
Përktheu: Perikli Jorgoni
*Titulli i origjinalit: “Mortua est”
ObserverKult
Lexo edhe: